Presidenti Stevo Pendarovski sot në Ohër mori pjesë dhe mbajti fjalim në hapjen e Konferencës së 50-të jubilare shkencore të Seminarit ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase të Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodij”.
Duke theksuar se në këto pesëdhjetë vite shkencëtarë, sllavistë dhe maqedonistë të shquar nga meridianët e ndryshëm të botës së bashku me pjesëmarrësit tanë lanë vepra të cilat do të dëshmojnë mbi pasurinë e gjuhës maqedonase, Presidenti Pendarovski theksoi se shumica e tyre janë adhurues të përkushtuar të gjuhës maqedonase dhe promotorë të letërsisë dhe kulturës maqedonase.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
Të nderuar pjesëmarrës në Konferencën e 50-të ndërkombëtare shkencore të Seminarit ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase,
Të nderuar organizatorë,
Të nderuar të ftuar,
Më lejoni së pari t’ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në qytetin më të bukur maqedonas – Ohrin dhe t’ju falënderoj për interesin tuaj shkencor për gjuhën maqedonase. Mundësia që të mbaj fjalim në edicionin jubilar të pesëdhjetë të Konferencës ndërkombëtare të Seminarit ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase të Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodij”, për mua është një nder i veçantë dhe do të dëshiroja t’jua uroj këtë jubile të rëndësishëm për të gjithë ne.
Seminari ndërkombëtar i gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase, këtë vit ka përvjetorin e vet të 56-të, kurse Konferenca, si pjesë përbërëse e tij, këtë vit kremton dekadën e pestë të ekzistencës së saj. Gjatë këtij gjysmë shekulli, shkencëtarë, sllavistë dhe maqedonistë të shquar nga meridianët e ndryshëm të botës së bashku me pjesëmarrësit tanë lanë vepra të cilat do të dëshmojnë mbi pasurinë e gjuhës maqedonase. Shumica e tyre, juaj, janë adhurues të përkushtuar të gjuhës maqedonase dhe promotorë të letërsisë dhe kulturës maqedonase me vite, për çka ju falënderoj dhe ju dëshiroj edhe mandej të vazhdoni të kontribuoni me përkushtim në këtë drejtim.
Me këtë rast, është e domosdoshme të theksojmë se ky jubile përkon me dy përvjetorë të rëndësishëm, kurse, ata janë: 120-vjetori i botimit të librit “Za makedonckite raboti” (“Për punët maqedonase”) të Misirkovit si një nga veprat më të rëndësishme të historisë sonë gjuhësore, kulturore dhe kombëtare, dhe 100-vjetori i lindjes së Aco Shopovit.
Përndryshe, përvjetorët e përmendur janë edhe temat e konferencës që fillon sot dhe nga sa mund të shihet prej programit, ato nxitin interes te pjesëmarrësit dhe jam veçanërisht i lumtur që si mbështetës i festimit të 100-vjetorit të lindjes së kolosit të poezisë maqedonase Aco Shopov, i cili po festohet me dinjitet falë shtetit dhe sidomos, përpjekjeve të cilat i bën familja e tij nëpërmjet Fondacionit “Aco Shopov – poezi”.
Të dashur miq,
Para pak ditësh përfunduan “Mbrëmjet strugane të poezisë” dhe siç e dini, këtë vit, fitues i çmimit kryesor të këtij manifestimi botëror, prestigjioz “Kurora e Artë” është poeti maqedonas Vllada Urosheviq. Me këtë rast, këto ditë, shumë prej nesh kishim mundësi të bisedojmë për krijimtarinë e tij të frytshme si poet, prozator, përkthyes, eseist, kritikues, por edhe mbi arritjet dhe zhvillimin e letërsisë maqedonase nga shfaqjet e para të gjuhës letrare standarde maqedonase deri më sot. Ato janë miliona e miliona faqe letërsi si vërtetim i një estetike të lartë, por edhe dëshmi mbi vitalitetin e gjuhës sonë maqedonase. Urosheviqi këtë fakt e ka përmbledhur mirë, citoj: “Kaluam një rrugë të gjatë, dhe gjatë kësaj dëshmuam se kemi predispozita të zhvillohemi edhe mandej, se gjuha maqedonase është një gjuhë e cila mund të ballafaqohet me detyrat më të vështira që krijimtaria letrare i vendos para saj, si dhe se në planin e ideve letrare kemi se çfarë t’i tregojmë botës”.
Kurse për mohimet aktuale të gjuhës maqedonase, Vllada Urosheviqi thotë shkurt e qartë “nuk duhet të futemi në polemika mbi gjuhën maqedonase, kjo sipas meje është humbje kohe. Duhet t’i lëmë të flasin çfarë të duan, ne e dimë të vërtetën tonë”, citat i mbyllur.
Përndryshe e gjithë krijimtaria e akademikut Vllada Urosheviqit është shembull i pasurisë së gjuhës maqedonase, i thesarit të saj leksikor. Në të njëjtën kohë, Urosheviqi, i cili vetë është një autor dygjuhësh, gjuha amtare e të cilit nuk është maqedonishtja, dëshmon se si mund të zhvillohet dhe të jetojë një gjuhë në letërsi, në art, në jetë.
Si rrjedhim letërsia maqedonase është padyshim një nga shtyllat kryesore të maqedonistikës dhe kuptohet, gjatë kësaj, ajo nuk është shtylla jonë e vetme. Falë Konferencës ndërkombëtare shkencore dhe Seminarit ndërkombëtar, çdo vit kemi vërtetim mbi specifikat dhe veçantinë e gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase. Numri mbresëlënës i shkencëtarëve dhe veprave, të lëna në trashëgimi nga të gjitha konferencat e deritanishme janë një thesar i vyeshëm për gjuhësinë dhe kulturën tonë, për popullin dhe shtetin tonë në përgjithësi.
Më lejoni, në fund, t’ju uroj qëndrim të këndshëm në Ohër dhe punë të suksesshme në Konferencën e 50-të ndërkombëtare shkencore të Seminarit ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase.
Ju faleminderit.