Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë dhe mbajti fjalim në hapjen e ekspozitës së Shoqatës së artistëve të artit figurativ të Maqedonisë, me rastin e 75-vjetorit të formimit të saj.
Si mbështetës i ekspozitës jubilare “75 vjet SHAAFM”, Presidenti Pendarovski theksoi se çdo vazhdimësi që lë gjurmë në historinë tonë kulturore ka një rëndësi të vyeshme. Avangarda e artit figurativ maqedonas është revolucionare për kohën kur u formua SHAAFM-ja, por, është aktuale për kohët e stome, kurse do të jetë edhe për të gjithë brezat e ardhshëm.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
Të nderuar,
Në kohët kur shpejtësia është më e rëndësishme se vlera, kur vëmendjen tonë e preokupojnë “tuiete” dhe shpallje në Fejsbuk, çdo vazhdimësi që lë gjurmë zhvillimore në historinë e kulturës sonë ka rëndësi të vyeshme. Pikërisht për këtë arsye, Shoqata e artistëve të artit figurativ të Maqedonisë ka rëndësi të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh të gjitha dekadat e tundimeve ku janë formuar, zhvilluar dhe kanë mbijetuar deri në ditët e sotshme. Bëhet fjalë për një nga degët më të rëndësishme të bashkësive artistike dhe kulturore, e cila i reflekton rrjedhat jo vetëm në artin figurativ por, në përgjithësi, në krijimtarinë artistike bashkëkohore maqedonase.
Vetëm me përcaktime të qarta strategjike për ndërtimin e politikave kulturore mund ta zhvillojnë trashëgiminë tonë kulturore në një perspektivë të re konstruktive dhe kreative, që është baza mbi të cilën krijohet edhe kultura aktuale, e gjallë. Ky jubile i SHAAFM-së, duhet të jetë nxitje dhe mësim se si duhet të dokumentohet, kultivohet dhe zhvillohet mandej si strukturë e hapur për paradigma të reja në kulturë, në art, në përgjithësi në shoqëri, çdo investim njerëzor, që ka ndodhur në rrethana specifike të identiteti dhe ekonomike dhe sociokulturore.
Jo vetëm për shkak të frymëzimit momental nga këto vepra impozante, rreth nesh, të artit tonë modern dhe bashkëkohor, ne mund t’i shohim aspektet transhistorike të ekzistencës së krijimit artistik gjatë gjithë ekzistencës së SHAAFM-së. Domethënë, stilet e themeluara nga themeluesit e saj, Liçenovski, Martinoski, Popoviq-Cico, Vlladimirski, Bellogaski e shumë të tjerë, si dhe ato produksionit të sotëm, aktual të artit, janë pikëmbështetje nga e cila del fakti se krijimet tona artistike janë përfaqësues të barabartë të rrymave botërore në art. Avangarda e artit figurativ maqedonas është revolucionare për kohën kur u formua SHAAFM-ja, por është aktuale për brezat e sotshëm, kurse do të jetë edhe për të gjithë brezat e ardhshëm.
Të nderuar,
Më lejoni me këtë rast t’u referohem mendimeve të një prej artistëve më të rëndësishëm vizualë, të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, Jozef Bojes, 100-vjetorin e lindjes së të cilit e festojmë këtë vit dhe i cili ka padyshim ndikim edhe mbi artistët tanë bashkëkohorë. Ai thotë: “Konsideroj se arti është fuqi themelore politike, madje do të thosha, revolucionare dhe evolucionare. E vetmja fuqi që mund ta çlirojë njerëzimin nga represioni. Çdo artist është bashkëthemelues i arkitekturës shoqërore, dhe, nëpërmjet kësaj, merr pjesë dhe mban përgjegjësi në krijimin e proceseve progresive, demokratike në shoqëri. Artistin e dëgjojnë të gjithë, sepse zëri i tij nëpërmjet krijimtarisë, gjuha e tij, arrijnë larg… madje sado që të jenë të pavolitshme kushtet në të cilat krijojnë artistët… ata e kanë fuqinë të jenë zëri i të heshturve dhe zëri i të pazëshmëve…”
Gjatë gjithë historisë së SHAAFM-së shihet se artet vizuale, në të gjitha format dhe shprehjet e tyre të shumta, përgjatë shekullit të 20-të dhe deri më sot, janë të vetmet nga të gjitha degët e arteve që janë në ndryshim dinamik, të ngjashëm me ndryshimet dinamike, të gjithë peizazhit social-kulturor dhe politik. Këto ndryshime janë teknologjike, por edhe estetike. Dhe nëpërmjet tyre, ja edhe këtu, nëpërmjet kësaj retrospektive kushtuar 75-vjetorit të SHFAAM-së, mësojmë se arti nëpërmjet teknikave të ndryshme reagon dhe vë në dukje hollësitë shoqërore, anomalitë kuptohet edhe virtytet. Diskursin që e ofron arti është mjeti kryesor që mund të depërtojë thellë dhe në mënyrë subtile në perspektivat problematike, por edhe në perspektivat progresive sociale. Kurse gjatë kësaj, artistët nuk duhet të braktisin kurrë autonominë e vet.
Gjatë historisë së SHFAAM-së mund të shihet pothuajse në mënyrë transparente infrastruktura shoqërore e zhvillimit tonë kulturor dhe artistik. Historia e vlerës aktuale e SHAAFM-së janë trashëgimi e cila zgjat dhe hap horizonte të reja. Si rrjedhim SHAAFM-ja mbetet një nga bërthamat më të rëndësishme të politikave kulturore, të cilat duhet t’i zhvillojmë me kujdes.
Ju uroj jubileun dhe ju dëshiroj edhe shumë udhëtime krijuese në dekadat që vijnë!
Ju faleminderit!