Fjalimi i Presidentit Stevo Pendarovski në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

22 Dhjetor 2021 | Fjalimet

Të nderuar qytetarë, i nderuar Kryetar i Kuvendit,
I nderuar Kryeministër, të nderuar deputetë, të nderuar ministra,
Miq të respektuar,
Shkëlqesitë Tuaj, përfaqësues të mediave,

Më lejoni, në vetë fillim, t’ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në respekt të bashkëqytetarëve të cilët e humbën jetën e vet në aksidentin rrugor në Bullgari, në zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe të të gjithë atyre të cilën ndërruan jetë këtë vit nga kovid-19.
Lavdi për ta!

E kam jashtëzakonisht të vështirë, vitin e dytë me radhë, ta hap fjalimin tim vjetor në Kuvend duke bërë homazh për qytetarët tanë të cilët nuk janë midis nesh. Seria e tragjedive të tmerrshme personale dhe e traumave kolektive të kombit duhet të zgjojnë përfundimisht vetëdijen e shoqërisë maqedonase dhe përgjegjësinë e institucioneve kompetente, sepse nuk ka asgjë më të vyeshme se jeta njerëzore, si dhe asgjë më të padrejtë nëse humbja e asaj jete ndodh për shkak të faktorit njerëzor, lëshimeve të sistemit apo për shkak të rregullave të shkelura.

Të nderuar,

Reformat në sferën e sundimit të të drejtës janë prioriteti më i rëndësishëm i shtetit dhe sipas vlerësimit tim ato do të jenë, dhe duhet të jenë edhe në vitet që janë para nesh, krejtësisht të pavarura nga tempi ynë i afrimit drejt Brukselit. Edhe përkrah përparimit të caktuar, të konstatuar në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, mbetet obligimi ynë i vjetër, të cilin jo rrallë nuk e respektojmë, reformat t’i zbatojmë në praktikë deri në fund.

Aspekti më i rëndësishëm në ndërtimin e shtetit juridik funksional është barazia para ligjit, përkatësisht, drejtësia që nuk bën përzgjedhje. Me ligjet që i miratojmë nuk duhet në asnjë mënyrë t’i privilegjojmë ata të cilët nuk e respektojnë rendin, përkundrejt atyre që e respektojnë atë. Dëshpëron veçanërisht fakti se, për fat të keq, të gjitha hulumtimet relevante të mendimit publik e dëshmojnë ndjenjën, në zmadhim, të qytetarëve se në shtet sundon kultura e mosdënimit. Mënyra e vetme që ta kthejmë besimin tek institucionet është të kemi përfundim juridik për çdo rast ku ekziston dyshim për kryerjen e veprave penale. Tragjedia e madhe me autobus ku humbën jetën 45 qytetarët tanë është vetëm rasti i fundit në sërën e rasteve të tilla. Nëse ky rast, si edhe rastet e mëparshme nuk marrin përfundim gjyqësor në një afat të arsyeshëm, mosbesimi i qytetarëve vetëm do të zmadhohet. Shoqëria me tendenca të tilla është një truall pjellor i dukurisë së liderëve autoritarë dhe populistë të cilët në vend të procesit cilësor premtojnë drejtësi “të shpejtë dhe efikase”.

Mospërzgjedhja gjatë sundimit të së drejtës dhe përgjegjësia është mënyra më e mirë që ta tejkalojmë apatinë shoqërore e cila po zgjerohet, si dhe zhgënjimin, sidomos midis më të rinjve të cilët nuk besojnë se në këtë shtet mund të ketë ndonjëherë drejtësi. Shumë hulumtime pohojnë se emigrimi i bashkëqytetarëve tanë, në një masë të madhe, nuk shkaktohet vetëm për arsye ekzistenciale, por edhe nga cilësia e jetës. Me fjalë të tjera, njerëzit shkojnë në ato shtete ku ka drejtësi, aty ku edhe më të pasuri edhe më të fuqishmit përgjigjen për shkeljen e ligjeve, si edhe njerëzit që janë shtyrë në periferi të jetës.

Të nderuar deputetë,

Para një muaji nënshkruam deklaratë të përbashkët me NATO-n me të cilën e rrumbullakosëm formalisht procesin e integrimit ushtarak në Aleancë. Edhe pse kriza shëndetësore dhe energjetike bëjnë trysni për një rend më të ndryshëm në prioritetet e buxhetit, duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj investimeve në mbrojtje dhe në siguri sepse ato janë baza për funksionimin edhe të të gjithë sektorëve të tjerë shoqërorë. Do të përmend vetëm dy shembuj nga viti i fundit kur u bindëm se investimi në mbrojtje nënkupton investim edhe në ballafaqimin me situatat e vështira edhe në fusha krejtësisht të tjera. Të gjithë ishim dëshmitarë për angazhimin e Armatës gjatë kulmeve të pandemisë kur pjesë të njësive të Armatës janë angazhuar në mbështetjen e institucioneve shëndetësore dhe institucioneve të tjera në shtet. Ose pjesëmarrjen sakrifikuese të Armatës në ballafaqimin me zjarret gjatë kësaj vere.
Anëtarësimi në NATO na ndihmon të ballafaqohemi më mirë edhe me kërcënimet e vjetra, por edhe me kërcënimet e reja të sigurisë. Reforma e ardhshme më e madhe e cila është në vijim në sistemet perëndimore në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe kundërzbulimi është për ballafaqim më të mirë me kërcënimet hibride dhe sajber, si dhe me aspektin e tyre më të shpërhapur: dezinformatat.

Pandemia na dëshmoi sa mund të jetë fuqia e dezinformatave mbi mendimin publik. Përballë të gjithë treguesve statistikorë ekzaktë të cilët dëshmojnë se ndihma në pajisje mjekësore dhe vaksina nga Bashkimi Evropian dhe në bazë bilaterale nga dhjetëra anëtare të aleancës perëndimore është bindshëm më i madh, perceptimi i përgjithshëm midis qytetarëve tanë se Ballkani Perëndimor është harruar nga aleatët tanë. Besoj se interesi ynë nacional është, që një orë e më parë, në mënyrë sistematike, të fillojmë ta përparojmë shkrim-leximin mediatik të qytetarëve, sidomos të të rinjve në shkollat fillore dhe të mesme. Ato gjenerata digjitale janë fëmijë të globalizimit, janë rritur në internet, dhe që të mos bëhen viktimat e para të dezinformatave duhet të dinë vetë t’i dallojnë ato. Në të kundërtën, profetët e vetëshpallur të rrjeteve sociale do ta fitojnë betejën me mendjet më të mëdha botërore dhe do të shtyjnë shumë qytetarë tanë të besojnë në teoritë e konspiracionit, në vend që të besojnë shkencën dhe arsyen e shëndetshme.

Në lidhje me sfidat e reja të sigurisë dua të theksoj një rrezik potencial me të cilin ballafaqohen edhe shumë shtete, që janë shumë më të zhvilluara se ne edhe në kuptimin ekonomik edhe në kuptimin demokratik. Domethënë, pas paravanit të të a.q. investimeve të mëdha dhe investimeve në infrastrukturë ndonjëherë fshihen motive strategjike për qasje më të lehtë te ne në këtë pjesë të Ballkanit. Si pjesë e obligimeve që i kemi tani si anëtare e NATO-s, por edhe për shkak të harmonizimit me politikën evropiane të sigurisë, vitin e kaluar me qeverinë amerikane nënshkruam Memorandum mirëkuptimi me të cili pamundësohet instalimi i pajisjes së ndjeshme telekomunikuese e cila mund të keqpërdoret nga jashtë për mbledhjen e të dhënave për qytetarët maqedonas. Me fjalë të tjera, shteti ka obligim të gjitha paralajmërimet për investimet e mëdha të huaja t’i kontrollojë dhe nga aspekti i sigurisë edhe nga ai strategjik, pavarësisht sesa duken ato atraktive ekonomikisht në pamje të parë.

Për një çështje tjetër nga kjo fushë kam folur edhe në raste të tjera, por, duhet ta mbajmë në fokus sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme, domethënë bëhet fjalë për departizim të institucioneve në sferën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Politikën duhet ta mbajmë sa më larg radhëve të armatës dhe nga shërbimet. Të punësuarit në këto institucione, kuptohet, si edhe çdo qytetar, kanë të drejtën e bindjes së vet personale politike, por, kur në punën e tyre ballafaqohen me dilemën: partia apo shteti, ata duhet t’i shërbejnë vetëm shtetit, pavarësisht nga garnitura politike që është në pushtet. Përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë të cilët duan të merren edhe me punën e tyre profesionale edhe me politikën, do të duhet të përcaktohen ose për njërën ose për tjetrën.

Të nderuar,

Pasi rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është bllokuar padrejtësisht, të gjithë ne, i gjithë kombi, politikanët edhe në pushtet edhe në opozitë, në dy vitet e fundit, përveç se të zhgënjyer, jemi të preokupuar në lidhje me faktin se kur do të jepet drita jeshile nga Brukseli për fillimin e negociatave. Opinioni është dëshmitar se unë jam një nga ata të cilët në dekadat e kaluara ka qenë konsistent në qëndrimin se Bashkimi është opsioni më i mirë për ne dhe sinqerisht, mezi e pres ditën kur do t’i hapim, kurse akoma edhe më shumë ditën kur do t’i përfundojmë negociatat e anëtarësimin. Megjithatë, në kontekstin aktual, kur i dimë linjat tona të kuqe dhe i mbrojmë publikisht, nuk duhet të jemi të preokupuar me faktin sa kohë do t’u nevojitet të tjerëve që të ballafaqohen me të vërtetën për ne. Në vend të kësaj, duhet të jemi të preokupuar me reformat kryesore në vend nga të cilat varet cilësia e jetës së qytetarëve tanë.

Përndryshe, nga fillimi i bllokadës bullgare, deri më sot, unë jam për një qasje të kujdesshme dhe të reflektuar në negociatat, pa kthesa të menjëhershme sepse bëhet fjalë për çështje të interesit absolutisht më të lartë nacional, ndërsa kur jeni të ballafaquar me një sfidë të një kalibri të tillë, shpejtimi nuk është gjithmonë aleati juaj më i mirë. Fqinji ynë lindor vitin që po kalon kishte një sërë zgjedhjesh, dhe pavarësisht nga emocionet që i provokon ambienti zgjedhor, shqetëson fakti se dëgjuam edhe retorikë e cila i tejkalon të gjitha pohimet e deritanishme në lidhje me historinë, gjuhën dhe identitetin tonë. Një nga tezat është se zbatojmë debullgarizim sistematik që është një akuzë serioze e cila kuptohet se nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin. Është e pamundur që ambasadorët e 30 shteteve që kanë ambasadat e veta në Shkup, prej të cilave 16 janë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të cilët i ndjekin përditë gjendjet te ne, të mos informojnë në kryeqytetet e veta për një proces të tillë, i cili nëse ekziston do të ishte i barabartë me gjenocid.

Para pak kohësh, aty kemi qeveri dhe president të ri me mandat të ri, të cilët dërgojnë mesazhe me tonalitete më të ndryshme. Me një pjesë të tyre jam dakord. Domethënë, theksi në marrëdhëniet tona ta kalojmë, nga e shkuara në të tashmen dhe në vend që të flasim për ndjenjat e njerëzve para 10 shekujsh, të flasim për të ardhmen, për lidhjen energjetike dhe infrastrukturore dhe, për shembull, për Korridorin 8 i cili nuk u bë asnjëherë konkurrues i Korridorit 10, kuptohet në dëm edhe të interesave nacionale maqedonase edhe të atyre bullgare.

Në lidhje me bllokadën e integrimeve evropiane dëshiroj të referoj edhe për një tezë të cilën e dëgjojmë kohët e fundit, kurse ajo është se gjendja e prolonguar e status quo-së, kushtimisht, mund të shkaktojë destabilizim të sigurisë së shtetit. Sot këtu para jush, dua të them qartë se bëhet fjalë për analiza dhe parashikime të cilat nuk janë të bazuara në realitet dhe të cilat mund t’i shqetësojnë pa qenë nevoja qytetarët. Ne jemi anëtare e NATO-s, kufizojmë drejtpërdrejt me tri shtete të NATO-s, kurse në Bashkimin Evropian të gjitha vendet, përveç njërit, konsiderojnë se për fillimin e atij procesi kemi bërë më shumë reforma demokratike se secilido shtet tjetër kandidat, në momentin kur ai duhej t’i fillonte negociatat.

Nuk kemi dilemë në lidhje me faktin se integrimet evropiane nuk kanë alternativë tjetër për ne, por, ato gjithsesi kanë çmimin e vet. Nëse ky çmim nënkupton heqje dorë nga identiteti ynë, nuk shoh politikan te ne i cili dëshiron ta shesë popullin e vet për integrime të tilla. Para pak kohësh, me konsensus absolut Rezoluta e miratuar në këtë Kuvend për pozitat shtetërore maqedonase është mjaft indikative në atë drejtim.

Të përsëris, qytetarët tanë mund të jenë të qetë, edhe nëse bllokada zgjat, nuk na kërcënohet asnjë destabilizim i sigurisë pavarësisht nga numri i non-pejpërve të cilët disa i japin me këmbëngulje. Megjithatë, është e mundshme diçka tjetër. Përvoja pas samitit të NATO-s në Bukuresht 2008 na mësoi se është e mundshme prapambetja demokratike dhe format e sundimit autoritar dhe populist të një individi, grupi apo partie. Por, përgjegjësia për një zhvillim të tillë eventual të ngjarjeve nuk do të jetë mbi qytetarët tanë, por te ne politikanë. Ne duhet të dëshmojmë se i kemi mësuar përfundimisht mësimet tragjike të së kaluarës sonë të afërme kur ishim në vetë pragun e një konflikti më të gjerë qytetar.

Në fund, fokusimi i stërmadh në negociatat me BE-në e ka hedhur në plan të dytë, atë që është thelbësore në marrëdhëniet ndërkombëtare, proceset e ndërtimit të marrëdhënieve të mira bilaterale, para së gjithash, me vendet me të cilat kemi qëllime dhe vlera të njëjta. Si rrjedhim, në periudhën e ardhshme do të jetë e domosdoshme me qeverinë e re me temp të përshpejtuar të kryejmë plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve dhe me përpjekje të përbashkëta t’u kushtojmë më shumë vëmendje relacioneve bilaterale të cilat përfshijnë më shumë aspekte, sesa vetëm mbështetjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të nderuar,

Në fjalimin tim vjetor para jush, para dy vjetësh, nga ky vend, e paralajmërova projektin MKD 2030 i cili është përfytyruar të vendosë kornizën strategjike për zhvillimin e shteti në 10 vitet e ardhshme. Për fat të keq, për shkak të pandemisë, si edhe te shumë projekte të tjera, puna e këtij dokumenti, kuptohet që është ngadalësuar, por nuk është harruar. Deri në këtë moment, në suazat e shumë grupeve të punës të cilat janë aktive, kontributin e vet e kanë dhënë shumë individë të shquar nga bashkësia akademike dhe e biznesit, nga sektori qytetar dhe nga ministritë e resorit, nga Kuvendi, odat ekonomike, sindikatat, edhe nga pushteti edhe nga opozita. Edhe pse bota në vitin që po kalon ishte në karantinë, angazhuam edhe dhjetëra intelektualë të shquar nga jashtë dhe nga diaspora jonë, për çka i falënderoj të gjithë sinqerisht.

Ata të gjithë kishin një detyrë komplekse para vetes, sepse anëtarësimi në NATO e vendosi vendin në një kontekst të ri gjeopolitik, kurse në të njëjtën kohë rajoni i Ballkanit Perëndimor ngadalë, por, me siguri filloi të dalë nga perspektivat strategjike të fuqive të mëdha. Pandemia i vendosi në mbikëqyrje të opinionit të gjitha dobësitë e sistemit në infrastrukturën shoqërore, si dhe fushat ku nevojitet investim si përgatitje për botën postkovid.

Ky dokument do të përmbajë vlerësim të anëve tona të fuqishme, por edhe të dobëta që kërkojnë më shumë investime dhe kapital njerëzor, me rekomandim ku t’i fokusojmë përpjekjet tona, me qëllim përfundimtar, një jetë më të mirë për të gjithë. MKD2030 do të theksojë shumë tema dhe fusha të ndërvarura, nga digjitalizimi, decentralizimi dhe demokratizimi, nëpërmjet politikave ekologjike, ekonomike, agrare dhe shëndetësore, dhe deri tek arsimi dhe shkenca dhe lufta kundër shpërnguljes masive të të rinjve.

Nga mesi i vitit 2022 do ta kompletojmë dhe do ta shpallim dokumentin final. Unë shpresoj sinqerisht se nga institucionet kompetente ai do të shndërrohet në Strategji nacionale zhvillimore, kurse në vitet që do të vijë do të zbatohet nga të gjitha qeveritë e ardhshme politike, pa dallim se cilit opsion politik i përkasin. Qëllimi përfundimtar është të krijojmë sisteme të strukturuara me themele të thella dhe me potencial të brendshëm që të mbijetojnë në mënyrë të pavarur, ndërsa jo të varen nga fakti se kush i kryeson ato.

Të nderuar deputetë, i nderuar publik,

Kontestimet me dekada të identitetit tonë, na shtynë të kthehemi më shumë drejt mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë nacionale kulturore. Megjithatë, në tranzicion, për fat të keq, mbisundoi koncepti vulgar neoliberal i komercializimit të tërësishëm edhe në sferën e kulturës që në thelb mbyti shumë aksione kreative të mendjes.

Ka ardhur koha të pyesim veten çfarë bëjmë përballë kulturës së harresës dhe moskujdesit i cili dominon, sepse për Evropën nuk janë të rëndësishme vetëm reformat gjyqësore dhe burokratike, por edhe investimi ynë kulturor. Në Bashkimin Evropian janë anëtare vende me zhvillim unik sociokulturor, aty nuk shkohet si vend i askujt, si pemë pa rrënjë. Ne kemi vepra botërore referente në këtë plan dhe nuk duhet të lejojmë të jemi përjashtim nga ky rregull, për veten tonë, jo për ta. Prandaj nevojitet kujdes shumë më i madh për gjuhën tonë, për institucionet tona kryesore kulturore, për përmendoret tona, për shenjat vitale të identitetit tonë.

Të nderuar,

Në krahasim me dekadat e mëparshme, në Ballkan vërehet një progres relativ ekonomik, megjithatë edhe një prapambetje e theksuar demokratike, që vetëm e përshpejton shpërnguljen e njerëzve dhe e zmadhon apatinë e tyre. Në shumicën e vendeve, udhëheqësit autokratikë dhe populistë po marrin një mbështetje gjithnjë dhe më të madhe nga qytetarët, kurse njëkohësisht mbështetja për integrimet evropiane është në rënie. Për shkak të prapambetjes me dekada në afrimin me Evropën, lojtarët ekstra rajonalë e plotësojnë vakumin strategjik me vlera të cilat nuk përputhen me ato euroatlantike. Dëshminë më të mirë në këtë drejtim e pamë në 18 muajt e kaluar nëpërmjet të a.q. diplomaci kovid.
Siguria e vendos në plan të dytë retorikën dhe agjendën integruese, identikisht si në vitet e hershme të 1990-ta edhe pse është e qartë se nuk ekziston potencial për luftëra të reja, në mungesë të mbështetjes politike dhe resurseve për një zhvillim të tillë të ngjarjeve, është e qartë se politika e stabilokratisë së preferuar dhe e status quo-së përjeton mossukses. Kjo është njohur përfundimisht edhe nga subjektet kryesore të aleancës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe nga Mbretëria e Bashkuara të cilët emëruan të dërguar specialë për Ballkanin Perëndimor gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në të njëjtën kohë, as në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Përballë të gjitha vlerësimeve dhe pritjeve se rajoni është vendosur në mënyrë të pakthyeshme në rrugën perëndimore, tendencat në vitet e fundit dëshmojnë rënie të theksueshme të mbështetjes së integrimeve evropiane. Ne jo vetëm që nuk bëjmë përjashtim nga këto trende, ne, për fat të keq, jemi rekorderë në rajon sipas rënies së mbështetjes e cila në hulumtime relevante është edhe mbi 20% për vetëm dy vjet dhe kjo shkon qartë sipas linjës së përkatësisë etnike të njerëzve që duhet të jetë me patjetër arsye serioze për shqetësim në një bashkësi shumetnike politike siç është e jona.

Edhe pse janë të qarta motivet për ndryshimin e tillë të dispozicionit, domethënë, asnjë popull evropian nuk është pasqyruar ndaj kërkesave të tilla irracionale si ai maqedonas, gjatë përpjekjeve të veta për afirmim ndërkombëtar, duhet të dimë se po hyjmë në një vit në të cilin, jo vetëm ne por edhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përsëri do të ballafaqohemi me dilemat e vjetra. Përkundrejt faktit se prosperiteti i shteteve të një rajoni të njëjtë është i ndërvarur, megjithatë, e ardhmja jonë në pjesën më të madhe varet nga vendimet që i marrim këtu, në institucionit tona nacionale. Parakusht kritik për vendimin e vërtetë është të ndjekim me kujdes çfarë ndodh rreth nesh dhe në qendrat ndërkombëtare të fuqisë dhe të reagojmë në mënyrë të arsyeshme dhe në kohë.

Mundësia e parë para nesh është: të lodhur nga tranzicioni i gjatë dhe nga padrejtësitë e dukshme drejt nesh si popull, të besojmë se nacionalistët dhe populistët dinë më shumë se gjithë të tjerët dhe kanë zgjidhje instante për problemet kryesore, edhe pse është e ditur se askund në botë nuk kanë kontribuuar për lumturinë e njerëzve dhe në prosperitetin e popujve. Mundësia e dytë është t’u japim mbështetje në punë individëve modestë, të arsyeshëm dhe të pakorruptuar në nivel nacional dhe lokal, të cilët dinë ta bashkojnë potencialin e qytetarëve dhe të cilët i preferojnë virtytet, njohuritë dhe integritetin e tyre njerëzor, ndërsa jo përkatësinë partiake dhe etnike.

Dy muaj shpenzuam në zgjedhjet lokale, akoma më shumë kohë në kombinimet dhe kalkulimet partiake për shumicën e re parlamentare. Pres nga qeveria e re, një orë e më parë, të merret me problemet reale të qytetarëve të cilat u shumëfishuan këtë vit, nga pandemi dhe nga kriza ekonomike dhe nga ajo energjetike e cila do të thellohet së shpejti.

Të nderuar,

Edhe pse nuk futet në kompetencat e mia, do të më lejoni, fare shkurtimisht ta komentoj tërheqjen nga politika të kryeministrit të deritanishëm Zoran Zaev, me të cilin në dhjetë vitet e kaluara së bashku kemi luftuar në lëvizjen më të gjerë qytetare për të drejtat dhe liritë njerëzore. Pavarësisht nga qëndrimet individuale të qytetarëve për politikat e kryeministrit në ikje, opinioni i ka të njohura disa mosmarrëveshje edhe midis nesh për disa çështje, ky është një akt i pakontestueshëm që duhet të përshëndetet sepse nuk ndodh shpesh në demokracitë e reja. Është fakt se ai po tërhiqet kur partia e tij është në pushtet, kurse kjo është një situatë diametralisht e kundërt me atë të vitit 2017, kur nuk mund të zbatonim tranzicion të qetë të pushtetit kur kishte shumicë të formuar parlamentare, që provokoi drejtpërdrejt ngjarjet e 27 prillit, turpin më të madh për demokracinë maqedonase në histori.

Duam apo nuk duam, politika është pjesë e jetëve tona, por, asnjëherë nuk duhet të bëhet kurrë e gjithë jeta jonë. Kur njeriu e gjen kuptimin e ekzistimit të vet në fuqinë politike dhe sundimin me të tjerët, kur ardhja dhe mbetja në pushtet është kauza e vetme e jetës së dikujt, ky fakt ua hap derë konflikteve dhe ndarjeve midis njerëzve. Pak veta mbetëm të jetojmë në atdhe, jemi të ndarë në shumë baza, dhe ndarje të reja janë gjëja e fundit që duhet t’ia lejojmë vetvetes.

T’ju uroj në vitin 2022 të keni shëndet ju dhe më të afërmit tuaj dhe të lëmë përfundimisht pas vetes bisedat për vaksinat, maskat, karantinat, izolimin nga njëri-tjetri. Fjala e urtë thotë nëse kemi shëndet për të gjitha problemet e tjera në jetë do të gjejmë zgjidhje, por, megjithatë, do të dëshiroj t’u rekomandoj të gjithë qytetarëve tanë dhe të gjithë politikanëve, në vitin para nesh, të përpiqemi të respektohemi të paktën pak më shumë midis nesh. Nga të gjitha katastrofat për të cilat ishim dëshmitarë dy vitet e fundit mësuam, për fat të keq, në mënyrën më të vështirë, se nëse nuk i kemi më të afërmit pranë nesh, asgjë nuk vlen as pasuritë, as shtëpitë, as paratë, as pushteti.

Qofshi gjallë e shëndoshë të gjithë dhe qoftë i përjetshëm shteti ynë i përbashkët – Republika e Maqedonisë së Veriut!

Ju faleminderit!

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...