Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën me temë “Ndërtimi i urave digjitale drejt të ardhmes sonë të përbashkët digjitale” të organizuar nga Oda ekonomike për teknologjitë informatike dhe komunikatave – MASIT.
Duke theksuar se që të kenë të rinjtë të ardhme digjitale, duhet ta mbajmë brezin digjital në vend, Presidenti Pendarovski theksoi se parakusht për këtë janë reformat reale dhe jo retorike, sundimi i të drejtës dhe lufta e pamëshirshme kundër korrupsionit.
Në vijim është fjalimi i Presidentit Pendarovski.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit për nderin të mbaj fjalim në këtë konferencë të organizuar nga Oda ekonomike për teknologjitë informatike dhe komunikatave. Nëse dikush me të drejtë mund të flasë mbi temën “Ndërtimi i urave digjitale drejt të ardhmes sonë të përbashkët digjitale”, ai është gjithsesi – MASIT.
Pothuajse çerek shekulli, MASIT e promovon aktivisht zhvillimin e industrisë maqedonase TI dhe është një nga nxitësit kryesorë të digjitalizimit të ekonomisë maqedonase. Kujtoj se para 20 vjetësh i ndjeri Presidenti Boris Trajkovski, mori pjesë në një nga konferencat tuaja të para e cila e përfaqësonte konceptin e “e-shoqërisë” maqedonase. Që atëherë e deri më sot, MASIT u bë një partner i sigurt dhe i kontrolluar i kompanive, shtetit, donatorëve dhe bashkësisë akademike, si dhe mori pjesë në ndërtimin e urave digjitale me të cilat një numër i madh qytetarësh maqedonas, kompanish dhe organizatash i ndjenë fitimet e digjitalizimit.
Por, siç e dini më mirë se unë, transformimi digjital nuk njeh destinacion përfundimtar. Para nesh është një kufi i ri digjital i cili i fshin ndarjet midis fizikes, digjitales dhe biologjikes. Inteligjenca artificiale, robotika, nanoteknologjia, informatika kuante, kriptovalutat dhe makineritë e zgjuara po i ndryshojnë proceset e prodhimit, shprehitë e konsumatorëve dhe strukturën e tregut të punës.
Si mjet strategjik i ekonomive të përparuara, jo rastësisht ato zhvillimin e vet më të madh e arrijnë pikërisht në fushën e teknologjive informatike. Sipas Forumit ekonomik botëror, 70% e vlerës së re që do të krijohet globalisht gjatë dekadës së ardhshme do të bazohet në modelet digjitale të biznesit. Është i njohur fakti se organizata analitike “Statista” parashikon që tashmë këtë vit kompanitë e transformuara në mënyrë digjitale do të krijojnë gjysmën e PBV-së botërore, kurse fitimet nga inteligjenca artificiale do të arrijnë në 16 trilionë dollarë deri në vitin 2030.
Njëkohësisht, për fat të keq, ndarja digjitale në botë po zgjerohet. Rreziku më i madh për çdo ekonomi dhe shtet është të qëndrojë në anën e teknologjisë së vjetërsuar dhe të trajtohet si zonë për rekrutimin e fuqisë së lirë punëtore dhe cilësisë së ulët të jetës.
Pyetja me të cilën ballafaqohemi është: në cilën anë të ndarjes digjitale do të gjendemi ne si shoqëri dhe shtet? A do të jemi konsumatorë pasivë të prodhimeve të reja digjitale apo kreatorë aktivë të cilët me zgjidhjet e vete programore do të garojnë në tregun global digjital?
Përgjigja e kësaj pyetjeje, më tepër nga gjithçka vare nga demografia. Raporti botëror për migrimin i vitit 2020 na rendit në vendin e 20 në botë sipas normës së migrimit. Sipas projeksioneve më të reja, deri në vitin 2050, Maqedonia e Veriut do të humbasë 10,9% të popullatës së vet. Pengesa më e madhe për krijimin e të ardhmes së suksesshme digjitale është nëse mbetemi pa popullatën digjitale. Pyetja është vetëm se a do ta krijojnë këtu, në Maqedoni, apo si nomadë digjitalë në ndonjë shtet më të zhvilluar. Si rrjedhim, sfida kryesore me të cilën ballafaqohemi është si ta mbajmë brezin e ri digjital. Një nga mënyrat është sigurimi i kushteve të favorshme të punës. E dimë se pavarësisht krizës ekonomike, industria maqedonase e TI-së po përjeton rritje të vazhdueshme. Pagat e vitit të kaluar në sektorin e TI-së u rritën me 30% krahasuar me vitin 2021. Jo rastësisht një nga profesionet më të dëshiruara në vendin tonë është programimi.
Mënyra e dytë është t’i ndihmojmë inxhinierët dhe programerët e rinj të përfshihen në ekosistemet inovuese maqedonase që të mund t’i realizojnë idetë e veta të biznesit. Ne të gjithë mund të dëshmojmë se te ne kemi, një numër jo të vogël të të rinjve që janë shembuj të suksesshëm për praktika të mira që është fakt i cili na inkurajon.
Megjithatë, pavarësisht pagave relativisht të larta për kushtet tona, si edhe përkrah përfshirjes në startape dhe ekosistemet e inovacionit, shumë të rinj po largohen. Profesionistët e sektorit TI e dinë shumë mirë se nëse një virus softuerik nuk hiqet në kohë, atëherë përdoruesit humbasin durimin dhe kërkojnë alternativa. Arsyen e emigrimit të gjeneratës digjitale duhet ta kërkojmë në një virus apo gabim që e bën sistemin të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve. E kam fjalën për korrupsionin, i cili bashkë me nepotizmin është gjeneratori më i madh i emigrimit të brezit të ri digjital sepse ndikon në shanset për të pasur sukses në jetë.
Të nderuar,
Që të rinjtë të kenë të ardhme digjitale, duhet ta mbajmë këtu brezin digjital. Kurse për këtë janë parakushte reformat reale dhe joretorike, shteti ligjor dhe lufta e pamëshirshme kundër korrupsionit dhe standardeve të dyfishta të diktuara nga karta juaj partiake apo origjina etnike.
MASIT ka përvojë dhe autoritet të flasë për këto çështje, dhe kuptohet, ka kapacitet t’u ofrojë zgjidhje marrësve të vendimeve. MASIT ka marrë pjesë në procesin konsultues gjatë nënshkrimit të Kornizës për zhvillim “MKD 2030”, ku dy nga katër prioritetet zhvillimore fokusohen te digjitalizimi dhe te të rinjtë, arsimi dhe zhvillimi inkluziv.
“MKD 2030” së bashku m Strategjinë nacionale zhvillimore 2021 – 2041, duhet të na ndihmojë ta përshpejtojmë transformimin digjital, të promovojmë ekonominë dhe arsimin digjital, ta ngremë shkrim-leximin digjital dhe t’i digjitalizojmë tërësisht shërbimet publike. Dhe të gjithë këtë e bëjmë duke pasur parasysh, para së gjithash, nevojat e brezave të rinj.
Vetëm kështu, në të ardhmen e afërme, Maqedonia do të jetë një republikë e zhvilluar digjitale në të cilën të rinjtë e shohin dhe e ndërtojnë të ardhmen e vet dhe të ardhmen tonë të përbashkët digjitale.
Ju uroj një konferencë të suksesshme dhe ju falënderoj për vëmendjen.