Intervistë e Presidentit Stevo Pendarovski për “Azia Tajms”

20 Prill 2022 | Intervistat

Zoti President, si vend anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut e shprehu gjykimin dhe dënimin e vet ndaj invazionit rus në Ukrainë. A jeni për përfshirjen e NATO-s për tërheqjen e Rusisë nga agresioni i mëtejshëm apo besoni se kjo do të shkaktojë destabilitet më të madh?  Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, i bën thirrje NATO-s të vendosë zonë të ndaluar të fluturimeve mbi Ukrainën që t’i zmadhojë shpenzimet për eskalimin e luftës të Vlladimir Putinit. A konsideroni se aleanca e sigurisë duhet të mendojë për një gjë të tillë?

Agresioni i paprovokuar dhe i paargumentuar ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës e ktheu luftën në Evropë dhe i shkeli seriozisht të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke e minuar stabilitetin dhe sigurinë evropiane dhe globale. Maqedonia e Veriut, si anëtarja më e re në Aleancë, i mbështet tërësisht përpjekjet e NATO-s për përgjigje të shpejtë dhe vendosje të ushtarëve në territorin e aleatëve tanë, për përforcim të sigurisë në krahun lindor të Aleancës dhe ne kontribuojmë në këto përpjekje me kapacitetet tona. Kjo është çështje e sigurisë sonë kolektive dhe çështje për paqen evropiane dhe për mirëmbajtjen e përparimit ndërkombëtar. Njëkohësisht, aleatët janë të bashkuar edhe në sigurimin e mbështetjes për Ukrainën, si mbështetje e të drejtës për vetëmbrojtje. Gjithashtu, aleatët janë të bashkuar kur bëhet fjalë për faktin se NATO-ja nuk duhet të vendosë forca në terren ose në hapësirën ajrore të Ukrainës.  Duhet të japim gjithçka prej vetes që ta ndalojmë së pari invazionin ushtarak rus të sigurojmë se lufta nuk do të eskalojë jashtë Ukrainës.

Vendi juaj është provokuar vazhdimisht nga Rusia para pranimit në NATO në vitin 2020, kurse autoritetet ruse madje u kanosën se në rast të përshkallëzimit eventual të luftës, Maqedonia e Veriut do të jetë “objektiv legjitim”. Tani kur e mbështetët qartë Ukrainën dhe ofruat mbështetje, a jeni të shqetësuar se agresioni rus mund të zgjerohet edhe në kufijtë tuaj?

Ne jemi të zëshëm në mbështetjen tonë për të drejtën e Ukrainës që ta mbrojë integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë e vet territoriale në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe të drejtën për vetëvendosje – çështje jashtëzakonisht e rëndësishme e identitetit edhe për ne, jemi të bindur fuqimisht se kjo është me rëndësi enorme që të mbështetet cilido vend në botë që ta ruajë të drejtën e vet themelore të vetëmbrojtjes, lirisë dhe demokracisë. Kanë kaluar dy vjet që kur Maqedonia e Veriut hyri në NATO dhe dëshmuam se jem një aleat i vlerësuar shumë, i cili promovon siguri, stabilitet dhe përparim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tani jemi pjesë e sistemit të patrullimit ajror të NATO-s. Avionët luftarakë të Greqisë e patrullojnë qiellin tonë. Ky është solidaritet i NATO-s në praktikë. Aleatët qëndrojnë bashkë që ta mbrojnë dhe ruajnë njëri-tjetrin.  NATO-ja është i përkushtuar ndaj zgjidhjes paqësore të konflikteve. Në përpjekjet diplomatike nuk kanë sukses, Aleanca ka fuqi ushtarake të ndërmarrë operacione për menaxhim me krizat. Ato zbatohen sipas klauzolës për mbrojtje kolektive nga marrëveshja themeluese e NATO-s – neni 5 i Marrëveshjes së Uashingtonit ose nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, vetë ose në bashkëpunim me vende dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut filloi me përgatitjet për pranim të refugjatëve ukrainas, të cilët po largohen nga lufta në vendin e tyre. Sa refugjatë keni pranuar deri më tani? A jeni të bindur se i kini resurset për strehim nëse ka një valë masive, nëse do të ketë, duke pasur parasysh se tashmë e keni ndërmarrë obligimin që të pranoni 750 refugjatë afganë, pas marrjes së Kabulit nga talibanët?

Ka një numër më të vogël të shtetasve ukrainas që kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe të cilët kërkojnë strehim. Numri është mbi 500 persona të cilët lidhen me vendin tonë sepse kanë familjarë ose miq. Ekziston një bashkëpunim ndërinstitucional i institucioneve tona të cilat po përgatiten të kërkojnë mbështetje për shtetasit  ukrainas të cilët po largohen nga vendi i tyre amë.

Presidenti i Ukrainës në deklaratat para pak kohe tha se Ukraina duhet të pranojë se nuk do të hyjë në NATO. Në shkurt, zëdhënësi i Presidentit Zelenski deklaroi se aderimi në këtë aleancë është prioritet. Deklarimi i tillë për neutralitet është ndoshta diçka që Rusia e ka kërkuar kaq gjatë, dhe tani duket sikur Ukraina po bën lëshimin të cilin Kremlini e ka kërkuar.  A konsideroni se ky është një pajtim përkundrejt agresionit rus  apo një kthesë e domosdoshme diplomatike e cila do ta pengojë gjakderdhjen dhe dhunën e mëtejshme në Evropën Lindore?

U mbetet ukrainasve të vendosin vetë për të ardhmen e vet, botës i mbetet të pranojë se Ukraina e pavarur dhe sovrane është me rëndësi thelbësore për sigurinë globale.  Historia na mëson se pajtimi mund të nxitë agresion të mëtejshëm. Dialogu dhe diplomacia duhet të mbisundojnë. Dalja diplomatike është rruga e vetme e pranueshme për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë të tillë e cila do të sigurojë se kontekstet aktuale për çështje thelbësore zgjidhen me negociata dhe jo me luftë.

Vendi Juaj është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Ukraina, e ballafaquar me agresionin e madh rus, dorëzoi, gjithashtu, aplikim të shpejtë për aderim në BE. A mendoni se anëtarësimi në BE do ta përforcojë sigurinë e Ukrainës dhe do ta mbrojë nga agresioni i ardhshëm rus? Duke pasur parasysh se zgjerimi i BE-së ka kundërshtarë, siç është Presidenti francez Emanuel Makron, i cili beson se duhet të reformohet marrëveshja para çdo episodi të ardhshëm zgjerimi, a prisni që përpjekja e Ukrainës të ketë sukses?

Maqedonia e Veriut është shembull eklatant se rruga e anëtarësimit në BE është e vështirë. Nuk ekziston mënyrë që të shkurtohet procesi robust i aderimit.  Në rastin tonë, është ende afatgjatë, i paargumentuar, duke pasur parasysh se nuk kemi filluar as me negociatat. Në samitin e fundit të BE-së në Versajë, liderët i përcaktuan aspirimet evropiane dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës, siç është vendosur në Marrëveshjen e Asociimit. Në 28 shkurt të vitit 2022, duke e shfrytëzuar të drejtën e Ukrainës, që ta përzgjedhë fatin e vet, Presidenti i Ukrainës e dorëzoi aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këshilli ka vepruar shpejt dhe i bëri ftesë Komisionit që të japë mendimin e vet për këtë aplikim në përputhje me dispozitat relevante të marrëveshjeve, të cilat e përcaktojnë procedurën e aderimit në këtë bllok.  Por, marrëveshjet vendosin edhe shumë gjëra të tjera – duke përfshirë edhe kriteret për anëtarësim dhe faktin se vendet mund t’i bashkëngjiten BE-së vetëm me miratim të njëzëshëm nga të gjitha anëtaret ekzistuese.

Rusia nuk është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut, por megjithatë morët ftesë nga Rusia t’i bashkëngjiteni Bashkimit Ekonomik Euroaziatik që në vitin 2019, kurse midis kombeve evropiane, Maqedonia e Veriut, varet më shumë nga gazi natyror, duke e importuar pothuajse të gjithë konsumin e vet të gazit nga Rusia. Megjithatë, ju iu bashkëngjitët SHBA-së dhe BE-së të cilat vendosën sanksione kundër Rusisë. A do ta dëmtojnë këto masa ndëshkuese ekonominë e Maqedonisë së Veriut?

Maqedonia e Veriut nuk ka marrë asnjëherë ftesë që të jetë pjesë e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik. Në lidhje me sanksionet, si anëtare e NATO-s dhe si vend anëtar për anëtarësim në BE, ishte hap i logjikshëm ta pranojmë politikën e përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes së BE-së dhe pakon e sanksioneve të Bashkimit, duke përfshirë edhe pakon e masave të vitit 2014. Maqedonia e Veriut është vend i vogël dhe jemi konsumatorë të vegjël të gazit natyror, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Ndoshta nuk do të ballafaqohemi me krizë serioze, por, është, gjithashtu, e saktë se nuk kemi alternativë tjetër për furnizim me gaz.

