Intervista e Presidentit Pendarovski për CNN: Në horizont nuk ka përparim për anëtarësimin në BE

27 Qershor 2022 | Intervistat

Në vijim është intervista e tërësishme e Presidentit Stevo Pendarovski për CNN, në prag të fillimit të Samitit të NATO-s në Madrid.

ANDERSON: Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski gjendet në Madrid dhe do të jetë drejtpërdrejtë. Mirë se erdhët. Ky është një samit dinamik. E përshkruajnë si të rëndësishëm, siç edhe është ky Samit edhe dekada më parë. Është shpallur se NATO do t’i zmadhojë theksueshëm trupat e vendosur në brezin lindor, me zmadhim të trupave në çdo shtet baltik. Ky është përshkruar si ristrukturimi më i madh i mbrojtjes dhe rezistencës kolektive prej Luftës së Ftohtë e këndej. Çfarë mesazhi dërgohet me këtë hap?

Stevo Pendarovski, Presidenti i Maqedonisë së Veriut: Mirëdita Beki. E dini, ky është me të vërtetë Samit unik i NATO-s sepse koincidon me luftën në truallin evropian për herë të parë pas dekadash, në thelb për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Deri më tani nuk ka ndodhur të organizohet Samit i NATO-s në të njëjtën kohë, që nga formimi i saj në vitin 1949; të mbahet Samit i NATO-s ndërsa ndodh edhe agresion brutal mbi një nga shtetet evropiane.

Dhe gjithsesi, fare natyrshëm, për shkak të invazionit brutal rus mbi Ukrainën, i gjithë Samiti i NATO-s është në vartësi, përkatësisht, i preokupuar pikërisht me këtë çështje.

Së pari, pritet nesër, shpresoj nesër deri në fund të sesionit të dytë ose që në mëngjes herët të miratohet koncept i ri strategjik, dokument i veçantë me drejtimet mbi të ardhmen e afërt, ndoshta deri në fund të kësaj dekade. Siç thatë në lidhje me NATO-n, përforcimi i brezit lindor ka rëndësinë e vet. Bëhet fjalë për një qasje tërësisht të re, të quajtur Qasja 360, që nënkupton se kërcënimet dhe sfidat për sigurinë evropiane dhe euroatlantike mund të vijnë nga kudo. Si rrjedhim, duhet të qëndrojmë zgjuar dhe t’i bashkojmë fuqitë të cilat i kemi në dispozicion. Dhe gjithsesi, sa më shpejt që të jetë e mundur të gjitha anëtarët e NATO-s ta arrijnë pragun minimum dy përqind të PBV-së të veçojnë për mbrojtjen.

AndersonJens Stoltenberg foli për zmadhim të shtatëfishtë të trupave të përgatitur për luftë – sa jeni të shqetësuar ju në Maqedoninë e Veriut mbi të ardhmen dhe për kërcënimin e ardhshëm nga Rusia?

Pendarovski: Të jem i sinqertë, ne ballafaqohemi me të a.q. kërcënime hibride të cilat na vijnë para së gjithash në formë të propagandës politike dhe lajmeve të rreme. Kjo në katërt vitet e fundit pasi e organizuam referendumin për hyrje në NATO – e dini , ne jemi i vetmi vend në Aleancën e NATO-s i cili, me qëllim që të bëhet anëtar, e ndryshoi emrin e vet. Që nga ajo periudhë e këndej, ballafaqohemi me një nivel të paparë deri më tani të penetrimit rus nëpërmjet të ashtuquajturave kërcënime hibride. Kështu që, mund të thuhet se po mësohemi me një hyrje të tillë nga Federata Ruse.

Gjithsesi, është shumë e lehtë kur keni 29 aleatë të tjerë me ju, me të cilët e mbroni kauzën e përbashkët. Por, siç thashë, marrim ndihmë, marrim mbështetje dhe supozoj se ky bashkëpunim me Aleancën do ta përforcojë ndaj kërcënimeve të tilla. Kërcënimet e tilla nuk janë vetëm mbi Maqedoninë e Veriut, por Rusia i përdor të njëjtat kërcënime hibride edhe mbi pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. A e dini se Ballkani Perëndimor, për fat të keq, nuk është integruar tërësisht në arkitekturën euroatlantike institucionale.  

Anderson: E përshëndetën propozimin e dorëzuar nga Finlanda dhe Suedia për në NATO. Por Turqia nuk e bëri këtë gjë. Cili është mesazhi juaj për Presidentin Erdogan, duke pasur parasysh se jeni, gjithsesi, anëtarja më e re në NATO. Dhe duket qartë se bëhet fjalë për një qëndrim jashtëzakonisht të rëndësishëm si anëtare, duke pasur parasysh se me çfarë po ballafaqohet momentalisht Evropa. 

Pendarovski: E dini, këto janë dy palë në një kontekst në suazat e Aleancës. Duhet të merret parasysh shqetësimi i çdo pale. Ne tashmë dërguam letër me mbështetje të tërësishme politike për Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO sa më shpejt të jetë e mundur, sepse nëpërmjet kësaj do të përforcohet edhe më tej potenciali i tërësishëm dhe aftësia e aleatëve të NATO-s.

Megjithatë, njëkohësisht nuk duhet lënë pas dore disa shqetësime legjitime politike dhe të sigurisë të cilat i ka aleati ynë i vjetër, Republika e Turqisë. Sipas informacioneve të fundit që i kam në dispozicion, nën patronat të Sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg, përfaqësuesit e lartë të Finlandës, Suedisë dhe Republikës së Turqisë përpiqen të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe janë në fund të atij procesi, që të gjejnë zgjidhje me të cilën do të na mundësohet, sot, nesër apo pasnesër, ta ndryshojmë Aleancën.  

Anderson: E dëgjuat Presidentin Bajden, kurse më parë folëm për përforcimin e kapaciteteve për rezistencë dhe mbrojtje para këtyre pikave të Presidentit Bajden. Si vend, po prisni pothuajse njëzet vjet për hyrje në BE, pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim. Ju jeni anëtar në NATO, por megjithatë po prisni mundësinë që bëheni anëtarë në Bashkimin Evropian. A është një “dush i ftohtë” për Maqedoninë e Veriut pranimi apo statusi kandidat i dhënë në “lentë të shpejtë” Ukrainës?

Pendarovski: Krejtësisht e kundërta Beki, unë para një muaji i dërgova letër Presidentit Zelenski, ku thuhet se kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Ukraina nuk ka asnjë lidhje me kërkesën tonë për anëtarësim dhe përpjekjet për të filluar negociatat me Bashkimin.

Megjithatë, ka edhe dy gjëra që janë të rëndësishme sipas meje – së pari, Bashkimi Evropian dërgon mesazh të fuqishëm politik me simbolikë të madhe për ukrainasit që po luftojnë për të drejtat e tyre dhe zgjedhjen që të jenë në aleancë me kë duan. Njëkohësisht Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë një rajon shumë të rëndësishëm në periferi të  Evropës gjeografike, kurse ai është Ballkani Perëndimor. Me disa fjali mund t’ju them se jo vetëm një, por asnjë nga gjashtë vendet që gjenden në Ballkanin Perëndimor nuk po përparojnë në Bashkimin Evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë bllokuar me veton nga fqinji ynë Bullgaria – Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, përsëri janë harruar tërësisht. Mali i Zi dhe Serbia po negociojnë me BE-në pothuajse dhjetë vjet, pa përparim në horizont. Bëhet fjalë për një rajon me rëndësi vitale, pashë disa nga përfundimet të cilat duhet t’i miratojmë formalisht nesër në sesionin e parë në Samitin e NATO-s dhe që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor si rajon strategjik nga pikëpamja e të gjithë aleancës.

Do të dëshiroja të them të njëjtën gjë edhe për Bashkimin Evropian. Nëse NATO-ja e mban derën të hapur me dekada, nuk ekziston asnjë arsye pse Bashkimi Evropian të mos e mbajë të hapur derën për secilin që dëshiron t’i bashkëngjitet, sepse e dini se ekziston diçka që quhet Politikë e jashtme dhe siguri evropiane e përbashkët. Dhe kjo pjesë e Bashkimit Evropian përputhet me vlerat dhe parimet themelore të NATO-s.

Anderson: Në rregull.

Pendarovski: Domethënë, me qëllim që e gjithë kjo të mos dyfishohet, është më mirë të harmonizohen resurset që i kemi, në interes të qëllimit të përbashkët, kurse ato janë demokracia dhe liria.

Anderson: Me ne është Presidenti i Maqedonisë së Veriut – edhe njëherë më falni që pritët derisa i dëgjuam deklaratat e liderëve të Spanjës dhe SHBA-së. Por, ishte kënaqësi e madhe që qëndruat me ne, sepse biseda që kishim para pak, sipas meje, ishte mjaft e rëndësishme. Ju faleminderit për kohën dhe ju dëshiroj fat në Samit. Siç vlerësuan shumë veta, këto janë disa ditë të rëndësishme në Madrid. Ju falënderoj edhe njëherë, kurse ne vazhdojmë pas një pushimit të shkurtër.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....