Presidenti Stevo Pendarovski, në suazat e vizitës së punës në Mbretërinë e Suedisë, sot në Malme u takua me Kryeministrin e Mbretërisë së Suedisë, Stefan Lofven, i cili ishte edhe nikoqir i Forumit ndërkombëtar “REMEMBER – REACT” (“Kujto – Reago!”).
Të dy bashkëfolësit në këtë takim biseduan mbi kontekstin aktual në lidhje me fillimin e pritur të negociatave për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Duke shprehur falënderim për mbështetjen konsistente dhe të qëndrueshme të Suedisë për integrimin tonë evropian, Presidenti Pendarovski e theksoi përkushtimin e shtetit ndaj procesit reformues, sidomos në sferën e sundimit të të drejtës dhe e përsëriti qëndrimin se shtyrja e mëtejshme e zgjerimit do të ketë pasoja afatgjata negative mbi zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit. Në këtë drejtim, Presidenti Pendarovski shprehu pritjen për vazhdim të mbështetjes suedeze për rrugën tonë eurintegruese.
Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson shumë mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve maqedonase, sidomos në fushën e demokracisë, sundimit të të drejtës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Njëkohësisht, Presidenti Pendarovski shprehu falënderim edhe për mbështetjen që shteti ynë e merr nëpërmjet programeve të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (SIDA) në shumë fusha.
Në këtë takim Presidenti Pendarovski dhe Kryeministri Lofven diskutuan edhe mbi marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është vlerësuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Mbretëria e Suedisë janë të përkushtuara për dinamizimin e mëtejshëm të dialogut politik.