Antidot: President shteti jeni gjysmë viti. Ishit këshilltar i dy presidentëve, por cili është dallimi tani që jeni ulur në vendin e tyre. Si këshilltar, a keni mundur t’i supozoni të gjitha përgjegjësitë e shefit të shtetit?
Pendarovski: Fillimisht, do të thosha që ishte nder i madh të punoj për dy presidentë, Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenovski, përvojë shumë e vlefshme, duke pasur parasysh rëndësinë e periudhës historike. Në atë pozicion, kam mundur prej së afërmi të njihem me rëndësinë e të qenurit presidenti, si funksion në interes të qytetarëve, edhe si përgjegjësi edhe si lidership. Edhe pse në opinionin maqedonas, përfshirë edh funksionin politik president, në periudha të caktuara nga pavarësia jonë është përjetuar në mënyrë protokollare, obligimet kushtetuese të presidentit kanë qenë dhe do të mbesin me rëndësi thelbësore për sistemin tonë politik. Në këto shtatë muaj jam përfshirë në procese, jo duke u nisur nga kompetencat kushtetuese, por si president i të gjithëve, ndjej përgjegjësi, sepse mandatin e kam fituar drejtpërdrejtë nga qytetarët e të gjithë komuniteteve etnike, të kontribuojë që gjërat të ecin në drejtimin e duhur.
Antidot:Nuk jeni pjesë e strukturës zyrtare politike, por ishit të përfshirë në radhët e para të frontit të ashtuquajtur progresiv edhe gjatë kohës së protestave edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Tani si presidenti, a ndjeheni ende si pjesë e atij frontit progresiv, pa marrë parasysh që vazhdimisht theksoni që synimi juaj kryesor është të jeni dhe të silleni si president i të gjithë qytetarëve?
Pendarovski:Të gjithë qytetarët e lirë dhe me orientim demokratik, ishim të bashkuar rreth një ideje dhe synimi, kthimin e lirisë dhe të drejtës. Nga “shteti i kapur” dhe hyrja e dhunshme në Parlament më 27 prill të vitit 2017, kur për pak mund të kishim pasur edhe viktima në njerëz, për vetëm dy vite e gjysmë siguruam që vendi të jetë në prag të NATO-s dhe në fillim të bisedimeve me BE-në. Lidhur me, dikur, vërejtjet dhe dobësitë kryesore, siç janë liria e mediave, liritë ekonomike, kontrolli politik mbi gjyqësorin dhe administratën, pa dyshim që kemi bërë hap pozitiv, por nuk mundemi dhe nuk guxojmë t’i heshtim edhe disa dukuri negative ku sot jemi dëshmitar, që përsëriten, sepse të njëjtat askush nuk do t’i zgjidh në emrin tonë. Vizioni i frontit progresiv dhe parullës “Pa drejtësi- nuk ka qetësi”, edhe sot është përcaktimi im në punën gjatë tërë mandatit tim.
Antidot:Maqedonia vazhdimisht hyn në një lloj rrethi ciklik të krizave. Kjo edhe nuk është aq e pazakontë për një demokraci të re. Cila është sfida më e madhe për Maqedoninë tani- korrupsioni, funksionimi i shtetit të së drejtës, pasiguria për datën e bisedimeve me BE-në, braktisja e vendit?
Pendarovski:Kemi më shumë sfida dhe pajtohem se përderisa e presim datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, ndodhin procese ndaj të cilave ne si shoqëri patjetër të përgjigjemi. Rasti “Zhvatja” është i dhimbshëm, por njëkohësisht është leksion për të gjitha institucionet. Ndërkaq, dua të theksoj që trendët demografike vite me radhë tregojnë që thjesht nuk do të kemi resurse njerëzore, shpërngulja e të rinjve është alarmante. Këto tema patjetër duhet të jenë mbipartiake. Unë edhe në fjalimin tim vjetor në Parlament, theksova se për fat të keq, ne për tri dekada kemi shumë politikanë dhe biznesmenë që janë pasuruar brenda natës, por nuk ka pasur procedura për prejardhjen e pronës, aktvendime të plotfuqishme dhe dënime me burg. Korrupsioni është sikur kanceri, ai i shkatërron themelet e shëndosha të shoqërisë dhe në një situatë të tillë, s’mund të presim që të rinjtë tanë ta shohin veten në mënyrë afatgjatë këtu. Kësaj bashkëngjitni edhe pagat e ulëta, mungesën për hulumtim dhe zhvillim si dhe perspektivën e pasigurt në BE dhe ja ku e keni recetën që të vazhdojë shpërngulja. Nëse e menaxhojmë korrupsionin, do të kemi mundësi për zhvillim më të madh të biznesit, shërbime më të mira nga sektori publik për qytetarët, stabilitet në afat të mesëm dhe të gjatë.
Antidot: Afera “Zhvatja”, ku akuzohet ish prokurorja speciale, disi e shkatërroi edhe atë pak besim në sistemin gjyqësor. A mundet Maqedonia vet ta rimëkëmb sistemin gjyqësor, pas asaj që e bënte Qeveria e VMRO DPMNE-së 11 vite dhe rastin aktual “Zhvatja” apo për këtë do të duhet asistim nga jashtë, sidomos nga gjykatës dhe profesionistë?
Pendarovski:Lidhja mes sistemit politik dhe gjyqësor nuk është e panjohur për shtetin tonë. Prokuroria Speciale Publike u formua për shkak të mosfunksionimit të sistemit gjyqësor dhe për këtë kishte shpresa dhe pritje të mëdha nga formimi i saj, që të zbardhet krimi enorm. Për këtë shkak edhe dëshpërimi është i madh, dhe unë jam njëri prej atyre që janë të dëshpëruar dhe për këtë na duhet epilog gjyqësor të rasteve të PSP-së dhe për aferën “Reket” me qëllim që të kthehet besimi në gjyqësor. Duhet t’i pastrojmë radhët e prokurorëve dhe gjykatësve. Unë besoj që kemi kapacitet në sistemin gjyqësor, edhe atje ka profesionistë që, të çliruar nga të gjitha prangat, mund ta kthejnë besimin në gjyqësor. Edhe pse duhet të dimë që jemi në situatë të palakmueshme sepse këto ndryshime përveç që duhet të bëhen shpejtë, duhet të jenë edhe cilësore dhe këtu varet a do të na lejojë këtë dinamika e ngjarjeve politike këtë periudhë dhe këtu e kam fjalën për zgjedhjet e parakohshme në prill.
Antidot: Nëse deri në muajin maj të vitit 2020 nuk marrim datë për bisedime, çfarë pasoja kjo do të ketë për Maqedoninë. Cili është vlerësimi juaj: a e kupton shoqëria jonë që BE me të vërtetë dëshiron ta reformojë procedurën për pranimin e anëtarëve të ri apo mendon që BE nuk e dëshiron Maqedoninë në klub. Të paktën jo në një të ardhme të afërt.
Pendarovski: Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në ishte tronditje për tërë shoqërinë. Ne si shtet këtë datë e kemi merituar dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për proceset reformuese që bëhen në vazhdimësi, por se ne datën e kemi merituar, sepse dëshmuam kapacitete dhe vlera demokratike, përkatësisht zgjidhëm problemet dhjetëvjeçare me fqinjët, me të cilat u zhbllokua rruga euro- atlantike. BE është synimi jonë i përbashkët strategjik për të cilin kemi punuar me vite, por, vendimi për zgjerimin është shtyrë për pranverën e ardhshme. Në disa raste kam thënë, se nuk kemi asgjë kundër metodologjisë së re eventuale, as kundër kthimit të procesit ndërsa fillimi i bisedimeve do të jetë nxitje dhe obligim edhe më i madh që të vazhdojmë me agjendën reformuese. Nuk dua të tingëllojë pesimist, por ekziston rreziku që çdo skenar tjetër t’i demotivoj qytetarët dhe t’i ngadalësojë proceset pozitive. Maqedonia e Veriut mbetet në këtë rrugë dhe nuk sheh alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE. Edhe diçka, shumë e rëndësishme për, megjithatë dobësitë dhe zhvillimet në vet Union, nuk duhet të jenë alibi dhe nuk e zbeh përgjegjësinë tonë për mënyrën se si zhvillohet integrimi evropiane i vendit tonë. Pritja e metodologjisë së re për bisedimet aderuese është dhënie e datës për fillimin e bisedimeve në pranverë të vitit 2020, nuk duhet të jenë pretekst për shpejtësinë dhe cilësinë e reformave në vend.
Antidot:Janë dy “non- pejper” të reformave për aderimin e Ballkanit Perëndimor- ai francez dhe ai i nëntë vendeve anëtare. Çfarë mendoni, nëse propozimet e të dy dokumenteve nuk përputhen apo nuk kalibrohen mes vete, mund të çojë deri në zvarritja të tjera dhe dëshpërim edhe më të madh, madje edhe apati në rajon?
Pendarovski:Jemi të vetëdijshëm që në Union si komunitet i shteteve sovrane ka qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme dhe është normale të ketë debat të brendshëm. Sinqerisht, shpresoj që ne sa më shpejtë të shohim miratim të metodologjisë për vazhdimin e procesit të zgjerimit, sepse konsiderojmë që kjo do të rezultojë për sjelljen më të shpejtë të vendimit të datës për fillimin e bisedimeve para- aderuese për Maqedoninë e Veriut. Është fakt që ne për momentin mbështetje të fuqishme për integrimin evropiane, më shumë se dy të tretat e popullatës është për anëtarësim në BE dhe kjo mbështetje është afatgjatë, por nëse vazhdon pasiguria, mund të kemi rënie të mbështetjes, që mund të ndikojë edhe në realizimin e agjendës reformuese për në BE. Proceset në BE marrin institucionalizim dhe do të shohim në tremuajorin e parë të vitit 2020 çfarë mesazhe do të arrijnë nga Brukseli, madje më pas mund të kemi përgjigje më konkrete për pyetjen tuaj.
Antidot: Qëndrimi i përbashkët i të gjitha strukturave politike në Maqedoni është se e ardhmja e vetme e shtetit janë BE dhe NATO. Vitin e ardhshëm do të përmbushen 16 vite nga anëtarësimi i Sllovenisë në BE. Gjasat që çdo vend i Ballkanit Perëndimor të aderojë në BE në vitin 2025 janë thuajse minimale. Kjo është ngecje dramatike për një apo dy gjenerata. A duket kjo e padrejtë ndaj shteteve tjera nga ish RFSJ? Çfarë mendoni, a janë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në situatë të njëjtë pas vetos së Francës, pa marrë parasysh që Serbia dhe Mali i Zi zhvillojnë negociata?
Pendarovski: Prej gjashtë vendeve të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia disa vite po zhvillojnë negociata, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, me vite presin të marrin datë për fillimin e negociata ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, aq që përmenden. Kemi kuptim për problemet e brendshme dhe proceset në Union, por vendet- anëtare të Unionit duhet ta kuptojnë që Ballkani Perëndimor nuk duhet të lihet anash sepse ne jemi pjesë e Evropës dhe natyrshëm bëjmë pjesë në BE dhe përpiqemi t’i ndajmë vlerat e familjes evropiane. Zgjerimi u tregua si vegël efikase për transformim, demokratizim dhe prosperitet të vendeve nga fqinjësia jonë dhe i ashtuquajturi “blloku lindor”, kështu që, me integrimin e Ballkanit Perëndimor përmbyllet procesi i zgjerimit, sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë drejtpërdrejtë ndikon në prosperitetin e BE-së, si pjesë e ardhshme e Unionit. Në këtë drejtim, madje do të thosha që një nga elementet e “nonpejperit” respektivisht kthimi i propozuar i procesit, mendoj që është i mirë për të gjitha vendet që bisedojnë për anëtarësi. Sepse përparimi përmes hapjes së kapitullit në këtë rast merr esencë serioze respektivisht cilësi më të mirë të jetës së qytetarëve, kjo nuk është vetëm qëllim administrativ që të arrihet, por se qëllimi mbetet arritja e vlerës e jo e dokumenteve.
Antidot: Maqedonia është pranë anëtarësisë në NATO. Tashmë është paralajmëruar që Armata e Maqedonisë do të blejë armë dhe transportues amerikan. Sa është i madh ky hap që të ndryshojë armatimi dhe logjistika e një armate.
Pendarovski: Kuptohet që bëhet fjalë për hap të madh. Kompletimi i pajisjes dhe armatimi me ushtritë e vendeve- anëtare të NATO-s kontribuon për operativitetitin tonët brendshëm me anëtaret e NATO-s. Unë disa herë kam theksuar dhe do të përsëris që një nga angazhimet e mija kryesore edhe si person, por edhe si Komandant Suprem i Armatës të angazhohem dhe të punoj në drejtim të rritjes së vazhdueshme të buxhetit për mbrojtje. Me këtë, do të përmirësohen standardet, kushtet e punës së pjesëtarëve të Armatës ndërsa do të përmirësohet edhe gatishmëria e Armatës. Armata jonë edhe deri më tani ka marrë dhe merr pjesë në misionet e huaja paqësore në mbarë botën. Lirisht mund të lëvdohemi që Armata jonë edhe tani është e barabartë me forcat e armatosura të vendeve të zhvilluara evropiane apo botërore. Por, e mbaj qëndrimin se çdoherë mundet edhe më mirë. Për vetëm disa muaj, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s, si aleati më i fuqishëm që garanton siguri dhe stabilitet. Në këtë drejtim, ne patjetër duhet si shtet të punojmë me mund dhe të investojmë në mbrojtje 2% nga PBV sipas kriterit të NATO-s për buxhetin e mbrojtjes.
Antidot: Serbia blen armë dhe avion të sofistikuar nga Rusia. A e konsideroni këtë si ndonjë garë rajonale për armatim apo ndonjë kërcënim për siguri rajonale dhe baraspeshë; apo thjesht si kujdes i shtetit për sigurinë e vet?
Pendarovski: Jo, nuk mendoj që bëhet fjalë për ndonjë garë rajonale për armatim apo ndonjë kërcënim të sigurisë rajonale apo baraspeshë, siç thoni ju. Por, unë me të vërtetë nuk dua që në shekullin XXI të flasim për luftëra të reja, për destabilizim të rajonit apo diçka të ngjashme. Për një rajon kaq të vogël, siç është Ballkani, me të vërtetë mjaft ishin luftërat dhe konfliktet. Konsideroj që rruga e vetme dhe e drejtë kah e cila duhet të ecim është rruga e thellimit dhe përforcimi të raporteve mes fqinjëve të ndërtojmë ura të bashkëpunimit. Ja, merreni shembull tonë me kontestin e emrit që më shumë se dy dekada prishi relacionet mes vendit tonë dhe Greqisë fqinje. Askush, madje as unë, nuk shpresonte që ndonjëherë ky problem do të zgjidhet. Por, Qeveria aktuale për vetëm një vit nga formimi, gjeti zgjidhje të zgjuar dhe të guximshme dhe në qershor të vitit 2018 u firmos Marrëveshja e Prespës. Dhe tani, jo vetëm që nuk kemi çështje të hapur apo problem me Greqinë, por fituam edhe një mik të ri. Gjithashtu, këtu është edhe shembulli me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë që e firmosëm me Bullgarinë. Çështjet e hapura çdoherë duhet të zgjidhen me dialog të sinqertë.
Antidot: Kur u hapën rastet e PSP-së në Greqi u arratis kryeshefi i policisë sekrete, Goran Grujevski. Kohëve të fundit në Turqi u arratis edhe ish drejtori i Agjencisë së Kundërzbulimit, Zoran Ivanov. Agjencia është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Presidentit të shtetit dhe ju e gjetët Ivanovin si drejtor. A jeni të shqetësuar se informacione të ndjeshme sekrete mund të zbulohen në ato vende?
Pendarovski:Kuptohet që kam menduar në këtë drejtim. Nuk mundeni për vete të thoni se jeni person apo politikan i përgjegjshëm e të mos shqetësoheni se nga vendi janë arratisur njerëz që kanë qenë në pozita kaq të larta nëpër institucione, ku për çdo ditë qarkullojnë informata të ndjeshme dhe të besueshme. I pari akuzohet që ka marrë pjesë respektivisht ka ndihmuar në procesin e përgjimit ilegal të mijëra qytetarëve tanë, politikanë. Hetimi duhet të tregoj kush e mban përgjegjësinë për këto dy raste, sepse nuk bëhet fjalë për raste të rëndomta. Edhe në fjalimin tim në Kuvend, thash që një fakt qartë tregon se sistemin jonë gjyqësor nuk është rezistues ndaj ndikimeve të jashtëm. Afër tre dekada jemi shtet i pavarur ndërsa asnjë politikan i lartë apo biznesmen nuk ka dhënë llogari për veprimet e tij. Është perceptimi i përgjithshëm tek qytetarët se vetëm të varfrit dhe njerëzit në margjina, pa asnjë lidhje me ndonjë pushtet, përgjigjen për vepra penale apo kundërvajtje.
Antidot: Është e pabesueshme se si mitet nga e kaluara vazhdimisht jetësohen në Ballkan. Raportet maqedonase- bullgare hynë në një vorbull të ri të krizës për shkak të mohimit të gjuhës maqedonase nga Akademia Bullgare. A ka për këtë ndonjë shpjegim racional?
Pendarovski: Për këtë temë shpesh më pyesin edhe gazetarë vendas edhe të huaj, edhe pse nuk dua të komentoj të mos të kuptohet si presion politik. Do ta përsëris atë që e thash në fjalimin vjetor në Kuvend, ne jemi absolutisht të gatshëm t’i ballafaqojmë argumentet për kundërthënie të caktuara historike, lidhur me interpretimin e ndryshëm të një ngjarje apo personi të njëjtë, gjithashtu jemi të gatshëm për përpjekje të përbashkëta drejt deideologjizimit të historisë, por, e drejta të identifikohemi si maqedonas që e flasin gjuhën maqedonase ka qenë dhe do të jetë jashtë çdo debati, sepse këto janë procese të përfunduara historike para shumë kohëve. Me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi me Bullgarinë, hapëm kapitull të ri në raportet tona, por nevojitet ende punë për avancimin e besimit mes dy shoqërive.
Antidot: Në një situatë paradoksale, Greqia me Marrëveshjen e Prespës konfirmon dallueshmërinë e gjuhës maqedonase, ndërsa fqinji tjetër, Bullgaria tenton ta rrënojë. Tani del që kjo dispozitë për gjuhën maqedonase në Marrëveshjen e Prespës është një nga qëllimet e tij më të mëdha. A janë nisur raportet Maqedoni- Greqi në një rrugë të miqësisë së mirë?
Pendarovski: Për fat të keq, kemi humbur më shumë se 25 vite me Republikën e Greqisë, periudhë ku kemi mundur bashkë të arrijmë shumë kur flasim për marrëdhëniet fqinjësore dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Tani, pasi kaloi një vit e gjysmë nga firmosja e Marrëveshjes me Greqinë, me të vërtetë besoj që Maqedonia e Veriut e sheh Greqinë si mik të sinqertë. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës u ripërtërinë vizitat në nivel të lartë, në të dy drejtimet. Greqia është një nga mbështetësit e zëshëm në BE. Së shpejti do të jemi bashkë në NATO ndërsa qielli jonë do të vëzhgohet nga Greqia. Konsideroj që jemi në rrugë të mbarë, sepse çështje dypalëshe po zgjidhen ndërsa bashkëpunimi po përforcohet. Në Shkup, kohëve të fundit e takova ministrin e jashtëm grek Dendias, ku drejtpërdrejtë u përsëritën përpjekjet e kabinetit të ri grek të Kirjakos Micotakis për fillimin e bisedimeve me BE-në. Athina është mik dhe aleati jonë në këtë betejë për marrjen e datës dhe këtu nuk ka dyshim. Shpresoj që së shpejti të realizoj takim me homologun tim grek, presidentin Pavlopulos.
Intervistën e përgatiti: Lupço Popovski