Ligjërata e Presidentit Pendarovski në Universitetin Shtetëror në Tetovë

14 Shkurt 2024 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot e vizitoi Universitetin Shtetëror në Tetovë dhe mbajti ligjëratë para studentëve dhe kuadrit mësimdhënës.

Duke folur për shtetin maqedonas i cili nga formimi dhe deri më sot është shumetnik, shumëkulturor dhe shumëfetar, Presidenti Pendarovski tha se për vendin janë shumë të rëndësishme dy aspekte ku mbështetet shteti, përkatësisht marrëdhëniet ndëretnike duhet të jenë stabile dhe të ekzistojë bashkëjetesë produktive shumetnike. Në të kundërt shtoi Presidenti Pendarovski, nëse ka majorizim të disave mbi të tjerët, do të ketë tensione dhe probleme. Aspekti i dytë është se Maqedonia duhet të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike.

“Shkojmë drejt Perëndimit sepse në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë gjenden shoqëritë më të pasura, demokracitë më të mira, universitetet më të mira, sistemet më të mira shëndetësore, sistemet më të pavarura gjyqësore dhe mediat më të lira. Nuk ekziston asnjë shembull në historinë e njerëzimit, por sidomos në shekullin 20 dhe 21, që një shtet të jetë ekonomikisht me prosperitet, kurse të mos ketë demokraci”, theksoi Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski argumentoi se vetëm nëpërmjet kompromisit mund të ruajmë marrëdhënie stabile ndëretnike dhe të integrohemi tërësisht në institucionet kryesore të Perëndimit. Në këtë drejtim, Presidenti Pendarovski iu referua disa dokumenteve që janë rezultat i kompromisit, kurse të cilat ishin kyçe për stabilizimin dhe zhvillimin e shtetit. Kompromisi i parë, theksoi ai, është Marrëveshja Kornizë e Ohrit, kurse i dyti, Marrëveshja e Prespës e cila i mundësoi shtetit të hyjë në NATO dhe duhej të na siguronte edhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, hyrja në BE, theksoi Presidenti Pendarovski, është penguar për shkak të kërkesave të palogjikshme të Bullgarisë fqinje.

“Nacionalistëve maqedonas nuk mund t’u shpjegosh se nëse gjashtë apo shtatë popuj të cilët tashmë janë në Kushtetutë nuk e kanë shkatërruar shtetin, 12 nuk do ta shkatërrojnë, gjithashtu, shtetin. Megjithatë kjo është punë për të cilën unë do të angazhohem. Pse është shumë e rëndësishme të hyjmë në BE? Në Bashkimin Evropian duhet të jemi, para së gjithash, që të mësojmë se si ta organizojmë shtetin dhe shoqërinë dhe për disa vjet të jetë në të njëjtën nivel të demokracive të sotshme të zhvilluara. Që të arrijmë aty duhet ta bëjmë edhe këtë kompromis”, tha Presidenti Pendarovski.

Në ligjëratën e vet para studentëve Presidenti Pendarovski iu referua edhe problemit më të madh në vend, sipas tij, përkatësisht gjuhës së nacionalizmit, për të cilën tha se i rrezikon themelet e shtetit.

“Me nacionalizëm nuk kemi demokraci të mirë, me nacionalizëm sigurisht nuk ke marrëdhënie të mira ndëretnike dhe me nacionalizëm nuk mund të bësh asnjë kompromis të cilin duhet ta bëjmë që të jemi pjesë e botës së zhvilluar demokratike. Në Maqedoni mbetëm pak njerëz dhe nëse nuk respektohemi ndërmjet nesh me të gjitha specifikat e veta etnike, gjuhësore dhe të tjera, nuk do të ketë lumturi për asnjërin prej nesh”, përfundoi Presidenti Pendarovski.

Interesi i studentëve u fokusua kryesisht në arsyet për shkak të të cilave moshatarët e tyre po shpërngulen në mënyrë masive nga shteti, kurse nga Presidenti kërkuan edhe mendim si të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, të përbashkët. Në këtë drejtim Presidenti u bëri thirrje të rinjve të jenë aktivë dhe të zëshëm, të organizohen dhe të protestojnë për çdo gabim të politikanëve. I pyetur mbi shkallën e lartë të korrupsionit në shtet, Presidenti Pendarovski theksoi se korrupsioni nuk mund të çrrënjoset apo të paktën të jetë në minimum, nëse nuk ka sanksione dhe dënime.

Në Universitetin Shtetëror në Tetovë, Presidenti Pendarovski u takua, gjithashtu, edhe me rektorin Jusuf Zejnelin dhe kryetarin e Senatit, Vullnet Ametin ku u informua mbi funksionimin, aktivitetet aktuale, sukseset e deritanishme dhe planet e ardhshme të këtij institucioni arsimor. Njëkohësisht, në suazat e Universitetit, Presidenti Pendarovski e vizitoi edhe Laboratorin për ekzaminimin dhe kontrollin e materialeve ndërtimore. Me profesorët dhe me studentët, Presidenti bisedoi mbi aktivitetet e tyre në drejtim të kryerjes së kontrollit të cilësisë së materialeve ndërtimore.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....