Takimi i Presidentit Pendarovski me Sharl Mishel, presidentin e Këshillit Evropian

27 Prill 2021 | Takimet

Presidenti Stevo Pendarovski, sot në suazat e vizitës së punës në Bruksel u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

Në këtë takim u bisedua mbi integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, mbi mundësinë e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe mbi sfidat aktuale në rajon, në kontekst të pandemisë së kovid-19.

Presidenti Stevo Pendarovski vlerësoi se është me rëndësi të madhe parandalimi i amullisë në dinamikën e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe rekomandoi se vazhdimi i procesit të zgjerimit është në interes të Bashkimit Evropian, sepse në këtë mënyrë shtetet e Ballkanit Perëndimor mbahen të fokusuara në reformat dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin evropian.

Presidenti Pendarovski pas takimit deklaroi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në plotësimin e qëllimit të vet të jashtëm politik – anëtarësim i plotfuqishëm në BE, si dhe në zbatimin e reformave në vend.

“Kjo është vizita ime e dytë në institucionet më të larta evropiane në dy vitet e fundit. Sot u takova, praktikisht, me të gjithë mbartësit e funksioneve më të larta në Bashkimin Evropian, duke filluar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Komisari për zgjerim, Kryetari i Parlamentit Evropian, Raportuesin e Parlamentit Evropian për vendin tonë. Me të gjithë kishim, praktikisht, një agjendë të vetme, se si pas kësaj pandemie ta riaktivizojmë dialogun i cili duket se ka ngrirë, jo për fajin tonë, jo për fajin e tyre, kuptohet, por për shkak të kësaj pandemie, e cila praktikisht i ka reduktuar obligimet në minimumin e domosdoshëm, Biseduam mbi disa çështje me bashkëfolësit e mi. Çështja e parë ishte se si ballafaqohemi dhe në cilën fazë të imunizimit jemi me vaksinimin kundër kovid-19. Në këtë kuptim shpreha falënderim të veçantë për Fondin solidar evropian, i cili prej javës së ardhshme do të fillojë me dërgimin e sasive të vaksinave Fajzer, të cilat janë dakorduar nëpërmjet ndërmjetësit, Austrisë, si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe këtë do ta bëjë çdo javë dhe çdo muaj në dy tremujorët e ardhshëm. Në situatë kur praktikisht nuk ekziston asnjë shtet evropian, anëtar i Bashkimit Evropian i cili ka vaksinuar tërësisht mbi 10 përqind të popullatës së vet, kjo është me të vërtet shprehje e solidaritetit të vërtetë dhe shenjë e qartë se Bashkimi Evropian e ka parasysh Ballkanin Perëndimor, sepse ky fond është për të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e konsideron Ballkanin Perëndimor si pjesë përbërëse të Evropës, dhe jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe atë politik, ekonomik dhe institucional. Mandej,  biseduam mbi reformat të cilat janë në vijim në vendin tonë, kuptohet këtu kishim një diskutim më të gjatë për atë se çfarë presin ata prej nesh, gjëja kryesore të cilën e presin, është të mbahet dhe sipas mundësisë të përforcohet tempi i reformave. Unë informova mbi ngjarjet më të reja në atë drejtim, për procesimin e disa rasteve të a.q. të larta të korrupsionit, madje edhe të funksionarëve nga struktura politike aktuale, struktura në pushtet, që është përshëndetur, sepse ndodh, praktikisht, për herë të parë në historinë e shtetit tonë, megjithatë ata kërkuan të dyfishohen përpjekjet në luftën kundër rasteve të korrupsionit të lartë dhe është absolutisht e qartë se kjo është vërejtje të cilën na e kanë thënë vite me radhë dhe se nuk kemi edhe shumë kohë që të mund ta plotësojmë dosjen tonë, reformuese dhe proevropiane, në atë kuptim. Kuptohet se pjesën më të madhe e harxhuam në diskutimin e problemit që e kemi me Bullgarinë, domethënë atë problem që Bullgaria e ka me ne. E dini se nuk ekziston konsensus i tërësishëm në organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare për shkak se Bullgaria kundërshton. Problemi qëndron në faktin, të gjithë e kemi lokalizuar atë, se zgjedhjet në Bullgari përfunduan megjithatë nuk ka fitues të qartë dhe sipas informacioneve të fundit ekziston mundësia që bullgarët të kenë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, ndoshta në muajin qershor dhe nëse  është kështu në gjashtëdhjetë ditët e ardhshme do të kenë vetëm të a.q. Qeveri teknike apo zyrtare e cila nuk do të ketë autorizime të mëdha.  Domethënë nuk do të ketë legjitimitet të qartë politik të futet sidomos në këto çështje. Unë thashë se ne jemi të përgatitur, kemi përfaqësues special për këtë çështje, kemi koordinim të tërësishëm midis përfaqësuesve më të lartë qeveritarë dhe Kabinetit tim mbi këtë temë, jemi të gatshëm madje që sot të kthehemi në tryezën e bisedimeve, të bisedojmë për të gjitha çështjet e hapura, kuptohet me ato kufizimi ose të a.q. linja të kuqe të cilat i kemi theksuar dhe për të cilat nuk presim aspak që të jenë përsëri, në tryezën e bisedimeve. Domethënë në këtë moment është e domosdoshme si parakusht të fillojnë ato bisedime, të caktohet përsëri bashkëfolësi nga  pala bullgare dhe kuptohet, kjo nuk varet aspak prej nesh, varet vetëm nga Republika e Bullgarisë – se çfarë do të vendosin të bëjnë dhe kë do ta propozojnë, individ, Qeveri, institucione etj., etj… Në fund mendoj se është e rëndësishme dhe këtë e theksova në takimin, që më 10 maj, Bashkimi Evropian e ka caktuar tani, siç e quajnë ata, sesion strategjik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, më saktë për të ardhmen e marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Për këtë qëllim, komisioni i tyre dhe drejtoria e tyre e veçantë për këtë qëllim ka përgatitur dokument strategjik i cili flet mbi domosdoshmërinë që të përforcohen aktivitetet dhe lidhjet me Ballkanin Perëndimor sepse, për fat të keq, në rajon dy shtete negociojnë, megjithatë ai proces nuk është afër përfundimit të vet, dy shtete presin të fillojnë negociatat dhe kjo është shtyrë disa herë, së pari e prisnim metodologjinë e re, ajo u miratua, më vonë dolën disa probleme të tjera, kurse dy nga gjashtë shtete nuk përmenden aspak si shtete të cilat kanë mundësi të fillojnë së shpejti negociatat për shkaqe të njohura. Bashkimi Evropian dëshiron ta ndryshojë këtë gjë, sipas mundësisë, deri në fund të vitit, mund vetëm t’i përshëndesim përpjekjet e tyre sepse është e qartë se Ballkani Perëndimor prej një kohe të gjatë është në këtë tranzicion drejt Bashkimit Evropian pa hapa të rëndësishëm përpara”, deklaroi Presidenti Pendarovski.

Më parë, në suazat e vizitës në Bruksel, Presidenti Pendarovski u takua me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasoli, me nënkryetarët e Komisionit Evropian dhe me Përfaqësuesin e Lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, Zhozep Borel, me Komisarin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji, me Përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Llajçak, si dhe me eurodeputetin dhe raportuesin për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ilhan Kjuçuk.

Presidenti Pendarovski, nesër më 28 prill, do të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolltenberg.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit