Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në dhënien e Çmimit për pjesëmarrje rinore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Rinjve

13 Gusht 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti fjalim në ceremoninë solemne të dhënies së Çmimit për pjesëmarrje rinore, që me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Rinjve, u mbajt në Kabinetin e Presidentit.

Mbartësit e sivjetshëm të çmimit janë aktorja Izabela Jakimova, në kategorinë individuale, grupi joformal i të rinjve Të rinjtë e Një mundet (One Can Youth), në kategorinë e grupeve joformale të të rinjve, dhe shoqata Gou grin (Go Green), në kategorinë e organizatave rinore, organizatave për të rinjtë dhe organizatave rinore ombrellë.

Çmimin për pjesëmarrje e jep Agjencia për të Rinjtë dhe Sport në bashkëpunim me Këshillin Nacional Rinor të Maqedonisë dhe kemi për qëllim ta dallojmë dhe valorizojmë punën e të rinjve gjatë adresimit të çështjeve të ndryshme shoqërore.

Çmimi në të tri kategoritë e dha Naumçe Mojsovski, drejtori i Agjencisë për të Rinj dhe Sport dhe Marija Kërstevska, kryetarja e Këshillit nacional rinor të Maqedonisë.

Në vijim është teksti i tërësishëm i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë javës ndërkombëtare të të rinjve u fol për Strategjinë për të rinjtë, për Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, për Ligjin për punë rinore dhe për Kornizën për zhvillim MKD 2030 dhe me masat qeveritare lidhur me të. Por, sado që të jenë cilësore, strategjitë, politikat dhe ligjet janë të rëndësishme vetëm nëse bëjnë ndryshim të vërtetë për më mirë në jetën reale të njerëzve.

Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të të rinjve, do të fokusohemi jo vetëm në vetë dokumentet, por tek ajo se çfarë duhet të mundësojnë ato. Midis nesh janë të rinj të cilët nëpërmjet angazhimit të tyre shoqëror na i tregojnë anët e mira të një shoqërie demokratike, të transformuar.

Karakteri i shoqërisë do ta kuptojmë më mirë nëse shohim qëndrimin ndaj anëtarëve të saj më të lëndueshëm, si të varfrit, të pastrehët, HIV-pozitivët, jetimët, fëmijët e familjeve me një prind dhe një prind vetushqyes. Është e ngjashme edhe me trajtimin tonë ndaj mjedisit: a përdoret me përgjegjësi apo shfrytëzohet në mënyrë të pamëshirshme. Teodor Ruzvelti dikur me të drejtë ka thënë se “njerëzve nuk u intereson se sa ju i dini problemet e tyre, derisa të mësojnë se sa kujdeseni për problemet e tyre.” Fatkeqësisht, në shoqërinë maqedonase, madje edhe kujdesi, në vend që të jetë një nxitje për veprim, ai shndërrohet shpesh në një garë e keqe akuzash reciproke se kush çfarë nuk ka bërë e kështu me radhë.

Në një ambient të tillë, këta të rinj, Izabela Jakimova, grupi joformal Të rinjtë e Një mundet (One Can Youth) dhe shoqata Gou Grin (Go Green), nëpërmjet vizioneve dhe aktiviteteve të tyre konkrete, na treguan se si mund të ishte Maqedonia e Veriut nëse e dëgjojmë zërin e të rinjve. Ajo është një shoqëri ku respektohet dinjiteti i lindur i secilit prej anëtarëve të saj, duke u kujdesur për mjedisin jetësor si të mirën tonë të përbashkët shumë brezash.

Nuk do ta teproj nëse them se këta të rinj e tejkalojnë edhe vetveten dhe shumë prej nesh. Ata me vetiniciativë i njohin boshllëqet e sistemit dhe i korrigjojnë padrejtësitë e sistemit. Me veprat e tyre kontribuojnë aktivisht në mirëqenien e shoqërisë. Madje, ne, politikanëve, na i marrin të gjitha justifikimet se zgjidhja e problemeve është e ndërlikuar, e kushtueshme apo e pamundur. Ata e riafirmojnë të vërtetën e vjetër se pikërisht të rinjtë, të udhëhequr nga idealet e drejta, janë thelbi i çdo ndryshimi progresiv shoqëror. Këta të rinj janë vetëm pjesë e brezit që na jep shpresë. Sepse, derisa të rinjtë kanë dëshirë të luftojnë padrejtësitë sociale, ka shpresë për shoqërinë maqedonase.

Pikërisht me këto mirënjohje për aktet e tyre, ne përpiqemi t’i nxitim të gjithë brezat të kontribuojnë në transformimin e Maqedonisë së Veriut në një vend më të mirë për të jetuar në të cilin qytetarët maqedonas do të kenë shans të barabartë që t’i realizojnë potencialet e veta.

Ju uroj dhe ju falënderoj.


Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit