Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Euronjus flet mbi çështje aktuale në lidhje me marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë.
Debati mbi identitetin maqedonas që e bëri Bullgarinë të vendosë veto për qasjen e fqinjit të saj në BE, hyri në vitin e tretë.
Qeveria e re në Bullgari, pas një krize të gjatë politike ku vendi zbatoi 2 zgjedhje të pasuksesshme në mes të protestave që zgjatën me muaj, mund të sinjalizojë një perspektivë të re në debatin i cili, në thelbin e vet, përfshin ngjarje historike prej para disa shekujsh.
Fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin kërkon konsensus të tërësishëm nga të gjitha 27 vendet anëtare, kurse Bullgari po e shfrytëzon fuqinë më të rëndësishme që u është dhënë vendeve anëtare – të vendosë veto në aderimin e kandidatit – duke këmbëngulur në kërkesat e veta për një numër të madh lëshimesh për gjuhën maqedonase dhe personalitetet historike të cilët, në thelb, janë bullgarë.
Megjithatë, Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski po lufton ende të gjejë argumentim pse ngjarje që kanë ndodhur në të kaluarën e largët kanë kaq ndikim jo të njëtrajtshëm mbi fatin e qytetarëve të tij sot.
“Nuk mund t’i shpjegoj votuesit apo qytetarit mesatar maqedonas sa e rëndësishme është të hyjmë në BE – organizatë e themeluar në vitin 1957, në shekullin e 20-të – çfarë përkatësie etnike ka qenë Goce Dellçev apo ndonjë hero tjetër, si mbreti Samuil para dhjetë shekujsh”, deklaroi ai për Euronjus (Euronews).
Goce Dellçevi ka qenë revolucionar i shekullit të 19-të i cili ka luftuar për të drejtat e popullatës sllave që ka jetuar në territorin e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë së sotme.
Ndërkohë që Bullgaria e konsideron si hero, për Maqedoninë e Veriut ai është figura qendrore në luftën e vendit për pavarësi dhe vetëvendosje nacionale.
Përpjekja që të përcaktohet si e ka përkufizuar vetveten gjatë jetës së tij është një ushtrim jofisnik në ekstrapolimin historik.
Dy luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore dhe tranzicionet e monarkive në komunizëm, dhe në fund, në demokraci liberale ndodhën në periudhën pas vdekjes së tij dhe ditëve të sotme, kurse të mos i harrojmë edhe disa valët e migrimit masovik dhe shkëmbimit të popullatës dhe territoreve ku ka vepruar ai.
Atëherë, i kujt është Dellçevi?
Megjithatë, sot, në dukje një festë e parrezikshme e ditëlindjes së tij më 4 shkurt shkaktoi protesta edhe në Shkup edhe në Sofje.
Në kryeqytetin e Bullgrisë, pikërisht anëtarët e VMRO-BNM-së – organizatë nacionaliste e djathë e titulluar sipas emrit të organizatës revolucionare të Dellçevit – u shfaq para Presidencës, duke mbajtur transparent “Maqedonia është bullgare”.
Udhëheqësi i partisë, Krasimir Karakaçanov, premtoi se “do të bien gurë” nëse qeveria bullgare do të bëjë çfarëdo lëshimesh në lidhje me veton e saj për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. VMRO-BNM pohojnë se janë pasardhës politikë të Dellçevit.
Në rrjetet sociale u shfaqën video ku shihet si një grup qytetarësh thërrasin “Në të kaluarën dhe tani, Maqedonia është bullgare” në qendër të Sofjes më vonë në të njëjtën mbrëmje.
Në Shkup, Komitëve, grupit të tifozëve të klubit lokal të futbollit Vardar, së pari u është ndaluar hyrja në kishën “Shën. Spas” – ku është varrosur Dellçevi – nga frika se mos shkaktojnë incident nacionalist.
Grupi më vonë është lejuar të vendosë kurorë pranë varrit të Dellçevit, të shoqëruar nga një numër i madh punonjësish policorë.
Kryeministri i ri bullgar, Kirill Petkov, dhe kolegu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, deri më tani dërguan mesazhe të përziera në përpjekjet e tyre për ta tejkaluar hendekun midis dy vendeve në prag të përvjetorit të Dellçevit
Edhe pse të dy paralajmëruan se po punohet për festim të përbashkët – që shumë veta e kuptuan si shenjë se Petkovi do ta vizitojë përsëri Shkupin – Petkovi, në vend të kësaj vendosi të shkojë në qytetin bullgar Bllagoevgrad, vendlindjen e Dellçevit i shoqëruar nga Presidenti Rumen Radev.
Kovaçevski shkoi në Bruksel.
Revolucionari bullgar Goce Dellçev është pjesë e pandashme e historisë sonë së përbashkët me popullin e Maqedonisë së Veriut, Ai është një nga ato personalitete me të cilët krenohen të dy popujt”, tha Petkovi në deklaratën e shkurtër të shpallur në faqen në Fejsbuk të qeverisë bullgare.
Madje edhe dy ish-kryeministra, Zoran Zaevi i Maqedonisë së Veriut dhe Bojko Borisovi i Bullgarisë, arritën të takon me qëllim që të bëjnë homazhe për Dellçevin, duke vendosur kurora pranë varrit të tij më 4 janar 2017 dhe 2019.
Dush i fundit i ftohtë bilateral për komemoracionin e Dellçevit është në kundërshtim me ngrohjen e tërësishme të marrëdhënieve midis të dyve, që Petkovi e dëshmoi gjatë vizitës së tij në Shkup më 18 janar, vetëm një muaj pasi e mori funksionin dhe dy ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi kabinetin e Kovaçevskit.
Petkovi ra dakord për një format gjashtëmujor negociatash i cili do të përfshinte 5 grupe pune ndërqeveritare – për ekonominë, infrastrukturën, integrimin në BE, historinë dhe kulturën. Plan i cili, me lëshime nga ana maqedonase, do ta çlironte procesin njëherë e përgjithmonë.
Kjo hasi kritika të ashpra nga aktorët vendas në Bullgari, duke përfshirë edhe Presidentin Radev. Radev, ish-gjeneralmajor në armatën bullgare, i cili u bë populist i djathë dhe u kandidua si kandidat i pavarur, ka mosmarrëveshje me Petkovin, centralist liberal i cili e reklamoi diplomën e vet nga Haruardi pothuajse që nga dita e parë e funksionit të tij.
Të dy u zunë publikisht për gjithçka, që nga menaxhimi me pandeminë deri në deficitin e buxhetit.
Kjo është si shtëpi: nuk mund të grindeni me fqinjin tuaj dhe të mendoni se kjo është ide e mirë – Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë
Pasi parashtroi një sërë kërkesash, si për shembull, pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si kusht për heqjen e vetos – Radevi i rekomandoi hapur Petkovit të mos vendosë afate për bisedime ose të mos bëjë lëshime derisa qeveria e Shkupit nuk i përmbush të gjitha kërkesat e Bullgarisë, duke e vlerësuar vizitën e tij të janarit të “të përshpejtuar”.
Petkovi iu përgjigj duke thënë se udhëtimi i tij në Shkup, në të vërtetë ka qenë “shumë e vonuar”.
“Ishte vonë për palën bullgare të ketë një pozitë aktive, të ketë ton konstruktiv të veprimit, të ketë qëllime të qarta dhe qasje të saktë”, deklaroi ai për kanalin bullgar bTV.
“Besoj se nëse nuk duam që Ballkani të mbetet vendi më i varfër, më i korruptuar, më i pakoordinuar në BE, qasja duhet të ndryshojë.”
“Kjo duhet të bazohet në marrëdhëniet e mira fqinjësore, zhvillimin ekonomik, punën e përbashkët”, tha Petkovi, duke shtuar: “Ajo është si shtëpi: nuk mund të grindeni me fqinjin dhe të mendoni se kjo është ide e mirë.”
Pamja për BE-në në goditje
Edhe pse presidenti maqedonas ende beson se Petkovi dhe Kovaçevski mund ta zgjidhin qorrsokakun, si “njerëz të rinj të cilët vijnë jashtë mejnstrimit politik [të cilët] flasin gjuhë të ndryshme”, ai është i shqetësuar se roli i BE-së si zgjidhës i problemeve në kontekst ndoshta është në goditje.
“Mund t’ju them se rënia në Maqedoninë e Veriut është më e madhe se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovski. “Nëse i shikojmë anketat, ka një rënie prej 20 apo 25% pasi e zbatuam referendumin për ndryshim të emrit.”
Maqedonia e Veriu tashmë tejkaloi pengesa të theksuara që ta dëshmojë përkushtimin e vet për aderim në Bashkim.
Pasi u arrit shtetësia e tërësishme në vitin 1991, menjëherë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, arriti vonë te partia për ndërtim të kombit dhe në fillim duhej të ballafaqohej me fqinjin jugor Greqinë, e cila vendosi veto për përdorimin e emrit “Maqedoni” për vendin – duke pohuar se ka rajon me të njëjtin emër.
Zgjidhja e kontekstit për emrin zgjati 11 vjet, edhe pse Maqedonia e Veriut konsiderohej si pararendës kur aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2004.
Në vitin 2018, Republika e Maqedonisë ra dakord të shkojë mandej dhe ta ndryshojë emrin e vet në Maqedonia e Veriut dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, që u lëvdua shumë.
“Pyetja e referendumit ishte: “A dëshironi vendi juaj ta ndryshojë emrin që të hyjë në NATO dhe të fillojë negociata me BE-në?” Kurse shumica enorme e njerëzve, 91% e atyre që votuan atë ditë thanë “po” rikujton Pendarovski.
“Megjithatë nuk pamë asgjë nga BE-ja. Pse? Për shkak të një vendi anëtar – vetëm të një vendi anëtar prej 27-ve thotë se duhet të bisedojmë për historinë. Por hajde.”
Me t’u zgjidhur problemi me Greqinë, u shfaqën çështjet me Bullgarinë. Por, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë qenë gjithmonë në mosmarrëveshje. Në të vërtetë, Bullgaria dhe Turqia ishin vendet e para që e pranuan pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991.
Gjithashtu, Bullgaria e mbante derën të hapur për anëtarësim në NATO për Maqedoninë e Veriut gjatë vetos greke.
Marrëveshja bilaterale për marrëdhënie të mira fqinjësore e vitit 2017, e nënshkruar nga kryeministrat Zaev dhe Borisov, konsiderohej si një moment i rëndësishëm në qëndrimet pozitive që zmadhoheshin vazhdimisht midis të dyve, rikujtoi Pendarovski.
“Dhe pas kësaj, menjëherë – ende nuk e di ku është motivi kryesor i cili qëndron pas kësaj – filluan të flasin për historinë, se historia është parakusht për përparim në Bruksel, dhe, mund t’ju them se të gjithë ne në këtë fund të kësaj humnere politike, apo diskutimi si të dëshironi, u zumë ngushtë dhe të papërgatitur.”
“Madje edhe sot, nuk jam i sigurt me të vërtetë për motivet kryesore të palës së tyre, pse historia ishte kaq e rëndësishme për ta. Kjo nuk i ka ndodhur asnjëherë asnjë kandidati tjetër për anëtarësim në BE”, tha Pendarovski.
Të gjithë duan një pjesë të Maqedonisë së Veriut
Ish-zëvendësministri bullgar i punëve të jashtme, Ljubomir Quçukov, thotë se Marrëveshja për marrëdhënie të mira fqinjësore midis dy vendeve (që e ka punuar ai) është në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës.
“Ato kanë qëllime të ndryshme, detyra të ndryshme” deklaroi Quçukovi për Euronjus. “Grekët u përpoqën të dëshmojnë se shteti i sotshëm maqedonas nuk ka asnjë lidhje me historinë greke. Ne përpiqemi të dëshmojmë se gjithçka është e përbashkët.”
“Për ne, nënshkrimi i marrëveshjes ishte fillimi për gjetjen e zgjidhjes së problemit, sepse ky është proces, e jo çështje akti. Dhe pikërisht për këtë marrëveshja jonë nuk është kaq e njohur në Bullgari”, tha ai.
Sofja e konsideronte marrëveshjen si mundësi që të tërheqë një numër të madh lëshimesh nga Shkupi, duke përfshirë edhe pranimin e pohimeve se gjuha maqedonase dhe grupi etnik e kanë prejardhjen nga bullgarishtja.
Edhe pse Bullgaria e sotme dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë pavarësinë nga Perandoria Osmane në të njëjtën kohë, vendimet e marra në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 parapanë që një pjesë të madhe të territorit maqedonas t’ia kthejnë Osmanlinjve.
Kryengritja e Kresnës dhe Razllogut ose kryengritja maqedonase në të njëjtin vit, që u përpoq ta bashkojë territorin para se të shkatërrohet nga ushtria osmane, është pika kryesore e mosmarrëveshjes midis dy vendeve.
Ndërkohë që Bullgaria atë e sheh si akt të pavarësisë të bullgarëve të tjerë etnikë në Perandori për bashkim me vendin, maqedonasit besojnë se kjo është kryer nga dy popuj të ndryshëm me dy qëllime të ndryshme: ata kanë synuar thjesht pavarësinë, kurse bullgarët janë synuar ta përmbushin qëllimin e tyre për krijimin e Bullgarisë së madhe.
Gjatë periudhës midis luftërave, Maqedonia e sotshme e Veriut ka qenë pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë.
Është quajtur Banovina e Vardarit, njësi administrative ekuivalente me provincë. Në shpirtin e ngjarjeve aktuale, vet emri Maqedoni ka qenë i ndaluar.
Mbretëria e Jugosllavisë iu dorëzuar forcave të Boshtit në vitin 1941, kurse Bullgaria e mori pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut nga nazistët, si edhe pjesë të Serbisë së Jugut dhe Greqisë së Veriut, për të administruar me to.
Fuqitë e boshtit kishin për qëllim t’i shtypin kryengritjet në territoret e pushtuara me përmbushje të dëshirave të parealizuara etnonacionaliste të popujve që i robëruan, dhe në atë mënyrë i nxitën aspiratat nacionaliste bullgare për kontroll të Maqedonisë së sotshme të Veriut.
Pas çlirimit në vitin 1944, Republika Socialiste e Maqedonisë u bë një prej gjashtë republikave të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të udhëhequr nga Josip Broz Titoja.
Për dallim nga Jugosllavia, pas Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria u bë pjesë e bllokut komunist të udhëhequr nga Stalini dhe mbeti aleat lojal i Bashkimit Sovjetik deri sa ra funksionari kryesor Todor Zhvivkov në vitin 1989 dhe deri në zgjedhjet e para shumëpartiake vitin e ardhshëm.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut si pjesë e Jugosllavisë ishin në konflikt që në vitin 1948 kur njëra palë e pranoi formën liberale të socializmit nën Titon, kurse tjetra ishte për komunizëm të përbetuar nën Paktin e Varshavës.
Konteksti i kohës së Jugosllavisë tani përdoret si argument nga pala bullgare, duke pohuar se identiteti maqedonas dhe kodifikimi i gjuhës në vitin 1994 ishin mënyrë që Jugosllavia dhe Titoja ta zvogëlojnë ndikimin kulturor bullgar në vend, ose atë që Quçukov e quan “ideologji maqedonase”.
Ky është shkaku pse me u formua me marrëveshje edhe komision i përbashkët historik me qëllim që të zgjidhet “historia e historisë” – sipas Quçukovit – çështje të cilat kanë të bëjnë me personalitete të rëndësishme historike ose tekste në librat shkollorë që mund të shkaktojnë perceptime negative ose stereotipa për të tjerët.
Po, nevojiteshin nëntë vjet prej përpilimit të marrëveshjes në vitin 2008 vetëm që të ratifikohet.
Fajtore është qeveria maqedonase e të djathtës nacionaliste VMRO-DMNE, pohon Quçukovi.
Në atë kohë në pushtet ishte qeveria nacionaliste e Nikolla Gruevskit, e cila e propozimin në sirtar dhe nuk e informoi asnjëherë publikun se ekziston marrëveshje.”
Dhe, atëherë, qeveria e ardhshme bullgare – e treta e Borisovit – bëri një kthesë të ashpër në qasjen e vet për shkak të VMRO-PMD-së, tha Quçukovi.
“Situata politike ndryshoi gjithashtu edhe në Bullgari. Kishim nacionalistët tanë në qeverinë tonë, VMRO-në e Karakaçanovit”.
“Ky është një detal që flet shumë, sepse në radhët e para të konfrontimeve janë dy parti nacionaliste që mbajnë të njëjtin emër, VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut dhe VMRO-PMD në Bullgari”, tha Quçukovi.
“Të dyja luftojnë për trashëgiminë e organizatës revolucionare me të njëjtin emër, të formuar nga fundi i shek. të 19-të [nga Goce Dellçevi] që t’i çlirojë maqedonasit e atëhershëm nga osmanët.”
“Diversion ideologjik”
Gjatë regjimit komunist, si historian, Karakaçanovi ka qenë informator i Komitetit për sigurinë shtetërore – Polica sekrete bullgare – për “diversion ideologjik”, sipas dosjeve të shpalluara në publik nga Komiteti për zbulim të dokumenteve dhe shpallje të përkatësisë së shtetasve bullgarë në Sigurimin shtetëror dhe i dëshmuar nga Euronjusi.
Ku u pyet për dosjet e shpallura, Karakaçanovi pranoi se ka shkruar analiza “për çështje të caktuara në marrëdhëniet bullgare-jugosllave dhe sidomos për çështjen maqedonase”.
“Punë eksperte, mendimet time personale”, tha ai.
Si ministër i Mbrojtjes i Borisovit, ai shkoi aq larg sa që u kërcënua se do të dërgojë njësi ushtarake në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 që të hiqen të gjitha pllakat që dëshmojnë për pushtimin fashist bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe një pikë konfrontimi midis dy vendeve.
Por, kjo lidhej gjithashtu edhe me nacionalizmin në rritje nëpër të gjithë Evropën gjatë dekadës së fundit, pohon Quçukovi.
“Në Evropën Perëndimore, këtë nacionalizëm në rritje e shohim në nivel të shoqërisë, kryesisht në formë të ksenofobisë. Por, ndërkohë, në Evropën Lindore, ai kryesisht është në nivel shtetëror, si doktrinë nacionale” shpjegoi ai.
“Kurse ka edhe raste të veçanta me shtetet të cilat e fituan shtetësinë e vet të parë moderne në hapësirën postsovjetike dhe postjugosllave… [ku] nacionalizmi u dëshmua si faktor shumë produktiv në ndërtimin e kombeve sepse kjo ishte nevojë objektive për këto shtete”.
“Ato duhej ta afirmonin shtetësinë e vetë të sapofituar, ta konsolidojnë shoqërinë dhe të ndërtojnë institucione të reja shtetërore në bazë të nacionalizmit”, deklaroi ai.
Ndenjat antibullgare që e shisnin të tillët si VMRO-DPMNE-ja nuk i goditën në fillim njerëzit e zakonshëm, konsideron Quçukovi.
VMRO-DPMNE-ja përjetoi një rilindje më të madhe për shkak të vetos, pothuajse duke e hequr imazhin negativ që e la pas vete ish-lideri Nikolla Gruevski, pushteti i të cilit është karakterizuar nga korrupsioni, skandalet dhe sulmet mbi lirinë e mediave.
Gruevski ishte ministër nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur sëra e protestave dhe skandali me përgjimet i zbuluar nga Zaevi çuan në marrëveshje me ndërmjetësim të BE-së midis partive kryesore në vet që rezultoi me dorëheqjen e tij.
Ai iku nga Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2017 në mes të gjykimit për korrupsion. Ndërkohë që ka qenë në azil në Hungari, është dënuar me dy vjet burg për ndikimin joligjor mbi funksionarët qeveritare për prokurim të makinës së blinduar Mercedes Benz prej 600.000 eurosh.
Gruevski mbeti si i ikur në Budapest, ku mori azil politik. Kërkesat e përsëritura për ekstradim të tij janë refuzuar nga pushteti hungarez, kurse shumë veta konsiderojnë se ai është nën mbrojtjen e kryeministrit të vendit, Viktor Orban.
Ndërkohë, në shtëpi, në Maqedoninë e Veriut, është ngritur edhe një rast kundër Gruevskit, me të cilin ngarkohet për pastrim parash.
Pasi Zaevi dha dorëheqje në nëntor të vitit 2021 pas rezultatit dëshpërues në zgjedhjet lokale, VMRO-DPMNE-ja u ndie menjëherë e inkurajuar nga rritja e nacionalizimit vendas si përgjigje ndaj vetos bullgare.
Ata u përpoqën të fillojnë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, duke pritur se kjo do të mjaftojë që të kthehen në pushtet.
Prandaj Kovaçevski – i cili mezi arriti ta marrë mbështetjen e mjaftueshme parlamentare që të bëhet mandatari i ri në dhjetor të vitit 2021 – e pranoi krahëhapur iniciativën gjashtëmujore të Petkovit.
Edhe pse VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj Hristijan Mickoski pohojnë se janë nominalsiht proevropianë, me lojën e tyre të rrezikshme me nacionalizmin dhe mesazhet provokuese kërcënojnë t’i minojnë marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë në rrugën e vendit drejt Evropës.
“Këta dy nacionalizma ushqehen me njëri-tjetrin”, tha Quçukov.
“Ato e vështirësojnë gjetjen e zgjidhjes së përbashkët sepse shikoni se edhe të dy kryeministrat, nëse nuk quhen tradhtarë [në nivel ditor], konsiderohet se i minojnë vazhdimisht interesat nacionale kur bëhet fjalë për këtë dialog.”
Procesi i ndaluar për aderim në BE është në thelbin e çështjes, ku blloku konsiderohet në përgjithësi si ndarë ose i painteresuar kur bëhet fjalë për zgjidhjen e vetos bullgare.
“Gjatë kryesimit të parë bullgar me Këshillin e BE-së [në vitin 2018], ky ishte prioriteti kryesor – aderimi i rajonit në BE. Kështu që kthesën e ashpër të cilën e bëri Bullgaria pas kësaj ishte edhe më e çuditshme, [edhe pse ndodhi] nën të njëjtën qeveri”, tha ai.
“ Është problem që procesi është shtyrë kaq gjatë, kurse Bullgaria u bë një arsye shumë e përshtatshme për të gjithë popujt evropianë që hezitojnë rreth zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.
“Por, ky ishte problem tërësisht i yni. Ky ishte krijimi ynë personal. Pallatin e ndërtuam vetë”, përfundoi Quçukovi.
Nevojitet ndryshim i imazhit të BE-së në Ballkan
“Ky është sekreti i ruajtur më keq, në Bruksel ndihet lodhja në lidhje me integrimin në BE”, u dakordua Pendarovski.
“Por mund t’ju them se ekziston lodhje edhe te ne. Kemi statusin e vendit kandidat për anëtarësim prej 17 vjetësh. Atë status e morëm në dhjetor të vitit 2005, kurse ende flasim për fillim të negociatave, 17 vjet më vonë.
“E dini, neve na ka ardhur në majë të hundës nga të gjitha këto rrëfime se jemi pjesë gjeografike e Evropës Do të dëshironim më në fund të jemi pjesë institucionale e Evropës. Nuk do të heqim dorë. Kjo është e sigurt.”
“Por, mund t’ju them se, nëse ndodh edhe një shtyrje, atëherë, nga qershori mandej, fuqitë proevropiane dhe politikanët proevropianë apo reformatorët nuk do të fitojnë zgjedhje të tjera në këtë vend.”
Kure premtimet e papërmbushura do ta kushtojnë shumë edhe vendin e tij, madje edhe nëse Bullgaria e heq veton e vet, duke parë interesin e zvogëluar të BE-së për pranim të cilit do prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.
“Nëse nesër kemi përsëri zgjedhje presidenciale, çfarë t’i them popullit tim? Është plotësuar vetëm gjysma e asaj agjende”, tha Pendarovski, duke referuar mbi nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Ç’bëhet me gjysmën e dytë?”
“Nëse spekulojmë, atëherë nuk do të hyj as në rrethin e dytë. Do të humbas thellë në rrethin e par pa marrë parasysh profilin e kandidatit të palës tjetër”, shtoi Pendarovski.
“Pse? Për shkak të këtyre premtimeve të pambajtura nga Bashkimi Evropian.”