Dihet se situata e re e krijuar nuk do të ndikojë pozitivisht mbi ekonominë tonë, as mbi marrëdhëniet ekonomike maqedonase-ekonomike.

Të lëmë krizën ukrainase mënjanë, do të dëshiroja të bisedoj me Ju për kandidaturën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Një nga pengesat më të rëndësishme për integrim të vendit në BE është hequr kur Greqia e tërhoqi ankesën e vet pas zgjidhjes së kontekstit për emrin në vitin 2019. Tani, Bullgaria e pengon rrugën dhe refuzoi ta miratojë kornizën negociuese në Bashkim për vendin Tuaj.  A besoni se mund ta angazhoni në mënyrë diplomatike Bullgarinë ta zgjidhë kontekstin dhe ta “shtrojë” rrugën për aderim në BE? Cilat mund të jenë pengesat e tjera të mundshme?

Shpresoj sinqerisht se nëse arrijmë ta tejkalojmë bllokadën e Bullgarisë, nuk do të kemi pengesa të tjera në rrugën drejt BE-së.  Gjithçka tjetër do të ishte e padurueshme në afat të gjatë dhe dëshpëruese për qytetarët tanë. Ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe trendet më të reja gjeopolitike në marrëdhëniet ndërkombëtare, si asnjëherë deri më tani, flasin për nevojën e integrimit të tërësishëm të rajonit në BE. Momentalisht po ballafaqohemi me një euroskepticizëm në rritje dhe me tendenca negative në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nëse për një kohë të shpejtë, institucionet evropiane nuk gjejnë model për zhbllokim të procesit eurointegrues maqedonas, do të vendoset seriozisht në pikëpyetje politika e zgjerimit dhe kredibiliteti i Bashkimit Evropian në tërësi.

Për fat të keq, konteksti maqedonas-bullgar është irracional dhe paradoksal.  Ne jemi në pozitë të pabarabartë, sepse jemi jashtë “klubit”, dhe për ne është kyçe në këto negociata të respektohet parimi i barazisë midis dy palëve. Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik, për të cilin nuk kemi alternativë tjetër.  Si rrjedhim, kemi vullnet të fuqishëm politik ta vazhdojmë dialogun me Bullgarinë dhe të gjejmë kompromis përfundimtar, i cili nuk do ta rrezikojë identitetin maqedonas. Tjetër zgjidhje, përveç se të vazhdojmë të negociojmë në shpirtin e fqinjësisë së mirë, nuk ka.

Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë qenë të ngatërruar në një kontekst 27-vjeçar i cili hodhi hije mbi stabilitetin e Ballkanit dhe i tendosi marrëdhëniet tuaja me fqinjin kryesor. Tani  kur ky kontekst është zgjidhur, si janë perspektivat për bashkëpunim me Greqinë në suazat e NATO-s dhe Këshillit të Evropës, ku janë anëtare të dy vendet? A do të mbështeteni te Greqia si partner kryesor tregtar?

Greqia është, dhe ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut edhe tani edhe më parë. Të gjitha këto vite, ndërkohë që ka zgjatur konteksti bilateral, relacionet midis dy bashkësive të biznesit nuk janë ndërprerë.  Është fakt se Marrëveshja e Prespës të cilën e arritëm pas më shumë se dy dekadash negociata, ishte hap i vështirë për të dy shtetet, por e arritëm në interes të të ardhmes sonë të përbashkët.  Ajo që më pas u bë realitet për ne është anëtarësimi në NATO, ku jemi edhe aleatë formalë. Jemi të përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, në funksion të stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit dhe të të gjithë zonës euroatlantike. Sot, Greqia është mbështetëse e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në raport me bashkëpunimin ekonomik, Greqia është partneri i pestë më i madh tregtar për ekonominë maqedonase dhe tregu i shtatë më i madh për eksport të prodhimeve maqedonase. Statistika dëshmon se në pesë vitet e kaluara është zmadhuar shumë më tepër importi nga Greqia, përkundrejt rritjes së vogël të eksportit, por ndikim më të madh në trendet e tilla ka pandemia e kovid-19.  Në domenin e ekonomisë, projektet energjetike dhe infrastrukturore edhe mandej mbeten në krye të prioriteteve tona. Në domenin e politikës, nëpërmjet përforcimit të bashkëpunimit rajonal të kontribuojmë për rajon stabil, të sigurt dhe me prosperitet.

Në vitin 2013, Maqedonia e Veriut iu bashkëngjit iniciativës kineze “Një brez, një rrugë” të qeverisë kineze. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë i platformës së bashkëpunimit 16+1 e cila kapitalizohej nga linja kreditore prej 10 miliarda dollarësh amerikanë dedikuar projekteve infrastrukturore. Cilat janë iniciativat infrastrukturore që prisni t’i zbatojë Kina si pjesë e kësaj iniciative? Si do ta nxitë ekonominë nacionale përfshirja në këtë skemë ambicioze kineze?

Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Kinës po zhvillohen në shpirtin e miqësisë, mirëkuptimit t dhe respektimi të ndërsjellë, prej një kohe të gjatë.  Komponenti përbërës i marrëdhënieve është procesi 16+1. Me të vërtetë, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë që nënshkroi marrëveshje konkrete për përdorim të mjeteve financiare për projekte infrastrukturore. Megjithatë, në realitet, Maqedonia e Veriut ende nuk ka ndonjë dobi të theksuar nga iniciativa 16+1. Në lidhje me përfshirjen në këtë iniciativë, vendi ynë së pari ishte renditur në vendin e tetë dhe klasifikuar si vend “ambicioz”, kurse pastaj ra në vendin e trembëdhjetë.

Ndërtimi i dy autostradave nëpërmjet projektit shtetëror kinez Sinohidro, të financuar nga linja kreditore prej 10 miliarda dollarë amerikanë të siguruar nga Kina, ishte planifikuar si një nga projektet kryesore të iniciativës 16+1. Megjithatë, siç duket projekti nuk është i suksesshëm për shkak të kontroversave të brendshme vendase dhe nuk janë propozuar iniciativa të tjera të rëndësishme.

Prandaj, konsideroj se bashkëpunimi në suazat e 16+1 duhet të drejtohet kah projekteve konkrete dhe të ketë rezultate konkrete, sidomos në pjesën e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar dhe të projekteve infrastrukturore kapitale. Që të ketë përparim të vërtetë dhe bashkëpunim të zmadhuar, duhet të mundësohet tregti e lirë, pa mbingarkesat administrative, hapje e mëtejshme të tregut kinez për prodhime nga EQL, konkurrencë e drejtë, trajtim i barabartë i kompanive nga EQL-ja në tregjet kineze, respektim i parimeve të reciprocitetit dhe dobishmërisë së ndërsjellë, duke i respektuar rregullat multilaterale tregtare të OBT-së, në përputhje me dispozitat, politikat dhe vlerat e BE-së.

 A ka deri më tani qeveria Juaj vizion afatgjatë për partneritete më të fuqishme me vendet e Lindjes së Afërme, ku reputacioni i ndikimit diplomatik të qeverisë Suaj duket se është i dobët? Për shembull, a ka plane për hapjen e ambasadave në Iran, Arabinë Saudite, Kuvajt, Jordani dhe në shtete të tjera të mëdha në këtë rajon me të cilat nuk keni bashkëpunim të ngushtë? A është e përgatitur Maqedonia e Veriut të ketë dobi nga tregtia e zmadhuar me këto kombe, të cilat janë jashtëzakonisht të pasura në lidhje me resurset natyrore dhe rezerva energjetike?

Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend i vogël, praktikon politikë të hapjes ndaj të gjithëve, edhe ndaj Lindjes edhe ndaj Perëndimit.  Kemi qenë gjithmonë të hapur të ndërtojmë marrëdhënie dhe të zhvillojmë bashkëpunim me të gjitha vendet qëllimmira në botë. Maqedonia e Veriut ka vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet të cilat i përmendët, por për fat të keq nuk kemi dialog politik aktiv dhe të intensifikuar dhe shkëmbim të vizitave, që nga ana tjetër është parakusht për thellim të bashkëpunimit bilateral.  Si rrjedhim, nevojiten përpjekje të dyanshme që të trasohet ajo rrugë, që të përparohet korniza dakorduese dhe të krijohen kushte për shfrytëzim të potencialeve ekonomike dhe të shkëmbimit tregtar.  Për sa i përket hapjes së përfaqësive diplomatike, kjo nuk varet vetëm nga vullneti ynë politik, por para së gjithash edhe nga kapacitetet dhe resurset tona.

North Macedonia’s Pendarovski bravely blasts at Russia

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit