Fjalimi i Presidentit Pendarovski në promovimin e Kornizës zhvillimore MKD 2030

9 Qershor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në promovimin solemn të Kornizës zhvillimore MKD 2030, që u mbajt në Kabinetin e Presidentit.

Korniza zhvillimore MKD 2030, e përgatitur me iniciativë të Presidentit Pendarovski, i përcakton fushat prioritare në të cilat duhet të investojë Republika e Maqedonisë së Veriut në afat të mesëm, që shteti të bëhet një vend më i mirë për të jetuar, punuar, si dhe për aktivitetet sociale-shoqërore.

Korniza zhvillimore gjendet në: https://mkd2030.mk në maqedonisht, në shqip dhe në anglisht.

Të nderuar qytetarë,
Shkëlqesi të respektuar,
Të nderuar të pranishëm,

Që të ekzistojë një shans real për një të ardhme më të mirë, me rëndësi të jashtëzakonshme është që faktorët kryesorë në shtet dhe infrastruktura shoqërore të mbështesin një vizion të vetëm për zhvillim afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye e iniciova procesin e përpilimit të Kornizës zhvillimore MKD 2030 e cila, edhe pse është paralajmëruar në gjysmën e dytë të vitit 2019, për shkak të pandemisë sot kam kënaqësinë t’jua prezantoj.

Do të përqendrohem në problemet që i detektuam, supozimet nga të cilat u udhëhoqëm dhe procesin nëpër të cilin kaluam që t’i përcaktojmë prioritetet e domosdoshme për zhvillimin tonë deri në fund të kësaj dekade.

Diagnoza e problemeve me të cilat po ballafaqohet me vite me radhë Maqedonia e Veriut është shqetësuese. Kemi një zhvillim ekonomik modest, nivel të ulët të konkurrencës dhe përfshirje të pamjaftueshme në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimeve. Korrupsioni, klientelizmi dhe ekonomia e zezë na ndjekin praktikisht që nga pavarësia. Zhvillimi i tanishëm është i paqëndrueshëm ekologjikisht, joninkluziv nga ana sociale, i pabalancuar rajonalisht dhe i lëndueshëm energjetikisht.

Integrimet e frenuara evropiane çojnë në kriza të shpeshta politike, polarizim të shoqërisë dhe partizim të institucioneve. Investimi shtetëror modest në hulumtim dhe zhvillim e zvogëloi produktivitetin. E gjithë kjo ndikon drejtpërdrejt mbi rritjen e PBV-së, mbi rrogat dhe mbi standardin jetësor të qytetarëve, sidomos të të rinjve. Nga të dhënat e shumta negative, do të tregoj vetëm një: në vitin 2022 rreth 21,8% e popullatës ka jetuar në prag të varfërisë, që është dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian. Për shkak të efekteve të kombinuara të krizës shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, ky numër sot është më i lartë.

Të rinjtë po shpërngulen masivisht, qytetarët u bënë pasivë dhe apolitikë, kurse mosbesimi tek institucionet kronik. Shoqërinë e kemi të ndarë thellë, kurse perceptimi se është e pamundshme të përparohet në bazë të cilësive dhe aftësive të veta është i gjithëpranishëm.

Të nderuar,

Të ballafaquar me të gjitha këto probleme serioze, e parashtruam këtë pyetja: si ta nxitim deri në fund të kësaj dekade zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror, si të zmadhojmë besimin në institucionet dhe ta zvogëlojmë shpërnguljen e të rinjve? Ose me gjuhë të zakonshme, si ta kthejmë shpresën te njerëzit?

Nga realizimi i kësaj detyre të madhe varet se a do ta plotësojmë një nga qëllimet kryesore të vendosura në preambulën e Kushtetutës, domethënë se shteti ndërtohet “që të sigurohet e drejta sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës së përbashkët”. Nëse shteti ekziston për qytetarët, kurse, vetëm për interesat e tyre edhe duhet të ekzistojë, pikërisht kjo është shtylla rreth të cilës e ndërtuam këtë dokument.

