Intervista e Presidentit Stevo Pendarovski për gazetën greke “Etnos”

10 Korrik 2022 | Intervistat

Presidenti Pendarovski për Etnos: marrëdhënie greko-turke janë barometër edhe për Ballkanin – Çfarë thotë për stagnimin në lidhje me Marrëveshjen e Prespës?    

  1. Javën e kaluar morët pjesë në Samitin e NATO-s në Madrid. Çfarë mendoni për ekuilibrin që po formohet në nivel ndërkombëtar, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë?

Lufta në Ukrainë e ka diktuar tërësisht agjendën e këtij samiti. Në thelb, dy vendime kyçe të Samitit janë nxjerrë nga invazioni rus mbi Ukrainën: i pari, koncepti i ri strategjik i NATO-s ku Rusia përkufizohet si kërcënimi më i madh i sigurisë për Aleancën dhe i dyti, ftesa për Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkëngjiten organizatës. Shkurtimisht: Lufta ruse në Ukrainë e ndryshoi tërësisht peizazhin gjeopolitik të kontinentit.

  1. A keni frikë nga hyrjet e mëtejshme ruse në Ballkan? Çfarë do të nënkuptonte kjo për të gjithë Rajonin Ballkanik?

Rusia po i shkakton kërcënimet më serioze hibride për Rajonin Ballkanik, duke përfshirë edhe propagandën politike dhe fushatat e dezinformimit. Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, komplikimi dhe intensiteti i kërcënimeve hibride janë të ngjashme me ato të vitit 2018 gjatë referendumit për çështjen e emrit. Nuk kam informacione për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por disa pika të dobëta të rajonit Moska i njeh shumë mirë dhe gjithsesi do të përpiqet që të futet më thellë aty.

  1. Kanë kaluar tre vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, megjithatë nuk ka përparim në lidhje me shumë çështje, për shembull, nuk ka ndryshime në librat shkollorë, takimi i Këshillit të lartë midis dy vendeve nuk është mbajtur, kurse nuk është arritur as zgjidhje konkrete për emërtimet tregtare të mbrojtura. Cila është arsyeja për këtë stagnim? A ka fitim ndonjë prej këtij stagnimi?

Në të vërtetë, pjesa kryesore e Marrëveshjes së Prespës tashmë është zbatuar, por jam dakord se shtetet serioze dhe politikanë e përgjegjshëm nga secila palë duhet t’u përmbahen obligimeve të vendosura në këtë dokument. Në emër të shtetit tim, mund t’ju them se anëtarët e të dy komisioneve të vendosura me Prespën janë të gatshëm të marrin pjesë dhe tashmë marrin pjesë në të gjitha takimet që janë dakorduar midis të dyja palëve.

Jam dakord se dinamika e punës së komisionit duhet të intensifikohet, por, duke folur për motivet e palës tjetër, supozimi im është se ato lidhen me dinamikën e brendshme politike në Greqi.

  1. Për cilat çështje do të dëshironit që pala greke të reagojë më shpejt. A jeni të shqetësuar që Kiriakos Micitakis nuk i ka vendosur ende tri memorandumet për votim në Parlament?

Shpresoj se së shpejti këto tri memorandume do të ratifikohen nga Parlamenti grek, duke u lehtësuar kështu rruga për zbatimin e shumë marrëveshjeve bilaterale. Të gjitha ato dokument janë të rëndësishme që të përforcohet baza juridike e bashkëpunimit tonë, duke lënë mënjanë politikën, e cila u përmirësua në shumë aspekte në vitet e kaluara.

  1. Përveç stagnimeve, megjithatë ekziston edhe përparim në lidhje me shumë çështje në suazat e Marrëveshjes. Cili është mendimi juaj për agjendën pozitive?

Arritja jonë më e madhe është anëtarësimi në NATO si pasojë e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Prespës. Si pozitive duhet të theksohet se në vendin tim, shumë njerëz e kuptuan se ndryshimi emrit nuk nënkuptonte cenim të identiteti tonë nacional, që ishte shqetësimi ynë më i madh gjatë negociatave shumëvjeçare. Mandej, marrëveshja hapi mundësi të reja për shkëmbimin ekonomik dhe tregtar dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta në të dy drejtimet. Gazsjellësi në Aleksandropuli është një nga shembujt për angazhimet e përbashkëta të cilat pritet të sjellin fitime të përbashkëta për të dy vendet.

  1. Siç i shihni marrëdhëniet midis dy shoqërive sot? A ekziston ende në Maqedoninë e Veriut kundërshtim mbi këtë Marrëveshje?

Kundërshtim ka ende, por jo në atë masë dhe aq fuqishëm krahasuar me periudhën e ndryshimeve kushtetuese. Pres, me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë njerëz të kuptojnë se marrëveshja në thelb shënoi hapje strategjike për të dy shtetet. Supozoj se në lidhje me kontestimin e Marrëveshjes, gjendja është shumë e ngjashme edhe në vendin tuaj.

  1. Rruga për ëndrrën evropiane doli e gjatë për Maqedoninë e Veriut. Cili është mendimi Juaj për marrëveshjen kompromisit të Francës në lidhje me kontekstin me Bullgarinë?

Unë tashmë e quajta një lloj kompromisi kalimtar me një bllokadë të lindur në këtë rrugë. Domethënë, ne do t’i fillojmë negociatat, dhe ky është fitimi më i madh nga propozimi i ndryshuar francez – fillimi i negociatave pas 17 vjet pritjesh. Megjithatë, në procesin e skriningut, ekziston një parakusht për vazhdimin e negociatave, kurse ai është ndryshimi i Kushtetutës me qëllim që të vendosen në të Bullgarët. Duke pasur parasysh polarizimin tonë të thellë politik janë të vogla shanset cilido subjekt politike të  ketë mundësi të krijojë dy të tretat e shumicës parlamentare që nevojitet për mbështetje të ndryshimeve.

  1. Cili është mendimi juaj mbi marrëdhëniet greko-turke?

Të dy shtetet janë aleate të afërta në suazat e NATO-s, kurse ne kemi lidhje të afërta politike me secilin prej tyre. Marrëdhëniet e ekuilibruara dhe të parashikueshme midis Greqisë dhe Turqisë janë me rëndësi kyçe për stabilitetin e Ballkanit, Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, por edhe për vendosjen e përgjithshme të Aleancës. Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut kontribuon në mirëkuptimin midis aleatëve, duke përfshirë edhe Greqinë dhe Turqinë.

  1. A jeni optimist për një mandat të dytë si Presidenti i Maqedonisë së Veriut?

Nga dita e parë, fokusi im ishte mbi navigimin nëpër ujërat e vrullshme të politikës vendase dhe ndërkombëtare, në emër të shtetit tim dhe sa më mirë që mundem. Në atë rrugë, vetëm një gjë është me të vërtetë e rëndësishme për mua – mendimi dhe mbështetja e bashkëqytetarëve tim. Gjatë të gjithë karrierës sime, asnjëherë nuk kam parë se cilat do të jenë lëvizjet pa e pasur mbështetjen nga populli im.

  1. Diçka personale. Çfarë raporti keni Ju me Greqinë? A udhëtoni në Greqi? A keni miq këtu? Me cilin keni pasur më shpesh kontakte gjatë viteve të kaluara?

Greqinë e kam vizituar për herë të parë në vitin 1976, për pushime me prindërit tim. Që atëherë e kam vizituar shpeshherë si turist, si pjesë e delegacioneve shtetërore dhe si ekspert gjatë pjesëmarrjes në konferencat ndërkombëtare. Megjithatë, vendin që e kam më përzemërt është ishulli i Tasosit, ku kam njohur shumë miq. Duke pasur parasysh obligimet time aktuale, do të ishte shumë mirë nëse arrij të gjej kohë që të shkoj përsëri aty në një të ardhme të afërm.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....