Fjalimi i Presidentit Pendarovski në konferencën e 15-të të shefave të shtabeve të përgjithshme të armatave të vendeve ballkanike

16 Qershor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën e 15-të të shefave të shtabeve të përgjithshme të armatave të vendeve ballkanike, që sot mbahet në Ohër.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar shefa të shtabeve të përgjithshme,
Gjeneral Gjurçinovski,
shkëlqesi dhe të ftuar të respektuar,

Kam nderin të mbaj fjalim para jush në këtë konferencë të rëndësishme vjetore ku ju, shefat e shtabeve të përgjithshme të armatave ballkanike do të keni mundësi të diskutoni për bashkëpunimin tuaj të deritanishëm dhe të ardhshëm, si edhe mbi sfidat bashkëkohore dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohemi ne të gjithë si rajon i cili është pjesë e sferës më të gjerë euroatlantike.

Para 11 vjetësh, në qershor 2011, gjithashtu këtu në Ohër, ishim nikoqirë të konferencës së shefave të shtabeve të përgjithshme ballkanike. Prej atëherë dhe deri më sot, kanë ndryshuar shumë gjëra, vendi im i cili ishte aspirant shumëvjeçar për anëtarësim në NATO, pas 21 vitesh arriti ta realizojë vizionin e vet dhjetëvjeçar dhe u bë anëtar i plotfuqishëm, me të cilin u vendos një shtyllë stabile sigurie në rajon. Rajon i cili e përforcon sigurinë kontinentale dhe që është edhe më e rëndësishmja – kontribuon për paqen dhe stabilitetin në të gjithë zonën euroatlantike të përgjegjësisë.
Si vend i cili e ka këtë përvojë, besoj fort se anëtarësimi në NATO është faktori më i madh stabilizues në rajon dhe për këtë arsye i mbështes aspirimet e vendeve të tjera të Rajonit Ballkanik që duan të bëhen anëtare të NATO-s. Kurse zgjerimi i NATO-s në vetvete nuk mund të jetë kërcënim sigurie.

Që të arrijmë anëtarësimin në këtë organizatë, ishim të gatshëm të bëjmë kompromise serioze. Këtu mendoj për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë i cili ishte një dokument dinjitoz dhe i balancuar që ofron dalje racionale nga një problem bilateral. Vetëm me respektim të dyanshëm të të dy palëve dhe me nivel përkatës të përgjegjësisë historike për të ardhmen e shteteve dhe të ardhmen e rajonit dhe të Evropës mund të arrihen marrëveshje të tilla me proporcione strategjike.

Të nderuar,

Përforcimi i bashkëpunimit dhe stabilitetit ballkanik, nuk do të kishte tempin dhe cilësinë e nevojshme pa një proces tjetër, shumë të rëndësishëm kontinental integrues, kurse këto janë perspektivat evropiane të vendeve ballkanike. Përkushtimin tonë politik për një angazhim të tillë e kemi dëshmuar dhe konfirmuar prej kohësh, megjithatë, nevojitet që Bashkimi Evropian të ketë qëndrim identik me tonin. Këtu, nuk e kam fjalën për retorikë politike, por për aktivitete konkrete që do ta bëjnë këtë qëllim të jetë realitet. Ballkani thjesht nuk duhet të lihet në margjinat e Evropës sepse lihet hapësirë për depërtimin e aktorëve të tretë që nuk ofrojnë vlera demokratike.

Shembulli më i fuqishëm për këtë që flas është agresioni brutal në Ukrainë nga Federata Ruse, e cila, nëse i realizon qëllimet e veta aty, me siguri do të përpiqet të zgjerohet edhe në vende të tjera, me mjete ushtarake dhe joushtarake, kurse një nga rajonet i cili do të jetë shënjestër në një rast të tilli për Moskën do të jetë Ballkani Perëndimor.

Të nderuar gjeneralë,

Ju e dini vetë më mirë, se agresioni rus mbi Ukrainën e rrezikon drejtpërdrejt dhe jodrejtpërdrejt edhe vetë Evropën. Invazioni rus shkaktoi edhe një krizë energjetike, inflacion të lartë, krizë ushqimore dhe ngadalësim të rimëkëmbjes pas pandemisë të ekonomive nacionale. Jam i bindur se Ballkani në Bashkimin Evropian do ta bëjë Evropën më stabile dhe më të sigurt, kurse NATO-ja dhe BE-ja janë dy garantuesit për një të ardhme të sigurt dhe me prosperitet të kontinentit.

Të pranishëm të respektuar,

Bashkëpunim dhe integrimet janë jashtëzakonisht të rëndësishme, kurse, këtë e dimë më së miri ne në Ballkan. Së shpejti do të udhëheq delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në samitin e NATO-s në Madrid ku do të japim mbështetje të integrimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, sepse besoj se kështu do ta përforcojë sigurinë dhe stabilitetin e NATO-s, të Evropës, të Ballkani, kurse në ato korniza edhe të vendit tim.

Lufta në Ukrainë edhe njëherë e vërtetoi rëndësinë kritike edhe të marrëdhënieve transatlantike edhe se sa e rëndësishme është ruajtja dhe përforcimi i kësaj marrëdhënieje. Historia na mëson se sa herë që të dy anët e Atlantikut janë marrë vesh mirë mirë dhe kanë pasur një performancë të sinkronizuar, atëherë edhe Evropa edhe Ballkani kanë qenë më stabile.

Lufta në Ukrainë dëshmoi se në shekullin 21 nuk ka luftëra lokale, por se të gjitha konfliktet ushtarake janë globale dhe pasojat e tyre i vuajnë miliarda njerëz. Prandaj i mbështesim partneritetet e NATO-s me vende të tjera joevropiane që ndajnë të njëjtat vlera me ne.

Agresioni mbi Ukrainën, të cilin ju si ushtarë e kuptoni më së miri, besoj se do të na kthjellojë të gjithëve ve, do të na bëjë më të vetëdijshëm për sfidat e komplikuara gjeopolitike me të cilat po ballafaqohemi dhe për përgjigjen e përbashkët që duhet t’ia japim këtij konflikti më të madh deri më sot, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Të respektuar,

Nuk duhet të lejojmë që problemet irracionale të jenë pengesë për integrimin e rajonit. Bëj thirrje që të jemi të vetëdijshëm se do të duhet t’u përgjigjemi brezave që vijnë dhe do të na pyesin se çfarë kemi bërë për të ardhmen e tyre më të mirë. Politika e dyerve të hapura të NATO-s duhet të zbatohet edhe në Bashkimin Evropian. Në këtë kuptim nëse mbetemi të pavendosur, ne vetëm po i hapim derën gjerësisht përforcimit të opsioneve autoritare në shtëpi, të shoqëruara me aktivitete hibride dhe fushata dezinformuese nga jashtë, por ato opsione janë antievropiane dhe antiperëndimore.
Shpresoj sinqerisht se pas 9 vitesh do të vijë radhë përsëri të takohen shefat ballkanikë te ne, ndoshta përsëri në Ohër, dhe kur t’u flasë ndonjë president tjetër, nuk do të flasë më për integrime evropiane të Ballkanit, por për gjëra të tjera më të bukura.

Ju përshëndes dhe ju dëshiroj punë të suksesshme në dy ditët në vijim në Ohrin tonë.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...