Pse në titullin e kornizën vendosëm MKD dhe pse 2030? MKD qëndron jo vetëm sepse ky është dokument për zhvillimin e shtetit tonë, por, sepse bëhet fjalë, para së gjithash, për kornizën tonë, autentike, të bazuar në nevojat specifike dhe potenciale të shoqërisë maqedonase dhe është shkruar nga truri maqedonas. Por, pse pikërisht 2030?  Sepse ai vit është larg sa duhet që t’i bëjmë të gjitha ato lëvizje dhe intervenime të domosdoshme për zhvillimin, por, mjaft afër për ky brez politikanësh të mos e anashkalojnë përgjegjësinë e vet para qytetarëve për diçka që është bërë keq apo është lëshuar.

MKD 2030 nuk është dokument kabineti, por terreni. Ekspertët nuk e kanë shkruar të izoluar në zyrat e tyre, por e krijuan nëpërmjet konsultimeve të gjera në një proces inkluziv dhe transparent. Disa prej mendjeve tona më të mira na e dhanë në dispozicion ekspertizën dhe përvojën e vet. Mbi 60 organizata dhe individë nga shoqatat qytetare, odat ekonomike, bashkësia akademike, organizatat e mediave dhe ato rinore, janë përfshirë në faza të ndryshme të përpilimit të këtij dokumenti strategjik. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjitha ata që kontribuuan, që sot ta kemi para nesh Kornizën zhvillimore.

Gjatë vetë procesit u ballafaquam me sfida të shumta. Të formulohet një dokument për zhvillim në kushte të krizave simultane është një punë jashtëzakonisht e vështirë. Megjithatë, jam i bindur se është mirë që pikërisht në kohë të tilla e përgatitëm MKD 2030, sepse në këtë mënyrë kornizën zhvillimore e kalibruam duke pasur parasysh skenarët më negativë dhe prognozat më pesimiste. Pikërisht për këtë arsye pres që MKD 2030 t’i rezistojë testimit të kohës.

Nga procesi i cili ka zgjatur me muaj, janë kristalizuar katër prioritete, me 166 rekomandime konkrete, të grupuara në 24 fusha.

Prioriteti i parë është zhvillimi i përshpejtuar ekonomik. Ky nënkupton zmadhim të produktivitetit, ngritjen e konkurrencës së ekonomisë, investimin masiv në inovacione dje zhvillimin teknologjik, investime të reja vendase dhe të huaja, zvogëlim të ekonomisë së zezë dhe formim të tregut fleksibil dhe dinamik të punës.

Prioriteti i dytë është mbrojtja e mjedisit jetësor në nivel të mesatares evropiane dhe politika energjetike e rishqyrtuar. Cilësia e jetës dhe e shëndetit varen drejtpërdrejt nga cilësia e mjedisit jetësor. Në ato suaza flasim për cilësinë e ajrit, zhvillimin e sistemit efektiv të menaxhimit me mbeturinat dhe menaxhimin e integruar me ujërat, mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit. Politika energjetike e ripërcaktuar energjetike do të drejtohet në afat të gjatë në plotësimin e nevojave të brendshme, para së gjithash, nga burime të rinovueshme të energjisë kurse njëkohësisht do të jetë rezistente ndaj tronditjeve të jashtme energjetike.

Prioriteti i tretë është digjitalizimi, që njëkohësisht është edhe qëllim vetë për veten, por edhe mjet për arritjen e prioriteteve të tjera zhvillimore. Si rrjedhim është i domosdoshëm përshpejtimi i transformimit digjital dhe promovimi i ekonomisë dhe arsimit digjital, digjitalizimi i tërësishëm i shërbimeve publike, ngritja e shkrim-leximit digjital dhe nxitja e një zhvillimi shumë më të fuqishëm të sektorit IT maqedonas.

Prioriteti i katërt janë arsimi, të rinjtë dhe zhvillimi inkluziv, tri fusha që janë të ndërlidhura midis tyre. Që të dalim nga spiralja, me drejtim poshtë, e varfërisë, e përjashtimin social dhe shpërnguljes masive, na nevojitet arsim i përshtatur me nevojat e tregut të punës Është prioritet të punojmë në zvogëlimin e varfërisë dhe të përjashtimit social, të krijojmë politika bashkëkohore kulturore, të promovojmë respektim të të drejtave të njeriut, dhe të investojmë në shkrim-leximin mediatik të domosdoshëm për dallim të të vërtetës nga gënjeshtra.

Të nderuar,

Këto katër prioritete janë të ndërvarura dhe njësoj të rëndësishme për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe prandaj duhet të zbatohen njëkohësisht pa renditje të tyre. Ekipet që u angazhuan arritën një konsensus të gjerë ekspert dhe duke e ndjekur atë pozitë, më lejoni të theksoj tri pritjet e mia.

Së pari, si kornizë që fokusohet në pamjen e madhe, MKD 2030 duhet të vendoset në Strategjinë nacionale për zhvillim 2022-2042 që po e përpilon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë mënyrë, MKD 2030 do të garantojë vazhdimësi për politikat sektoriale, pavarësisht nga ndryshimet e ardhshme të garniturave politike në pushtet. Kjo hartë do t’i ndihmojë krijuesit  tanishëm dhe të ardhshëm të politikave që të mos dalin nga shtegu i përcaktuar dhe të mos ngecin në ujërat autoritare dhe populiste që me siguri do ta komprometojnë zhvillimin afatgjatë të vendit, por edhe stabilitetin e tij.

Së dyti, si platformë mbipartiake, MKD 2030 mund të shërbejë si bazë për tejkalimin e ndarjeve të thella nëpërmjet rindërtimit simbolik të marrëveshjes shoqërore. Prioritetet zhvillimore do të respektohen nga çdo pushtet i ardhshëm, dhe do të vlejnë për të gjithë, njëjtë. Në këtë mënyrë, MKD 2030 mund të jetë pjesë produktive e procesit të pajtimit qytetar.

Së treti, MKD 2030 nuk është libër i shenjtë, prandaj presim që dokumenti të nxitë debat rreth propozimeve të afruara dhe të na ndihmojë në diskursin publik, në vend të episodeve të parëndësishme të politikës ditore, energjinë ta harxhojmë në mendim dhe veprim për realizim të politikave zhvillimore afatgjata. Kuptohet që në këtë pjesë presim kritikë të argumentuar dhe mendime të ndryshme prej tonave.

Të nderuar,

Ne vendosim vetë a do të qëndrojmë në vend apo do të përparojmë, Dhe në kohë kur në bazë ditore duhet të menaxhojmë me shumë kriza njëkohësisht, nuk duhet të lejojmë t’i humbim prioritetet nacionale strategjike, kurse ato janë, deri në fund të kësaj dekade të dëshmojmë së bashku zhvillim të tërësishëm ekonomik dhe shoqëror, besim më të madh në institucione dhe shpërngulje të zvogëluar të të rinjve.

Korniza zhvillimore MKD 2030 mund të ndihmojë ta bëjmë Republikën e Maqedonisë së Veriut vend më të mirë për të jetuar ku qytetarët maqedonas do të kenë shans t’i realizojnë idealet e veta njerëzore. Pa moralizim të rremë dhe thënë pa patetikë, kjo është përgjegjësi historike të cilën të gjithë ne, sidomos mbartësit e funksioneve publike, e kemi në raport me fëmijët dhe nipërit tanë, por edhe ndaj brezave të ardhshëm të cilëve duhet t’ua lëmë shtetin në një gjendje shumë më të mirë sesa ajo në të cilën gjendet sot.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....