Presidenti Stevo Pendarovski e priti Makedon Dimitrievskin, nxënësin e klasës së dytë në SHN “Liria” nga Tetova, i cili ka inteligjencë mbi mesataren.
Në bisedë me Makedonin, Presidenti u njoh me afinitetet, interesat, sukseset e deritanishme, shkathtësitë dhe njohuritë të cilat i posedon nxënësi shtatëvjeçar, si dhe me dëshirat dhe sfidat e tij në të ardhmen.
Ai theksoi se ka nderin e veçantë që ka mundësi të njihet me gjeniun e vogël, me të cilin krenohet shteti ynë dhe ta inkurajoi dhe ta mbështetë zhvillimin e tij të përgjithshëm të ardhshëm.
“Këta nxënës janë me interes të veçantë për shoqërinë tonë dhe meritojnë përkushtim maksimal nga shteti”, tha Presidenti në këtë takim, duke shtuar se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mjedis stimulues i cili do ta mbështesë, nxitë dhe drejtojë zhvillimin e fëmijëve me inteligjencë mbi mesatare. “Nxënësit e talentuar kanë nevoja arsimore komplekse, që përbën sfidë për sistemin arsimor dhe e imponon nevojën për programe të individualizuara të përshtatura me nxënësit e talentuar”, tha Presidenti Pendarovski.
Presidenti e uroi Makedonin për medaljen e artë të fituar në konkursin “Matematika pa kufij”, në konkurrencë me 4000 nxënës nga 22 vende të botës, si dhe i uroi edhe shumë sukses në të ardhmen.
Makedoni ka koeficient të inteligjencës 134, flet shumë gjuhë të huaja midis të cilave, arabishten dhe kinezishten, e ka përvetësuar në mënyrë të përkryer astronominë, kurse në fokusin e interesit të tij të përhershëm është matematika ku posedon njohuri të përshtatshme për arsimin e mesëm.