Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në festimin e 76-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara

25 Tetor 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në festimin e 76-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Parkun e qytetit në Shkup, me organizim nga Zyra e koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet foli mbi vizionin e brezit, detyra historike e të cilit ishte të rindërtojë botën e shkatërruar pas dy luftërave botërore dhe nëpërmjet Kartës së Kombeve të Bashkuara i vendosi themelet e rendit të ri dhe e shprehu vizionin për paqe dhe siguri, zhvillim dhe të drejtat e njeriut.

“Gjatë 76 viteve të kaluara, Kombet e Bashkuara parandaluan shumë konflikte, çrrënjosën shumë sëmundje ngjitëse, i nxorën miliona njerëz nga varfëria. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe paktet dhe konventat e ngjashme e vërtetuan dinjitetin e lindur të çdo njeriut. Korpusi i të drejtës ndërkombëtare solli një siguri më të madhe në marrëdhëniet midis shteteve. Edhe përkrah të gjitha sukseseve të Kombeve të Bashkuara, po jetojmë në një botë e cila është ende larg ëndrrës së themeluesve të saj. Pandemia e kovid-19 i zbuloi pabarazitë ekzistuese të sistemit dhe padrejtësitë sociale dhe e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e segmenteve të lëndueshme pothuajse në çdo shoqëri”, tha Presidenti Pendarovski.

Ai theksoi se shumë prej planeve për aksionin klimatik lidhen drejtpërdrejt me Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm, kurse korrespondojnë edhe me Agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian. Presidenti foli edhe mbi Strategjinë afatgjate për ndryshimet klimatike me plan aksionar, të miratuar para pak kohe, qëllimi i të cilës është arritja e zhvillimit të gjelbër klimatik rezistent ndaj klimës dhe me karbon të ulët dhe tha se me shpresë e shohim samitin e ardhshëm mbi ndryshimet klimatike – COR26 në Glasgou. Përveç përkushtimit ndaj aksionit klimatik, Presidenti Pendarovski tha se me rendësi vendimtare është të kemi vizion të përbashkët edhe për zhvillimin e shtetit.

“Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim e iniciova projektin “MKD2030” si korniza jonë strategjike, autentike për zhvillim të Maqedonisë së Veriut deri në fund të kësaj dekade. Duke përfshirë përfaqësues të të gjitha segmenteve në shoqëri, nëpërmjet “MKD2030” ne i vendosim themelet e prioriteteve afatgjata zhvillimore. Gjithashtu, e mbështesim edhe Strategjinë nacionale zhvillimore 2021-2041 e cila si fazë e ardhshme duhet të ndërlidhet me “MKD2030”. I falënderojmë për mbështetjen Kombet e Bashkuara dhe donatorët e tjerë për zbatimin e këtij procesi të vetëm gjithëpërfshirës mbi planifikimin afatgjatë. Për këtë kohë të shkurtër që e kemi duhet t’i drejtojmë me patjetër përpjekjet e përbashkëta që të krijojmë një të ardhme për të rinjtë këtu, në Maqedoninë e Veriut”, rekomandoi Presidenti.

Ai shtoi se pasojat e vendimeve që i merr brezi ynë do t’i ndiejnë brezat e ardhshëm dhe se nuk duhet të marrin vendime për të rinjtë pa pjesëmarrjen e tyre.

“Prandaj UNICEF-i e filloi iniciativën “Rikrijo të ardhmen” me të cilën u japim hapësirë të rinjve të përfshihen në përcaktimin e vizionit mbi të ardhmen që e dëshirojnë për veten dhe për brezat e ardhshëm. Obligimi ynë është t’i ndihmojmë të jenë pjesë e proceseve të krijimit të politikave dhe në marrjen e vendimeve të cilat ndikojnë mbi të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e të gjithëve ne. Që ta arrijmë atë të ardhme të ndritshme, ne duhet të punojmë në të njëjtën kohë në të gjitha fushat. Të mbështetur me qëllime dhe metoda të reja, nëpërmjet arsimit, ne që sot duhet t’i ndërtojmë qytetarët e të nesërmes të cilët do të jenë më të vetëdijshëm mbi pabarazitë ekonomike dhe sociale, të cilët do të shihen si pjesë e natyrës, por jo si pronarë të saj, si dhe të cilët do t’i shfrytëzojnë më me përgjegjësi dhe më me produktivitet teknologjitë e reja digjitale. Duhet të arsimojmë brez të njerëzve të cilët do ta respektojnë dinjitetin e dallimeve. Dhe jam i bindur se Kombet e Bashkuara, si një nga organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme, do të kenë rolin e pazëvendësueshëm në ndërtimin e një të ardhme të tillë te ne dhe në botë”, tha Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet me rastin e kremtimit të Ditës së Kombeve të Bashkuara.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit