Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në evenimentin përmbyllës të 6 Ditëve të hapura të Institutit të Gjuhës Maqedonase

22 Tetor 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Nebregovo e vizitoi Shtëpinë përmendore të Bllazhe Koneskit dhe mbajti fjalim në evenimentin përmbyllës të 6 Ditëve të hapura të Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Petkov Misirkov”.

Në suazat e këtij evenimenti, Presidenti Pendarovski vendosi lule të freskëta para shtëpisë së Bllazhe Koneskit dhe i vizitoi brenda shtëpinë përkujtimore, klasën e rinovuar shkollore dhe kishën në Nebregovo.

Në këtë eveniment mbajtën fjalim edhe prof. dr. Elena Jovanova-Grujovska, drejtoresha e Institutit të Gjuhës Maqedonase dhe prof. dr. Ludmill Spasov, profesor ordinar në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, kurse është recituar edhe poezi e Koneskit nga nxënësit nga Nebregova dhe nga Prilepi.

Të dashur miq, mirëdita të gjithëve,

Në një kohë kur të gjitha pikat tona mbështetëse janë sfiduar seriozisht, në një kohë kur po ballafaqohemi me vuajtjen dhe vdekjen në nivel global, në një kohë kur pandemia na distancoi nga të tjerët, shpesh herë edhe nga vetvetja, është e nevojshme ta theksoj rëndësinë e spirancave të vlerave që na japin stabilitet në këtë rrethinë jostabile.

Një nga spirancat tona të përbashkëta të vlerave, është, gjithsesi, ajo që la pas veti si vepër jetësore Bllazhe Koneski, filologu, gjuhëtari, vizionari. Ai mbijeton si mbrojtës i modernizmit tonë – gjuhësor, mendimtar, letrar, arsimor dhe institucional. Një njeri i qetë, i cili me përkushtimin, përgjegjësinë, punën dhe qetësinë e vet, duhet të jetë model për veprimin tonë në të tashmen dhe në të ardhmen në promovimin e kauzës së përbashkët.

Pikërisht për këtë arsye individin i cili është paradigma për emancipimin dhe për progresin tonë nacional duhet ta kremtojmë vazhdimisht, jo vetëm për jubile. Ai ishte njeri të cilit nuk i nevojiteshin nderime. Madhësia e tij është theksuar edhe më shumë me modestinë e tij dhe profilin e tij personal të asketit. Në trashëgimi na i la – mendimet, fjalën, emocionet, shpirtin dhe gjuhën, pa kërkuar kompensim. Domethënë, ne e kemi përgjegjësinë që të mos e harrojmë atë që Koneski na i la si trashëgimi kulturore, sepse nëpërmjet vepër së tij, në të vërtetë, duken të gjitha shtresat e kulturës sonë.

Të nderuar,

Është shumë e rëndësishme t’i kundërvihemi kulturës së harresës, e cila, për fat të keq, është një kërcënim i madh në këto kohë të shpejta. Është e domosdoshme t’i riartikulojmë në të tashmen tonë, shenjat e atyre të cilët janë armatura e vazhdimësisë sonë nacionale dhe kulturore. Ky tubim, kushtuar Koneskit, e bën pikërisht këtë gjë – e pozicionon në të tashmen legatin e tij duke vlerësuar se pa vështrim të sekuencave dhe personaliteteve të rëndësishme të të kaluarës sonë më të largët dhe më të afërme, nuk do të mund t’i shohim të gjitha opsionet e ditës së nesërme.
Duke u gjetur këtu, në Nebregovo, në rrëzën prej nga nis ngjitja deri në manastirin “Fjetja e Hyjëlindëses Mari”, bëhet më e qartë se prej çfarë damarësh është përbërë personaliteti dhe udha jetësore e Koneskit. Dhe është krejtësisht e qartë se nga ky burim buron mençuria, shpirtërorja dhe qëndrueshmëria e një madhështie të tillë.

Në një kohë kur e dimë shpesh nëpërmjet përsëritjes dhe përdorimit t’i zhvlerësojmë fjalët, do të desha të rikujtoj një shënim të Koneskit, i cili në bisedat e tij me Cane Andreevskin e ka pyetur vetveten: ”Gjuha e politikës po e bën shabllon përditshmërinë. A do të vijë momenti i një varfërie përfundimtare, përkatësisht tek unifikimi në shprehje? Raporti ndaj fjalës, është diçka që na mungon më shumë. Duhet të bëhen edhe përpjekje që të përsoset mënyra jonë e të shprehurit gjuhësor. Kjo bëhet në çdo moment dhe në çdo mjedis. Edhe në patriarkat edhe në bashkëkohësi.”
Sot kur shpesh herë fjalët i hedhin anekënd në të folurin publik, të zbrazura nga çdo vlerë është mirë të kujtojmë edhe rekomandimin e mençur të njohur të Koneskit: “Ruaje mirë fjalën, lidhur si kalë të pazbutur që di të kafshojë, të gjuajë, të godasë! Ruaje! Sepse nëse e lëshon ashtu të pafre nëpër çaire, kush e di cila kokë e çmendur do të dëshirojë ta kalërojë”.

Të nderuar,

Më lejoni në fund, shkurtimisht, të ndaj me ju disa këndvështrimet e mia të cilat kanë të bëjnë me relacionin midis politikes dhe kulturores. Të jesh i angazhuar në përpilimin e politikës në jetët tona nuk është punë negative, sidomos në aspektin e leximit bashkëkohor të kulturës. Duke filluar nga modalitetet kulturore, artistike dhe estetike në margaritarët dramaturgë të letërsisë antike helene, nëpërmjet pionierëve evropianë të fjalës, si Shekspiri, Gëteja, Molieri, Lorka, Brehti, Beketi deri në bashkëkohësit tanë, me shekuj me radhë flitet dhe shkruhet për vendin kyç të mendimtarit artistik, humanist në proceset shoqërore, në proceset ndër brezave në çdo bashkësi. Koneski i përket pikërisht atij grupi – një arkivist fisnik, i vetëdijshëm politikisht për botën dhe dinamikat e saj delikate shoqërore. Të privuar nga trashëgimia e tij ne nuk do të ekzistonim, sepse është thënë prej kohësh se njeriu ekziston nëpërmjet gjuhës, kurse nëpërmjet gjuhës, nëpërmjet fjalëve, formohet mendimi ynë.

Kam nderin që gjendem sot në shtëpinë ku ka lindur dhe i ka kaluar Bllazhe Koneski vitet e veta më të rëndësishme formuese jetësore. Këtë këtu nuk duhet ta humbasim, duhet të gjejmë mënyrë ta rigjallërojmë që brezat e rinj të kenë ku të kthehen. Sepse, siç ka thënë njëherë Koneski: “Gjithçka është paraparë – ne ikim, kurse toka mbetet.”

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...