Presidenti Stevo Pendarovski sot e mirëpriti ministren italiane të Punëve të Brendshme, Luçana Lamorxheze, e cila është në vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e pjesëmarrjes në takimin e 22-të të Komitetit të Ministrave të Konventës për Bashkëpunim Policor në Evropën Juglindore.
Në këtë takim u shpreh kënaqësia nga marrëdhëniet e mira tradicionale dhe miqësore bilaterale, me dialog aktiv politik në nivel të lartë dhe më të lartë.
Presidenti Pendarovski e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm midis dy ministrive të punëve të brendshme dhe shprehu pritjen për intensifikimin e tij të mëtejmë nëpërmjet trajnimeve, kurseve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave, sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në fushën e luftës kundër emigracionit ilegal.
Në kontekst të aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Presidenti Pendarovski shprehu falënderim për mbështetjen e fuqishme, të zëshme dhe të vazhdueshme nga Italia për procesin eurointegrues dhe shfaqi shpresë se përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të njihen në mënyrë adekuate me hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim.
Presidenti Pendarovski shprehu falënderim për donacionin e paralajmëruar nga Italia me 256.000 doza të vaksinës Fajzer/BioNTek nëpërmjet mekanizmit KOVAKS gjatë dhjetorit.