Intervista e Presidentit Pendarovski për “Nova Makedonija”

1 Mars 2022 | Intervistat

Presidenti Stevo Pendarovski në intervistën për “Nova Makedonija” flet mbi kërcënimet hibride dhe dezinformacionet, dhe mbi nevojën për ballafaqim me to.

Jemi dëshmitarë se shteti dhe institucionet e tij disa herë kanë qenë synim i fushatave dhe i sulmeve të sofistikuara hibride, sidomos gjatë ngjarjeve dhe proceseve të rëndësishme politike. Sipas mendimit tuaj, si është ndikimi i kërcënimeve të tilla dhe i sfidave të sigurisë mbi proceset e brendshme politike, por edhe mbi politikën e jashtme, mbi marrëdhëniet me fqinjët dhe eurointegrimet, si dhe mbi sferat e ndryshme të jetës shoqërore në Maqedoni, duke pasur parasysh se qëllimi i tyre është shpeshherë ulja e besimit në shtet dhe në institucionet ndërkombëtare?

Kërcënimet hibride janë ndoshta sfida më serioze e kohës moderne në të cilën jetojmë, ato janë asimetrike, jokonvencionale dhe nuk kanë një teori të caktuar dhe një fushë të caktuar të veprimit. Mund të zbatohen për shumë lloje sulmesh, nga çrregullimi i sigurisë së institucioneve, sektorit të biznesit, deri në dobësimin e sistemeve mbrojtëse. Dezinformacionet, të cilat janë pjesë e kërcënimeve hibride, janë risi e shekullit të 21, megjithatë si armë e re e setit të masave hibride janë kërcënim serioz i demokracisë dhe stabilitetit të shoqërive. Kërcënimet hibride e rrezikojnë besimin në demokraci dhe i dobësojnë institucionet në vend, krijojnë konflikte dhe tensione të brendshme, mund të krijojnë probleme midis fqinjëve në ndonjë rajon dhe e dobësojnë besimin në vlerat euroatlantike që i përfaqësojnë NATO dhe BE. Shembujt janë të shumtë dhe në çdo sferë. Për shembull, gjatë pandemisë u shpërhap lajmi se NATO-ja dhe BE-ja nuk na kanë ndihmuar në ballafaqimin me pandeminë, që nuk është e vërtetë sepse vendi mori një mbështetje të theksuar financiare nga partnerët tanë NATO dhe BE, si dhe pajisje dhe mjete mjekësore. Qëllimi i kësaj strategjie hibride ishte i qartë – me minimin e besimit në NATO dhe në BE, qytetarët të fillojnë të mendojnë edhe për disa alternativa të tjera, të cilat, demek, do të ishin shumë më të gatshme të na ndihmojnë në çdo kohë.

Si do të mund të kontribuojnë për rezistencë dhe mbrojtje nga kërcënimet hibride dhe propaganda e jashtme në Maqedoni, stabilizimi i skenës dhe proceseve politike, përkatësisht eurointegrimet dhe hyrja në institucionet ndërkombëtare? Në çfarë mase, krizat dhe ngjarjet politike rajonale, por edhe situata lidhur me Ukrainën, e cila ka ndikim më të gjerë, e bëjnë rajonin të ndjeshëm ndaj kërcënimeve hibride dhe propagandës së jashtme?

Hyrja në institucionet ndërkombëtare e zmadhon në mënyrë të shumëfishtë rezistencën tonë. Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare na mundëson të shfrytëzojmë kapacitetet e aleatëve dhe të ballafaqohemi me kërcënimet hibride, kështu që do të mund të ballafaqohemi edhe vetë me to. Qëndrimi jashtë institucioneve evropiane krijon hapësirë për hyrje të palëve të treta, të cilat do të ishin të interesuara të promovojnë vlera të kundërta me ato evropianet, që nuk është në dobinë tonë për një afat të gjatë.

Si anëtare e barabartë e NATO-s kemi qasje të tërësishme në informacionet më relevante të Aleancës për kërcënimet hibride. Sipas përvojës suaj, si mund t’i shfrytëzojë Maqedonia kapacitetet e NATO-s që të përforcojë rezistencën dhe mbrojtjen nga kërcënimet hibride?

Anëtarësimi në NATO na mundëson qasje te resurset dhe kapacitetet e përbashkëta të Aleancës për ballafaqim me kërcënimet mbi sigurinë, kurse midis tyre janë edhe kërcënimet hibride. Si pjesë e kësaj aleance, kemi mundësi të përkryer të jemi të vetëdijshëm dhe të informuar për shumë punë për të cilat vetë si shtet nuk do të kishim të dhëna ose kapacitete të mjaftueshme që t’u përgjigjemi. Në suazat e Aleancës marrim informacione nga NATO-ja, si dhe në mënyrë bilaterale me aleatët me të cilët kemi bashkëpunim të përforcuar.

Vihet re nevoja për ngritjen e vetëdijes publike për sigurinë në internet dhe për koordinimin më të madh të ndërsjellë të institucioneve shtetërore për krijimin e përgjigjes të unifikuar dhe të kornizës ligjore, të cilat do të japin mbrojtje më të mirë nga kërcënimet hibride. Çfarë mund të bëhet sipas jush në nivel nacional për përmirësim të sigurisë në internet dhe për edukim të popullatës, si dhe të institucioneve dhe kompanive?

E keni vënë re mirë, nevojitet të ngrihet theksueshëm vetëdija publike në vend mbi seriozitetin e kërcënimeve hibride. Dy vitet e fundit, është vënë re se tema po zë një hapësirë gjithnjë dhe më të madhe në diskursin publik, organizohen konferenca dhe debate, jepen mendime eksperte dhe vetë institucionet, që janë më të prekura nga kjo temë, dalin me mendime, me rekomandime dhe masa. Por kemi njëkohësisht edhe potencial të madh për punë në këtë temë dhe ka shumë gjëra që mund të ndërmerren. Nevojitet angazhim në nivel nacional nga të gjitha institucionet për përforcim të kapaciteteve për sigurinë në internet, planifikim i përbashkët dhe investim në resurse për ballafaqim me kërcënimet hibride. Duke pasur parasysh pasqyrimin e përditshëm në internet, kurse në lidhje me përforcimin e shkathtësive, këtu do t’i përmend si grup qëllimor të rinjtë dhe në atë drejtim duhet të kemi kujdes me përmbajtjet mësimore, të cilat do të zhvillonin rezistencë te nxënësit, deri në normativat dhe mekanizmat për vetërregullim të bashkësisë së mediave, me të cilat do të zvogëlohej ndikimi dhe rreziku nga kërcënimet hibride.

Sidomos gjatë pandemisë vihet re çfarë problemesh mund të krijojnë dezinformacionet. Në çfarë mënyre konsideroni se mund të përmirësohet rezistenca e sistemit por edhe ajo personale ndaj dezinformacioneve? Çfarë mund të ndërmarrë shteti në mbrojtjen nga dezinformacionet dhe për suzbimin e tyre?

Nga të gjitha hulumtimet e deritanishme në këtë temë vërtetohet se dezinformacionet më shpesh nuk janë naive dhe të rastësishme, por janë prodhim i një qasjeje të planifikuara të organizuar mbi një temë caktuar. Qëllimet, më shpesh janë, në afat të gjatë dhe sistematik, të manipulohet opinioni me dhënien e informacioneve të gabuara, gjysmë të vërteta, fakteve të shtrembëruara ose lajmeve krejtësisht të fabrikuara, me qëllim përfundimtar, t’u shërbejnë interesave dhe qëllimeve të shteteve dhe entiteteve joshtetërore të caktuara, të cilët kanë agjentët e vet specifikë. Vetëdija mbi rrezikun është baza fillestare për ballafaqimin me kërcënimet hibride. Duhet të jemi të vetëdijshëm mbi seriozitetin e këtyre kërcënimeve, t’i përforcojmë kapacitetet tona nëpërmjet punës së përbashkët të institucioneve shtetërore, bashkësisë akademike, sektorit qytetar dhe sektorit të biznesit, sepse qëllim i kërcënimeve mund të jemi të gjithë ne, kurse na nevojitet përgjigje e përbashkët.

Ka një vëllim enorm të dezinformacioneve me eskalacionin në Ukrainë

A është tani Maqedonia e pasqyruar ndaj ndikimit dhe rrezikut më të madh nga kërcënimet hibride pas fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe çfarë mund të ndërmerret në suazat e mekanizmave të përhershëm shtetërorë, si dhe në bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, për mbrojtjen, përkatësisht parandalimin nga kërcënimet e tilla?

Pozita shtetërore në Maqedoninë e Veriut është e qartë, ne e dënojmë agresionin rus mbi Ukrainën dhe iu bashkangjitëm pozitave të Aleancës si anëtare e NATO-s dhe pakos së masave restriktive të Bashkimit Evropian për Rusinë. Me eskalacionin e situatës në Ukrainë dhe invazioni i Rusisë, tema e përfshiu të gjithë hapësirën mediatike. Ekziston një vëllim enorm i dezinformacioneve, që kontribuojnë në polarizimin e shoqërisë. Prandaj është me rëndësi të veçantë të gjitha informacionet që merren nëpërmjet mediave, kurse sidomos ato që jepen në internet dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, të kontrollohen, të shfrytëzohen burime kredibile të informacioneve dhe qytetarët të mos u nënshtrohen lajmeve që kanë për qëllim provokimet. Ne dhe nëpërmjet Këshillit të Sigurimit u bëmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të sillen me përgjegjësi dhe të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe shpërhapja e dezinformacioneve, të cilat janë në kundërshtim me interesat nacionale të shtetit, duke pasur parasysh se jemi anëtare e NATO-s. Kemi mekanizma për ballafaqim me kërcënimet hibride dhe me dezinformacioneve, kurse ne i kemi në dispozicion ndihmën dhe mjetet e Aleancës. Kur është e nevojshme, në varësi nga vlerësimet, e shfrytëzojmë mbështetjen e NATO-s.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit