Presidenti Pendarovski në vizitë në Novo Sello dhe Strumicë

10 Prill 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski në suazat e projektit “Ballë për ballë me Presidentin” sot i vizitoi komunat Novo Sellë dhe Strumicë.

Në Novo Sellë Presidentit iu prezantua koncepti “Forumi në bashkësi” si fazë e dytë e projektit “Përforcimi i këshillave komunalë”, qëllimi i të cilit është pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes në komunën e vet, përmirësimi i sistemit të pushtetit lokal dhe kushtet e përgjithshme të jetesës në bashkësitë lokale, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit dhe politikave, digjitalizimit të shërbimeve, zmadhimit të transparencës dhe mundësitë e zvogëluar për korrupsion.

Banorët e Novo Sellës sot prezantuan gjashtë projekte nga fusha e infrastrukturës komunale, prej të cilave do të përzgjedhin në mënyrë të pavarur vetëm një i cili do të realizohet në komunën e tyre.
Presidenti Pendarovski shprehu mbështetje për projektin dhe tha se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes në komunat dhe politikat të cilat i prekin drejtpërdrejt, kontribuojnë në përforcimin e demokracisë lokale.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në komunat e tyre është e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë në nivel lokal, si dhe është mënyra më e mirë për shprehjen e nevojave dhe dëshirave të qytetarëve. Ose siç thonë – asgjë për qytetarët, pa qytetarët. Nuk ka përparim real, pa përparim lokal. Pa pjesëmarrjen e qytetarëve, së pari në bashkësitë e veta, kurse mandej edhe në proceset më të gjera shoqërore, nuk mund të flasim për demokraci dhe shtet të zhvilluar qytetar. Nëse proceset nuk fillojnë nga poshtë-lart, nga themeli drejt kulmit, atëherë është e qartë se politikanët nuk mund të bëjnë asnjë ndryshim sepse nuk do ta kenë mbështetjen e qytetarëve”, theksoi Presidenti Pendarovski, duke e nënvizuar rëndësinë e përfshirjes dhe të pjesëmarrjes së të rinjve në këto procese.

Ky projekt zbatohet në dhjetë komuna dhe financohet nga Qeveria zvicerane dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, kurse bashkëfinancohet dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara – UNDP. Në këtë eveniment mbajtën fjalim edhe kryetari i Komunës së Novo Sellës, Gjorgje Bozhinov, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, Armen Grigorjan dhe ambasadorja zvicerane, Veronik Ulman.

Në Strumicë Presidenti Pendarovski e vizitoi edhe shtëpinë familjare të ish-presidentit Boris Trajkovski, ku me të afërmit e Trajkovskit shkëmbyen kujtime për ish-presidentin, personalitetin e tij dhe mbi politikat që i përfaqësonte.

Në Strumicë, Presidenti u takua me gjashtëvjeçaren Stefani Petkovska e cila i dhuroi flokët e veta për përpunimin e parukave për fëmijët e sëmurë me kancer. Duke e përshëndetur për veprimin e guximshëm të heroinës së re, Presidenti shprehu shpresën se shembulli i saj do të jetë motiv për të gjithë të tjerët në suazat e mundësive të veta t’i ndihmojnë grupet e lëndueshme dhe sidomos fëmijët të cilët ballafaqohen me sëmundje të rënda, me qëllim që t’i tejkalojnë më lehtë këto gjendje.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...