Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën e parë vjetore “Shkup – Forumi ekonomik dhe financiar” me temë “Rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik pas kovidit”, e organizuar nga Ministria e Financave e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet tha se për këtë temë po debatohet në mbarë botën në mënyrë intensive dhe themelisht dhe rekomandoi se është shumë e rëndësishme të gjitha diskutimet të udhëhiqen në bazë të të dhënave reale, me qëllim që krijuesit e politikave ekonomike të propozojnë zgjidhje. Ai foli për ekonomitë botërore, për të cilat tha se shënojnë rënie enorme në prodhimet e tyre bruto-nacionale, tronditjet dhe humbjet në bursa në pothuajse të gjitha degët e industrisë, ku nënvizoi se të gjitha vendet në botë po luftojnë akoma që ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve të tyre, por edhe që t’i neutralizojnë pasojat e dëmshme ekonomike.
“Ekonomia globale është ende e brishtë, kurse sfidat janë të mëdha. Për dallim nga vjet, prognoza e përgjithshme ekonomike është përmirësuar, edhe pse, rimëkëmbja, sipas pritjeve zhvillohet ngadalë”, deklaroi Presidenti Pendarovski.
Presidenti foli edhe mbi ekonominë tonë, për të cilën tha se nuk bën përjashtim nga trendet botërore dhe i tregoi masat e marra, qëllimi i të cilave ishte minimizimi i humbjeve në ekonomi dhe ndihma për sektorët më të kërcënuar.
“Është e qartë se humbjet janë enorme dhe se do të duhet kohë për rimëkëmbje të ekonomisë maqedonase, e cila edhe para pandemisë nuk ishte në gjendje të lakmueshme. Por, është i rëndësishëm fakti se tashmë kemi mjaft informacione dhe analiza që të vlerësojmë se cilat vendime ishin të gabuara dhe nuk duhet të përsëriten, kurse cilat kanë dhënë efekte pozitive”, vlerësoi Presidenti në fjalim.
Presidenti Pendarovski theksoi se anëtarësimi ynë në NATO, përveç komponentit të sigurisë, në afat të mesëm dhe të gjatë pritet të rezultojë edhe me stabilitet dhe parashikueshmëri më të madhe ekonomike, si dhe me perspektiva të reja në sferën investuese. Ai foli edhe mbi ngërçin në integrimin tonë në BE, ku theksoi se është shkaktuar nga bllokada, argumentet e të cilës janë në kundërshtim me vlerat që i përfaqëson Bashkimi Evropian si koncept.
Presidenti rekomandoi se rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE është prioritet sepse për vlerat evropiane dhe për parimet mbi të cilat mbështetet tregu i përbashkët evropian, për ne, nuk ekziston alternativë më e mirë.
Në fjalim, përveç se për goditjet mbi ekonominë, Presidenti Pendarovski foli edhe për sfidat e imponuara nga pandemia e kovid-19 në lidhje me stabilitetin politik dhe besimin në institucione, në lidhje me udhëheqjen dhe sundimin e të drejtës dhe solidaritetin e më të pasurve për më të varfrit. Ai rekomandoi se si shtete individuale nuk jemi enklava të izoluara dhe se nevojitet veprim i përbashkët në nivel global.
“Pa dyshim që imunizimi është faktori kryesor për të dalë nga kriza dhe në këtë proces nuk duhet të lejohet dinamikë e ngadalësuar dhe shpërndarje jo e njëtrajtshme e vaksinave”, rekomandoi Presidenti Pendarovski.
Në fund të fjalimit, Presidenti Pendarovski rekomandoi se pa investim solit dhe konstant në kapitalin njerëzor zhvillimi ekonomik nuk mund të jetë i qëndrueshëm, si dhe shtoi se për këtë qëllim parakusht është t’u jepet mbështetje të rinjve të cilët arsimohen dhe krijojnë në vend. Ai theksoi se shoqëria është e obliguar ta zhvillojë potencialin te të rinjtë dhe të investojë në idetë e tyre.
“Besoj se pikërisht në periudhën post kovid do të kemi një set masash politike dhe ekonomike të cilat do të nxitin prodhim të koncepteve të reja, të freskëta në atë plan”, tha Presidenti Pendarovski në fjalimin në konferencën “Shkup – Forumi ekonomik dhe financiar”.