Fjalimi i Presidentes Siljanovska Davkova në Konferencën “Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna mbi gratë dhe vajzat, me fokus në dhunën kibernetike. Transferimi i rekomandimeve nga Kuvendi i mëparshëm për të riun”

10 Dhjetor 2024 | Fjalimet, Kumtesat

Presidentja Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në Konferencën “Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna mbi gratë dhe vajzat, me fokus në dhunën kibernetike. Transferimi i rekomandimeve nga Kuvendi i mëparshëm për të riun”, që me organizim nga Komisioni për mundësi të barabarta të grave dhe burrave, Lobi maqedonas i grave dhe Klubi i deputeteve, kurse në bashkëpunim me Lobin evropian të grave u mbajt në Kuvend.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

Në suazat e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, do të përpiqem të them atë që nuk kam thënë. Së pari, bëhet fjalë për  krim që i kapërcen kufijtë, kulturat dhe statusin socioekonomik dhe kërkon veprim të bashkuar. E përsëris, është koha përfundimtare të sfidojmë padrejtësinë dhe të tregojmë se siguria dhe dinjiteti i grave dhe vajzave nuk është privilegj, por e drejtë njerëzore dhe meriton respekt.

Nga agjenda shoh se do të ketë prezantime për çështje konkrete: nga praktikat evropiane dhe praktikat e mira te roli i policisë, sistemi gjyqësor, kujdesi ndaj viktimave të dhunës dhe sigurisht një pasqyrë krahasuese e dhunës pas ratifikimit të Konventës së Stambollit. Ju këtë do ta bëni më mirë se unë, por unë thjesht do të theksoj faktin se një në tri gra në mbarë botën ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale dhe se dhuna kibernetike është në rritje të rrezikshme, kurse jo në rënie, që është paralajmërimi më i madh. Por më e rëndësishmja, do ta them hapur, mendoj se problemi nuk është kombëtar, as rajonal, por global. Jemi dëshmitarë të luftërave. Viktimat kryesore të luftërave, ato që janë në prehje, ato që janë në vazhdim apo ato që shpërthejnë, janë gratë dhe vajzat. Ky është një fakt i padiskutueshëm. Të gjitha hulumtimet tregojnë se në kohë konflikti rreziku i dhunës ndaj grave dyfishohet, madje edhe gjatë konflikteve gratë dhe vajzat janë objekte, jo subjekte dhe instrumentalizohen. Kjo vlen edhe për platformat digjitale për të cilat besuam dhe besojmë ende se mund të jenë transformuese në një masë të caktuar, megjithatë ato janë truall pjellor për të nxitur dhunën, për abuzimin, për ngacmimin, për shfrytëzimin.
Pse po e them këtë? Sepse kur një në tri gra ka përjetuar dhunë fizike apo seksuale, nuk është statistikë, nuk është numër, është histori personale, është histori jete, një jetë në rrezik. Prandaj është e rëndësishme të mos tolerojmë, por të bëjmë betejë, jo thjesht një betejë ligjore, por një betejë të vërtetë. Pse e them këtë? Të mos lëmë në asnjë ligj boshllëk ligjor që mund të interpretohet ndryshe. Këtë e pamë edhe me femicid. Me të drejtë jemi mburrur që kemi një vepër të tillë, por e shihni në praktikën gjyqësore që shndërrohet në vepër tjetër. Pra nuk mjafton nxjerrja e një ligji, më e rëndësishmja është që të ketë përgjegjësi nga autorët. Nuk na mjafton vetëm empatia, por kemi nevojë për strehimore, ndihmë juridike, mbështetje psikosociale. Pse? Kështu që, për fat të keq, të mbijetuarit të vazhdojnë të jetojnë, të krijojnë jetën e tyre. Fatkeqësisht, ka ende shumë stereotipa, prandaj është e nevojshme që nga kopshti t’u mësohet fëmijëve respekti i ndërsjellë dhe jo dhuna, filozofia e paqes, zgjidhja e problemeve me fjalë e dialog, me mësim e me vepra, duke nxitur paqen.  Në fund do të them diçka për situatën në parlament. Ne duhet të integrojmë perspektivat gjinore në çdo punë, barazia gjinore nuk është një ideal abstrakt, por një supozim themelor për siguri të qëndrueshme. Në këtë drejtim, mendoj se është e rëndësishme të theksohet se kur bëhet fjalë për funksione ndërkombëtare si ai në NATO, nuk ka logjikë partiake dhe politike, ka mbrojtje të interesave shtetërore, kombëtare dhe rajonale. Rrallëherë ndodh që në postin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s të ketë një grua. Por të mos harrojmë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s nuk janë vetëm dhe vetëm për shkak të aftësive personale. Kjo kërkon lobim dhe mbështetje. Më lejoni të theksoj se nuk ka ndodhur që sekretari i përgjithshëm dhe zëvendësi të jenë nga e njëjta familje apo grup partiak. Duhej të bashkoheshin të gjitha forcat sepse bëhet fjalë për një zgjedhjeje jo vetëm të rëndësishme për NATO-n, por edhe për paqen. Në këtë drejtim pres ndihmë nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në lobimin për themelimin e qendrës rajonale të NATO-s për ekselencën e grave në Maqedoni. Mendoj se e meritojmë dhe mund ta angazhohemi për atë. Të mos çuditemi nga rritja e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Jemi dëshmitarë të dhunës së shtetit kundër shtetit, kombit kundër kombit, domethënë anëtarëve të një bashkësie etnike dhe fetare ndaj bashkësive të tjera etnike dhe fetare. Nuk duhet të pranojmë logjikën e luftës, sepse viktimat më të zakonshme të saj janë gratë dhe vajzat. Ta ngremë zërin kundër. Kjo situatë më dhemb dhe askush nuk është i pafajshëm, sepse disa janë fajtorë duke vepruar, të tjerët duke mos vepruar dhe vëzhguar. Më lejoni t’ju kujtoj, Bashkimi Evropian, domethënë Bashkësia evropiane, u krijua si një projekt paqeje, kurse po ndodh luftë. Kombet e Bashkuara do të festojnë 80 vjetorin vitin e ardhshëm. Dhe ata filluan si një projekt paqeje dhe fituan çmimin Nobel për Paqe, kurse po ndodh luftë. I vetmi vend ku duhet të zgjidhen konfliktet është Nju Jorku dhe Kombet e Bashkuara. E njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin Evropian. Ne duhet të parandalojmë konfliktet, duhet të veprojmë ex ante para se të ndodhë lufta, kurse jo post festum si gjithmonë. Nëse themeluesit e Bashkësisë Evropiane, Konrad Adenauer, Shuman, De Gasperi, ishin paqebërës të betuar, nuk duhet të kishim lejuar të ndodhte një luftë, sepse Ukraina dhe Rusia janë shtete evropiane dhe janë në luftë. Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, ajo që shohim çdo ditë, është diçka që njerëzimi nuk duhet ta lejojë. Të mos çuditemi nga dhuna e zmadhuar, sepse për fat të keq, bota është në luftë, kurse viktimat më të shpeshta dihen paraprakisht. Është mirë që një grua është zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, sepse ky është një mesazh i rëndësishëm. Sa u përket konkluzioneve të parlamentit të kaluar për këtë temë, nuk mendoj se ka shumë të reja për të shtuar. Përfaqësimi i gruas në pozitat më të larta në vetvete e përforcon pozitën e gruas sepse mundëson identifikimin me to. Pastaj ndarja artificiale e seksit më të dobët dhe më të fortë po zhduket. Kjo kontribuon mbi vetëdijen e gruas, për vetëçlirimin e gruas, sepse nëse Gordana Siljanovska-Davkova mund të jetë presidente, pse të mos jemi edhe ne – mendojnë vajzat. E njëjta gjë vlen edhe për statusin e nënkryetarit të Kuvendit, por edhe për kryetarin e ardhshëm të Kuvendit apo Qeverisë. Siguria femërore atëherë është e mundur, kështu që kemi punë të papërfunduara. Më vjen keq që përbërja e mëparshme nuk e ndryshoi Kodin Zgjedhor. E shoh para meje iniciatoren e amendamentit, znj. Savka Todorovska. Sipas meje, duhet ndjekur ritmi i natyrës, krijuesi perfekt i raportit 50:50.

Në kohën e shkurtër të presidencës e zbatoj atë parim. Për herë të parë në histori, ka më shumë gra në Komisionin e Faljes dhe përfaqësim të barabartë në Këshillin Rinor. Për herë të parë romët kanë përfaqësuesin e tyre në Komisionin e Faljes dhe Këshillin Rinor. Gjithashtu, për herë të parë pas 30 vitesh, njeriu i parë dhe i dytë i Agjencisë së Zbulimit janë gra. Imagjinoni, pas 30 vitesh burra në krye të Agjencisë, tani disa burra u diskriminuan për nga gjinia dhe përkatësia politike, ndaj nxituan të nisin procedurat para Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Gjykatën Administrative, madje edhe para Gjykatës Kushtetuese. Është e pabesueshme që për 30 vjet nuk ka pasur asnjë diskriminim ndaj grave, sepse ato as nuk kanë pasur mundësi të mendojnë për një pozicion të tillë, dhe tani papritmas ka diskriminim ndaj burrave. Kjo flet për diçka të rrënjosur thellë, për emancipimin e papërfunduar të njerëzve si qenie njerëzore. Thirrja e parimit të barazisë në zgjedhje kërkon që ne të rivlerësojmë se kush ishte më aktiv dhe më projektues në Kuvend, deputetët apo deputetet. Unë pretendoj se në historinë e Kuvendit më shumë mbahen mend femrat se meshkujt, për përpjekjet e tyre, për punën e tyre dhe për rezultatet e tyre. Diçka vërtet duhet bërë, ju – gratë – jeni në lëvizje.

Kur thashë se dhuna kibernetike është në rritje, disa fjalë pse është kështu.
Jetojmë në një epokë videokracie, spektakël demokracie “çfarë ndodh” është vetëm ajo që kemi parë, lexuar, dëgjuar në rrjete dhe jo ajo që ka ndodhur në realitet. Ka një varësi kronike ndaj videokracisë dhe ndaj spektaklit të demokracisë, e cila është e dukshme jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por vazhdimisht, kurse të varurit më të mëdhenj janë të rinjtë. Edhe video-lojërat më të zakonshme janë lojërat e luftës, kështu që lufta jonormale është “normale”, dhe paqja normale është “anormale”. Politika ushtarake bëhet vazhdimësi e politikës së paqes.

Duhet të ballafaqohemi me rrënjët, kurse jo me pasojat. Edhe në kopshtin e fëmijëve dhe në shkollën fillore, duhet të ndërtojmë një qëndrim kritik midis nxënësve ndaj mbajtësve të fuqisë: ndaj mësuesve dhe mësueseve. Është e rëndësishme të tregosh kur dikush do të lëndojë, do të ofendojë. Duhet të flasim për nevojën e një lamtumire me armët, siç do të thoshte Hemingueji. Duhet të shpërhapim një filozofi paqeje nëse duam të rritemi paqebërës dhe jo luftëtarë.

Pse dhuna kibernetike është e vështirë për t’u zbuluar dhe ndëshkuar? Njerëzit janë Janus me dy fytyra. Kur nuk i identifikon dot dhe në shumicën e rasteve janë të paidentifikuar në rrjete, janë tmerrësisht të “fortë” deri në bizaritet. Kur keni një takim ballë për ballë sikur të mos jenë i njëjti person. Duhet të përballohemi me toksicitetin, ofendimin dhe agresionin ndaj grave dhe vajzave. Në pikëpyetje janë zhgënjime të thella mashkullore. Më vjen keq kur i shohim në Kuvend. Në këtë shtëpi, ju duhet t’u kujtoni kolegëve dispozitat kushtetuese që garantojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit, që do të thotë dinjiteti dhe integriteti i gruas, si fizik ashtu dhe moral. Dëgjimi i deputetëve si merren me nënat dhe motrat në një mënyrë seksiste dhe të çuditshme është e paqëndrueshme. E di që janë të mbrojtur nga imuniteti material dhe mund të thonë çfarë të duan, por janë më të thirrurit për të shpërhapur një filozofi paqësore, sepse nuk mund të debatohet me armë dhe forcë, me fjalë të shëmtuara e fyese, me gjuhë urrejtjeje. Jo. Kjo shfaq zhgënjime të thella, për të mos thënë seksuale, sepse kur thonë nënë, motër etj. mesazhi është se në atë marrëdhënie nuk ka dashuri, por lëndim dhe fyerje. Kur flas për edukimin seksual, fillimisht e perceptoj si nevojë për t’i shpjeguar më të vegjëlve se seksi nuk është gjimnastikë, por pëlqimi i partnerëve, se lidhet me respektin dhe dashurinë, se fëmijët janë rezultat i një loje dashuri. Nëse thuhet: “Nënën tënde dhe motrën tënde…” mesazhi është se qëllimi është t’i ofendosh edhe pse pa to nuk ka jetë.  Më lejoni t’ju informoj se ka parlamente ku për akte dhe fjalë të tilla nuk zbatohet imuniteti material dhe mund të hiqet. Në parlamentin tonë ka një kod etik, por nuk ka komision për etikën, por mund të veprohet në raste të tilla. Është koha që të paraqisni një iniciativë në komisionin kompetent (Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit) kundër kolegëve që inkurajojnë dhunën gjinore. Burrat dhe të rinjtë identifikohen me deputetë që nxisin dhunën ndaj grave, motrave dhe nënave. Të mos çuditemi pse dhuna kibernetike po përhapet në rrjete. Është e rrezikshme që djemtë dhe burrat të frymëzohen nga njerëz që stimulojnë përdorimin e dhunës në parlament.

Faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takimi i Presidentes Siljanovska Davkova me Piter Smolvud, anëtar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë

Takimi i Presidentes Siljanovska Davkova me Piter Smolvud, anëtar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me Piter Smolvud, anëtar i shquar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë....