Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në Konferencën rajonale për shkrim-lexim mediatik BE-Ballkani Perëndimor: ballafaqimi me dezinformacionet

27 Shtator 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në Konferencën rajonale për shkrim-lexim mediatik BE-Ballkani Perëndimor: Ballafaqimi me dezinformacionet, me organizim nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga Instituti Maqedonas për Mediat.

Në fjalim, Presidenti Pendarovski rekomandoi se duhet të punohet vazhdimisht në ngritjen e nivelit të shkrim-leximit mediatik te publiku, që qytetarët të mund t’i dallojnë më lehtë të vërtetën dhe faktet nga manipulimet. Në këtë mënyrë, siç theksoi Presidenti Pendarovski, do të ndihmojmë në zhvillimin e imunitetit institucional dhe personal ndaj virusit të rrezikshëm të propagandave dhe dezinformacioneve.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar përfaqësues të sektorit qytetar,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar shkëlqesi dhe të ftuar,

Ju faleminderit për ftesën që të mbaj fjalim në këtë konferencë kushtuar shkrim-leximit mediatik, temë e cila nga dita në ditë është gjithnjë dhe më e pranishme në debatet publike dhe temë e cila është jashtëzakonisht relevante për qytetarët, por edhe për proceset demokratike në tërësi.

Është simbolike që kjo konferencë mbahet në datën e cila konsiderohet si ditëlindja zyrtare e Gugëllit – kërkuesi më i përdorur në internet. Prej kohësh jetojmë në epokën digjitale, ku mediat sociale përdoren në mënyrë masive për komunikim me publikë të ndryshëm, kurse interneti i bë mjeti themelor edhe për të mësuar, edhe për t’u argëtuar dhe për të punuar. Digjitalizimi mundëson qasje më të madhe tek informacionet, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe në kohë reale. Me një klikim i marrim lajmet dhe informacionet më të reja mbi çdo temë, nga çdo vend i botës. Rrjetet sociale dhe portalet në internet, ngadalë, por me siguri po bëhen burimi kryesor i informacioneve për qytetarët dhe korporatat.

Megjithatë, mundësia për informim të shpejt mbart në vetvete edhe rrezik potencial të madh. Si konsumues të një numri enorm informacionesh që arrijnë shpejt, shpesh nuk kemi as kohë as mundësi që të vlerësojmë a është përmbajtja që po lexojmë e kontrolluar dhe e saktë. Ose, shpesh ndodh, që të jetë dezinformacion i cili me vetëdije apo pavetëdije e informon gabim publikun dhe e dëmton interesin publik.

Përvoja dhe hulumtimet e deritanishme mbi këtë temë dëshmojnë se dezinformacionet në shumicën e rasteve nuk janë spontane. Ato, d.m.th. janë produkt i qasjes së planifikuar për një temë të caktuar. Qëllimi është që të manipulohet sistematikisht publiku me lëshimin e informacioneve të gabuara, kurse, me qëllim përfundimtar, t’u shërbejë interesave të qendrave të caktuara politike apo biznese të fuqisë. Në këtë mënyrë, interneti, si mjet të cilin e përdorin përditë miliarda njerëz, mund të shndërrohet shumë lehtë nga platformë për informim në platformë për dezinformim.

Të nderuar,

Fushatat për dezinformim e polarizojnë debatin publik, ndikojnë negativisht mbi proceset politike, e rrënojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe e gërryejnë kohezionin shoqëror. Për shkak të potencialit të tyre që t’i minuar vlerat demokratike, dezinformacionet mund ta destabilizojnë edhe vetë shtetin. Pikërisht për këtë arsye, shumë shteti në botë i njohin dhe i trajtojnë dezinformacionet si një nga kërcënimet kryesore për sigurinë e tyre nacionale. Në një raport strategjik të para pak kohëve mbi kapacitetin personal në këtë fushë edhe Bashkimi Evropian ka konstatuar se fushatat për dezinformim janë një nga format kryesore të presionit mbi modelet demokratike të sundimit.

Pandemia e kovid-19 na dëshmoi konkretisht se çfarë dëmi mund të shkaktojnë dezinformacionet. Jo vetëm te ne por edhe në tërë botën, e ashtuquajtura infodemi e zvogëlon efektivitetin e politikave dhe masave për ballafaqim me pandeminë, e zmadhon dyshimin te njerëzit se a të vaksinohen dhe në fund e ashpërson debatin mbi këtë çështje, Me minimin e besimit në shkencën dhe profesionin mjekësor edhe në përgjithësi, në sistemet dhe institucionet shëndetësore, infodemia u bë kërcënim për shëndetin publik dhe për jetën e njerëzve.

Të nderuar,

Para nesh është një detyrë e ndërlikuar, nëpërmjet qasjes holistike të ndërtojmë rezistencë sistematike, mediatike, por, para së gjithash, personale ndaj dezinformacioneve. Këtë mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të afërt të institucioneve shtetërore, partive politike, bashkësisë së biznesit, sektorit qytetar dhe mediave.

Procesi i edukimi mbi shkrim-leximin mediatik dhe mbi dezinformacionet në shkollat tona tetëvjeçare dhe të mesme, do të mundësojë të krijojmë gjenerata nxënësish të cilët do të mund t’i dallojnë më lehtë dezinformacionet dhe të formulojnë qëndrimet e veta në bazë të informacioneve të kontrolluara dhe relevante.

Nevojitet që të sigurojmë kushte më të mira për punë profesionale dhe të pavarur në media dhe ballafaqim me dezinformacionet. Kjo nënkupton edhe zbatim konsistent të rregullativës ekzistuese dhe përmirësim të saj në linjë me standardet evropiane në këtë sferë. Gjithashtu, nevojitet t’i mbështesim mekanizmat vetërregullues në sferën mediatike, si dhe platformat për kontrollim të fakteve.

Duhet të punohet në mënyrë konstante në ngritjen e nivelit të shkrim-leximit mediatik te publiku, që qytetarët të mund t’i dallojnë më lehtë të vërtetën dhe faktet nga manipulimet. Në këtë mënyrë do të ndihmojmë në zhvillimin e imunitetit institucional dhe personal ndaj virusit të rrezikshëm të propagandave dhe dezinformacioneve.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta jonë kundër dezinformacioneve duhet të jetë paralele me luftën për liri të vërteta mediatike dhe liri të vërtetë të fjalës si e drejtë fondamentale e njeriut dhe arritje e lartë qytetare. Duke luftuar kundër gënjeshtrës, duhet të luftojmë për të vërtetën e cila është parakusht për progres të çdo shoqërie të lirë dhe të drejtë.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....