Presidenti Stevo Pendarovski sot po qëndron në vizitë pune në Republikën Franceze, me rastin e festimit të 100-vjetorit të lindjes së poetit maqedonas, Aco Shopov.
Presidenti Pendarovski nesër – më 21 mars 2023, e martë, në selinë e UNESKO-s në Paris do të mbajë fjalim në hapjen e simpoziumit ndërkombëtar për nder të Aco Shopovit, eveniment në suazat e festimit të “2023 – Viti për nder të Aco Shopovit”, që realizohet me mbështetjen e Presidentit maqedonas. Gjithashtu, Presidenti Pendarovski do të marrë pjesë në perfomancën poetike dhe ekspozitën për nder të Shopovit.
Është paraparë që Presidenti Pendarovski të takohet me drejtoreshën e përgjithshme të UNESKO-s, Odre Azule.
Presidenti Pendarovski sot në Paris e vizitoi Institutin nacional për gjuhë dhe qytetërime orientale – INALKO, ku u takua me drejtorin e institutit, Zhan Fransoa-Hushe si dhe me Frosa Pejoska-Bushero, shefen e Katedrës së studimeve maqedonase në INALKO dhe Gjoko Zdravevskin, lektor të gjuhës maqedonase në institut.
Presidenti Stevo Pendarovski është mbështetës i festimit të 100-vjetorit të lindjes së poetit maqedonas, Aco Shopov, që festohet me një sërë evenimentesh gjatë vitit 2023.
Festimi i këtij jubileu të madh është në bashkëpunim me Organizatën e arsimit, shkencës dhe kulturës së OKB-së – UNESKO, e cila e mbështeti iniciativën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u përfshi në festimin e këtij jubileu.