Intervista e Presidentit Pendarovski për Kommersant rus

21 Dhjetor 2020 | Intervistat

Në intervistën e vet të parë për mediat ruse, Presidenti Pendarovski bisedoi me korrespodentin e Kommersant në Ballkan, Genadij Sisoev.

Në këtë intervistë, Presidenti bisedoi për relacionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Rusinë, për perspektivat evropiane të shtetit pas vetos bullgare, për fitimet nga anëtarësimi në NATO, pritjet nga administrata e re amerikane në lidhje me vendin tonë dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pyetje: Pas fitimit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, Ju deklaruat se tani rruga e Maqedonisë së Veriut në BE dhe në NATO është e garantuar. Megjithatë, para pak kohe BE-ja refuzoi përsëri të fillojë negociatat me vendin Tuaj për  anëtarësim? A është shtyrë integrimi në BE?

Presidenti Pendarovski: Padyshim po. Për shkak të pozitës së Bullgarisë, që lidhet me identitetin e maqedonasve dhe e konteston gjuhën maqedonase (Sofja nuk e pranon ekzistimin e maqedonasve si komb para vitit 1944 dhe e konsideron maqedonishten si dialekt të bullgarishtes – shënim i gazetës). Këtë pozitë nuk e mbështet asnjë vend tjetër anëtar i BE-së, por Bashkimi Evropian e zbaton rregullin e konsensusit. Në disa muajt e parë të vitit të ardhshëm do të shohim a do të ndryshojë diçka në qasjen e Bullgarisë. Nga ana jonë mundësitë për manovër janë shterur, ne dhamë një numër të madh propozimesh konstruktive. Për faktin se ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhë maqedonase nuk mund të negociohet.

Pyetje: Ju edhe në Kuvend këto ditë deklaruat se maqedonasit nuk do të heqin dorë asnjëherë nga identiteti i vet dhe gjuha e vet….

Presidenti Pendarovski: Po. Dhe këtu nuk ka asnjë lloj dallimi midis pushtetit dhe opozitës. Asnjë nuk do të thotë: ia vlen të mendohet nëse jemi ne maqedonas apo jo. Dallimet janë vetëm në metodat për arritjen e qëllimit. Linjat tona të kuqe janë vendosur: ne jemi maqedonas dhe gjuha jonë është maqedonishtja. Këtu nuk nevojitet asnjë lloj referendumi.

Pyetje: Pse Bullgari vendosi t’ju bllokojë pikërisht tani?

Presidenti Pendarovski: Ne jemi kandidatë për anëtarësim në BE që në vitin 2005, për shkak të kontekstit me Greqinë në lidhje me emrin e vendit tonë nuk mund të fillonim negociata për aderim. Kontekstin me Greqinë e zgjidhëm. Tani Bullgaria mendon lart-poshtë kështu: nëse i pranojmë tani në BE, nuk do të ketë më mundësi të hapen çështjet kontestuese. Disa politikanë bullgarë madje deklarojnë: duhej të bllokohej anëtarësimi i Maqedonisë në NATO që në vitin 2018. Supozoj se atëherë kjo nuk u është lejuar ta bëjnë për shkak të interesave gjeostrategjike të forcave perëndimore, të cilat deshën ta formojnë tërësisht krahun jugor të Aleancës. Në BE qasja është më ndryshe.

Pyetje: Kurse kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Bullgari këtë pranverë?

Presidenti Pendarovski: Unë e përmenda këtë para pak kohe. Dhe këtu vijoi reagimi i miqve tanë nga Sofja, se, kjo nuk është kështu, askush nuk i hap ato pyetje për shkak të rejtingut. Këto ditë po e ndjek dinamikën e rejtingjeve të partive lidere bullgare. Në dy muajt e fundit  ato u zmadhuan dyfish. Ndoshta ka ndikuar diçka tjetër në rejtingje, por në këtë periudhë partitë në Bullgari, flasin më shpesh për çështjen maqedonase.

Pyetje: Në mars Maqedonia e Veriut u bë zyrtarisht vendi i 30 anëtar i NATO-s. Ju personalisht aktivisht keni avokuar për këtë gjë. A u plotësuan pritjet Tuaja? Dhe çfarë i solli anëtarësimi në NATO vendit Tuaj?

Presidenti Pendarovski: Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, ne u ballafaquam me probleme të sigurisë dhe integritetit territorial. NATO-ja për ne ishte sinonim, garanci edhe i njërës edhe i tjetrës. Më përpara, investuesit ndërkombëtarë na pyesnin: A ka Maqedonia të ardhme? Kush do të investonte në një shtet nëse i rrezikohet siguria? Tani, kur u bëmë anëtarë të kësaj strukture ushtarake-politike, imazhi ynë është krejtësisht ndryshe. Nëse flasim për gjëra konkrete, me anëtarësim në NATO ne filluam një shkëmbim aktiv të informacioneve, të cilat janë me interes të përbashkët. Në pesë-gjashtë vitet e fundit rreth 140 qytetarë tanë kanë luftuar në Siri dhe në vendet e tjera të Lindjes së Afërme. Disa i kanë humbur jetën ose kanë humbur, por shumica janë kthyer. Ata janë njerëz të luftës, kurse mund të kryejnë edhe akte terroriste edhe te ne, edhe në rajon. Ne jemi vend i vogël, dhe është shumë e rëndësishme të merren informacionet e nevojshme zbuluese nga Gjermania, Franca, nga vendet e tjera udhëheqëse. Para disa muajsh, falë informacionit të marrë, ne arrestuam tri persona të tillë të cilët po përgatisnin akt terrorist.

Pyetje: Për shkak të anëtarësimit në NATO ju duhej ta ndryshonit me patjetër emrin e vendit. A jeni dakord me ata që konsiderojnë se ky është një çmim shumë i lartë?

Presidenti Pendarovski: Nuk jam dakord. Në lidhje me ndryshimin e emrit ka dy aspekte. I pari është emocional, që lidhet me shprehinë ndaj emrit të ri. Edhe unë nuk e kisha të lehtë këtë. Por ka edhe aspekt strategjik. Marrëveshja me Greqinë  ka dispozitë sipas së cilës ne jemi maqedonas dhe flasim maqedonisht. Kjo dispozitë është pjesë e letërnjoftimit tonë në OKB, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Në lidhje me historinë dhe gjeografinë, vendi ynë zë 36–37% të Maqedonisë gjeografike. Gjeografikisht ne jemi Maqedonia e Veriut.

Pyetje: A çoi anëtarësimi në NATO në përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë, e cila asnjëherë nuk e ka fshehur mospranimin e vet për zgjerimin e Aleancës?

Presidenti Pendarovski: Unë nuk do të flisja për përkeqësim të marrëdhënieve. Këtu më shumë bëhet fjalë për zvogëlim të dinamikës së kontakteve politike. Kjo duhet të korrigjohet, duke përfshirë edhe palën tonë. Vitin e kaluar, në suazat e Samitit në Paris, unë iniciova takim me shefin e MPJ-së ruse, Sergej Llavrov, i cili ishte shumë konstruktiv. Vitin e kaluar, pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, filloi përsëri me punë komisioni ndërqeveritar bilateral për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik. Asnjë vend nga ish-blloku socialist, i cili u bë anëtar i NATO-s, nuk e anashkaloi gjykimin nga Rusia. Populli ynë i përcaktoi qëllimet e veta strategjike. Rusia i përcaktoi vetë qëllimet e veta. Kjo duhet të pranohet si e përfunduar dhe të lihet mënjanë. Kjo nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunimin në tregti, ekonomi, energjetikë. Qëllimet e Maqedonisë së Veriut janë të thellohen marrëveshjet bilaterale me Moskën. Midis vendeve, të cilat aderuan në NATO, ka edhe vende të cilat kanë marrëdhënie të përkryera me Rusinë, siç është, për shembull, Sllovenia.

Pyetje: Po, por për dallim nga Sllovenia, Maqedonia e Veriut, si edhe Mali i Zi, që u bë anëtar para tri vjetësh, aderuan në NATO gjatë periudhës së konfrontimit të fuqishëm midis Rusisë dhe Perëndimit. Ndoshta kjo është arsyeja?

Presidenti Pendarovski: Unë nisem nga ajo se nëse ekziston vullnet nga të dyja palët, mund të zgjidhet gjithçka. Unë garantoj se nga ana ime dhe ana e Qeverisë së Zoran Zaevit, ekziston një vullnet i tillë politik. Nuk dyshoj se nuk ekziston edhe në Moskë. Prandaj garantoj se nuk do të ketë probleme, pa dallim nga fakti që ne jemi anëtarë të NATO-s tashmë, kurse disa vende para 15-20 vjetësh.

Pyetja: Dëgjova se Ju planifikonit të vinit në Moskë gjatë festimit të 75-vjetorit të fitores mbi fashizmin, por plani nuk u realizua.

Presidenti Pendarovski: Po, unë zyrtarisht e vërtetova vizitën me ambasadorin rus në Shkup. Por pandemia ishte pengesë. Ky do të ishte një rast i përkryer për takim të të gjithë përfaqësuesve nga vendet e koalicionit të atëhershëm antifashist dhe mundësi që të dërgohet mesazh i qartë për revizionizmin historik, i cili për fat të keq po fuqizohet. Unë do të udhëtoj në Moskë, sepse antifashizmi është vendosur në themelet e shtetit maqedonas. Dhe t’u jap respekt miliona qytetarëve rusë të cilët kanë humbur jetën nga e keqja e fashizmit.

 Pyetje: Ju jeni një nga liderët e parë botërorë të cilët ia uruan fitoren Xho Bajdenit, a prisni që administrata e re e SHAB-së të përfshihet më aktivisht në çështjet ballkanike?

Presidenti Pendarovski: Konsideroj se shkalla e përfshirjes së administratës së Bajdenit në problemet ballkanike do të zmadhohet, megjithatë, lideritetin formal në rajon e ka BE-ja.

Pyetje: Pas përfundimit të kontekstit midis Maqedonisë dhe Greqisë, në Ballkan do të mbeten probleme të tjera serioze. Do të përfundojë Ballkani të jetë zonë e destabilizimit dhe konflikteve?

Presidenti Pendarovski: Problemet e pazgjidhura në rajon mbeten. Bosnja dhe Hercegovina po ballafaqohen me sfida serioze, statusi ndërkombëtar i Kosovës nuk është përcaktuar, megjithatë, nuk besoj në konflikte dhe luftëra  të reja në Ballkan. Ka edhe probleme të tjera. Me zhvillimin e demokracisë, për shembull. Ose emigrimin masiv për shkak të ekonomisë së dobët. Por pa mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë, nuk mund të zgjidhet asnjë problem i madh në rajon.

Pyetje: Por “lojtarët” ndërkombëtarë kanë pikëpamje të ndryshme për rajonin. Që para pesë vjetësh sekretari i atëhershëm shtetëror i SHBA-së, Xhon Keri, fliste se vendet ballkanike gjenden në linjën e zjarrit midis Rusisë dhe Perëndimit. A është aktuale kjo pozitë edhe sot?

Presidenti Pendarovski: Konsideroj se edhe atëherë gjërat nuk ishin pikërisht kështu. Bëhet fjalë për konfrontim midis fuqive të mëdha. Kur zihen të mëdhenjtë, të vegjlit është më mirë të hiqen mënjanë. Në fund të fundit, nuk është e rëndësishme kush do të na ndihmojë. E rëndësishme është të zgjidhet problemi. Nëse keni ide e cila vlen, propozojeni, unë nuk kam asgjë kundër. Madje edhe nëse është ky një propozim joformal.

Pyetje: Duke u kthyer në fillim të bisedës sonë, a besoni se BE-ja dëshiron t’i shohë me të vërtetë vendet ballkanike në radhët e veta?

Presidenti Pendarovski: Tek evropianët nuk ka mendim formal se Ballkani nuk vlen të përfshihet në BE. Por, ekziston mendimi si nuk mund të ketë asnjë lloj zgjerimi, derisa të thellohen marrëdhëniet brenda në BE: Ne në Ballkan konsiderojmë se edhe njëra edhe tjetra mund të ndodhin paralelisht. Por në Evropë nuk janë dakord të gjithë me këtë gjë. Aty flitet se BE-ja edhe kështu është mjaft e madhe, se ka vështirësi me harmonizimin e pozitave dhe gjithmonë e përmendin shembullin e Rumanisë dhe Bullgarisë: i pranuam, kurse ata nuk ishin të përgatitur, një përvojë e tillë nuk duhet të përsëritet.

Pyetje:  A do të bëhet Ballkani pjesë e BE-së?

Presidenti Pendarovski: Do të jemi optimistë profesionalë. Konsideroj se Ballkani do të jetë pjesë e BE-së, por për këtë nevojiten vite. Do të dëshironim kjo të ndodhë për katër-pesë vjet. Por, kjo nuk varet vetëm nga ne.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...