Presidenti Stevo Pendarovski, sot ua dha Mirënjohjen për cilësi maqedonase për vitin 2021 dhjetë kompanive, institucioneve dhe organizatave të cilat japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë nacionale dhe promovimin e saj në nivel ndërkombëtar.
Manifestimi tradicional është në organizim të Lidhjes së odave ekonomike të Maqedonisë, kurse me mbështetje të Presidentit Pendarovski.
Në përputhje me kriteret e vendosura saktësisht, fitues të mirënjohjeve të sivjetshme janë: Bonives Kompani, IPSH Apteka Violla, Agens Kamini, Kasa Italia, KMG EOL Kvazar, Kantina e Verës Venec, Kompjunet inzhenering, Hotel Tims, Eko Logistik Servis dhe Qendra Republikane për Mbështetje të Personave me Aftësi të Kufizuara Intelektuale – PORAKA.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet i theksoi sfidat me të cilat u ballafaqua ekonomia vendase si pasojë e pandemisë botërore. Në këtë kontekst shprehu bindjen se kompanitë kanë përgjigje përkatëse ndaj krizës dhe se do të vazhdojnë me punën e suksesshme duke e mbindërtuar cilësinë e prodhimeve dhe të shërbimeve që i japin.
“Duke e parë të gjithë situatën, mbartësit e Mirënjohjes meritojnë respekt të veçantë që në kohë aspak të lehta e zhvillojnë potencialin e vet dhe arrijnë rezultate të jashtëzakonshme duke e mbajtur cilësinë e lartë të prodhimeve dhe shërbimeve”, tha Presidenti Pendarovski.
Duke shprehur falënderim për Lidhjen e odave ekonomike që, duke mbajtur kriteret e larta, vazhdon me traditën për dhënien e Mirënjohjes për cilësi maqedonase, Presidenti Pendarovski theksoi se ky është një kontribut i rëndësishëm për ekonominë maqedonase në këto kohë jashtëzakonisht të komplikuara. Në këtë drejtim i përgëzoi fituesit për arritjet në vitin 2021 dhe u dëshiroi që mirënjohja të jetë motiv plus për rezultate edhe më të mira.