Pendarovski: Duhet të krijojmë strategji për skenarë të ndryshëm të cilët na presin në vitet para nesh

20 Prill 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në trajnimin e parë nga trajnimet onlajn me temë “Parashikimi dhe reflektimi për të ardhmen gjatë krijimit të politikave” në suazat e projektit “Politika e migrimit dhe dialogu shoqëror i bazuar në dëshmi në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Kjo sërë trajnimesh është iniciativë e promovuar nga Komisariati i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (UNCHR), Organizata ndërkombëtare për migrimin (IOM) dhe Fondi për Popullatën i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), në bashkëpunim me Trupin ndërinstitucional për zhvillim dhe zbatim të Politikës së migrimit për 2021-2025, me koordinim nga Zyra e Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së në Maqedoninë e Veriut.

Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski theksoi se migrimi historikisht ka luajtur një rol vendimtar në aspektin politik, demografik dhe ekonomik të jetesës në shtetin tonë. Përveç migrimit tradicional ekonomik dhe largimit të një numri të madh të qytetarëve maqedonas, tha Presidenti Pendarovski, vitet e fundit jemi dëshmitarë të proceseve intensive migruese si rezultat i krizave ushtarake dhe të sigurisë.

Presidenti Pendarovski vuri në dukje konfliktin ushtarak në Siri në vitet 2015/2016, kur shteti ynë ishte rrugë tranzitimi për miliona refugjatë, gjë që, sipas tij, e imponoi seriozisht dilemën e kapaciteteve tona për t’u përballuar me valët migruese.

“Përvojat e fituara atëherë e imponuan nevojën për zgjidhje të reja ligjore, ristrukturime dhe përgatitje sistematike të institucioneve për ballafaqim me sfidat e ardhshme. Megjithatë, mësimi më i rëndësishëm të cilin shpresoj se e mësuam të gjithë ne është se nuk duhet të presim që të vijnë kriza, por të jemi gjithmonë mobilë dhe të përgatitur për t’u ballafaquar me ta dhe të punohet në krijimin e politikave të cilat do t’u pararendin ngjarjeve, jo vetëm në aspektin e politikave migruese, por edhe në segmentet e tjera të cilat lidhen me to”, tha Presidentit Pendarovski.
Presidenti Pendarovski e paralajmëroi gjithashtu publikimin e shpejtë të dokumentit strategjik MKD2030, i cili thekson disa tema dhe fusha të ndërvarura, nga digjitalizimi, decentralizimi dhe demokratizimi, nëpërmjet politikave mjedisore, ekonomike, agrare dhe shëndetësore, deri te politikat e arsimit, shkencës dhe migracionit, duke përfshirë edhe luftën kundër eksodit masiv të të rinjve dhe shpopullimit, dhe shprehu pritshmërinë e tij që dokumenti të shndërrohet në një strategji kombëtare të zhvillimit për periudhën deri në vitin 2041, kurse komponentët e tij do të zbatohen nëpër faza në mënyrën përkatëse.

Sipas Presidentit Pendarovski jetojmë në një kohë dhe në një botë ku gjërat ndryshojnë shpejt dhe ku faktorët e sigurisë, të politikës, por edhe një sërë faktorësh të tjerë siç janë cilësia e jetës, mjedisi i shëndetshëm, ndryshimet klimatike ndikojnë mbi proceset e migrimit.

“E dimë se nuk është aspak e lehtë të parashikohen ngjarjet e ardhme, por, duhet të krijojmë strategji për skenarë të ndryshëm të cilët na presin në vitet para nesh”, tha Presidenti Pendarovski.

Ai theksoi se bashkëpunimi dhe qasja e përbashkët për zgjidhjen e problemeve globale janë të domosdoshme nëse dëshirojmë të arrijmë rezultate dhe që politikat të jetësohen në praktikë.

“Sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë dëshmoi se sa e brishtë është paqja në kontinentin tonë dhe sa pak nevojitet që të shpërthejë një krizë e re sigurie, humanitare dhe migrimi. Duke pasur parasysh faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut është gjeografikisht pjesë e një zone me disa çështje të hapura gjeopolitike, ku ende ka potencial për konflikt, nuk mund të mos e nënvizoj rëndësinë e anëtarësimit tonë në aleancën e NATO-s që na jep garanci adekuate të sigurisë. Ky është konfirmimi më i mirë i korrektësisë së kursit euroatlantik, për të cilin kemi marrë vendime të vështira, por vizionare. Në të njëjtin drejtim, procesi i integrimit evropian po merr një rëndësi më të madhe jo vetëm për vendin tonën, por edhe për të gjitha vendet e rajonit dhe për këtë është imperativ edhe për ne edhe për Evropën ai të fillojë të lëvizë përpara dhe përfundimisht ta përfundojmë”, tha Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....