Presidenti Pendarovski dekoroi 13 veprimtarë të shquar nga fusha e muzikës popullore maqedonase me Medaljen për Merita

10 Tetor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, në ceremoni solemne në Filarmoni, në prag të 11 Tetorit, Ditës së Kryengritje Popullore, i dekoroi artistet Anka Gieva dhe Violeta Tomovska, si dhe pas vdekjes artistët, Pece Atanasovski, Nikolla Badev, Mirvet Bellovska, Ajri Demirovski, Vaska Ilieva, Vanja Llazarova, Kirill Mançevski, Tale Ognenovski, Koço Petrovski, Aleksandar Sarievski dhe Jonçe Hristovski me Medaljen për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kjo medalje u jepet për kontributin e tyre të madh në kultivimin, popullarizimin dhe ruajtjen e këngës maqedonase popullore dhe burimore, si dhe për promovimin dhe për afirmimin e krijimtarisë muzikore dhe të kulturës maqedonase në suazat ndërkombëtare.

Në fjalimin e vet Presidenti Pendarovski theksoi se artistët e dekoruar ia kushtuan jetën e vet promovimit të krijimtarisë popullore si element thelbësor i identitetit maqedonas. Nëpërmjet talentit të tyre të papërsëritshëm instrumental dhe vokal, tha Presidenti Pendarovski, këta artistë të shquar popullorë e prezantuan muzikën tonë burimore para opinionit maqedonas dhe botëror në mënyrë mjeshtërore.

Në vijim është teksti integral i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar bashkëqytetarë,
Të dashur miq,

Para pak dëgjuam një nga këngët e para të kompozuara dhe të kënduara gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe antifashiste. Himnin e shtetit tonë “Sot mbi Maqedoni lind” (Denes nad Makedonija se ragja), vepër autoriale e Vllado Maleskit, ishte një nga këngët partizane më të njohura, që e kanë bashkuar popullin në luftën për liri nacionale dhe drejtësi sociale.
Në prag të 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, me Medaljen për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut i japim mirënjohje një pjese të artistëve tanë të shquar që krijuan dhe interpretuan këngë për jetën e njerëzve tanë nëpër shekuj dhe për luftën e tij për liri dhe të drejtat e njeriut.

Kemi shumë arsye që t’u jemi mirënjohës legjendave tona, por, sot, prej tyre, do të veçoj vetëm dy. Së pari, krijimtaria popullore është pika qendrore e identitetit maqedonas. Krijimi dhe trashëgimi i këngëve popullore është akti më i rëndësishëm kolektiv krijues i popullit maqedonas në kushte të okupimit dhe propagandave. Këngët i ndihmuan të parët tanë t’i përballojnë të gjitha përpjekjet për asimilim, u bënë pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Si dëshmi për vazhdimësinë gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore, këngët mbajnë mend më shumë sesa ne mund të harrojmë.

Të nderuar,

Artistët të cilët sot i dekorojmë ia kushtuan jetën e vet promovimit të krijimtarisë popullore si element thelbësor i identitetit maqedonas. Nëpërmjet talentit të tyre të papërsëritshëm instrumental dhe vokal, këta artistë të shquar popullorë e prezantuan muzikën tonë burimore para opinionit maqedonas dhe botëror në mënyrë mjeshtërore. Nëpërmjet evenimenteve dhe koncerteve, regjistrimeve tonike dhe video, bota mësoi për ritmin unik maqedonas 7/8. Kurse, vetë artistët krijuan vepra autoriale të cilat janë pranuar nga populli dhe u bënë pjesë e të gjitha festave tona private dhe publike.

Shumica e tyre sot nuk janë më midis nesh. Për fat të keq, më shumë se tri dekada, shteti i pavarur maqedonas nuk ua ka shprehur respektin e merituar, në nivelin më të lartë, për veprën e tyre, edhe pse krijimet e tyre e bënë të njohur emrin maqedonas në të gjitha meridianët.

Do të filloj me bardin e melosit maqedonas, Nikolla Badev, i cili e përjetonte këngën në mënyrë intime dhe emocionalisht inkorporohej në të. Që nga kënga “Parahodi”, nëpërmjet “Posllushajte patrioti” dhe deri te këngët e dashurisë dhe humoristike, Badevi me zërin e tij arrinte që t’i jepte shpirt çdo kënge. Bashkëkohësi i tij më i njohur është bilbili nga Galiçniku, Aleksandar Sarievski. Ky artist, që lind njëherë në 100 vjet ka kënduar qindra këngë, midis të cilave edhe këngën antologjike “Zajdi, zajdi jasno sonce”. Me ta në mënyrë të natyrshme ndërlidhet edhe Vaska Ilieva, mbretëresha e pakurorëzuar e muzikës burimore maqedonase. Ajo i bashkonte maqedonasit kudo qofshin, sidomos me veprën e saj më të interpretuar “Zemjo Makedonsko”. Vaska Ilieva la pas saj mbi 1000 këngë burimore maqedonase dhe ishte një nga ambasadorët më të njohur të muzikës maqedonase në botë.

Të njëjtës gjeneratë i përket edhe Vanja Llazarova, vokaliste e kalibrit botëror. Askush nuk ka mbetur indiferent ndaj interpretimit të saj për klasiken “So maki sum se rodilla”.

Sot e kujtojmë edhe dibranen, Mirvet Bellovska, e cila nga dashuria për këngën e hoqi ferexhenë, që të mund të interpretojë lirisht. Ajo na i la xhirimet e para të këngëve çallga “Po drum odam majçe” dhe “Ja izlezi Gjurgjo”. Nga Rajoni i Dibrës është edhe kolosi i këngës qytetare, lirike dhe elegjiake popullore, Kirill Mançevski. Edhe sot, margaritarët e tij muzikore, “Aber dojde Donke” dhe “Koga si tërgnav vo tugjina” e kanë të njëjtin efekt mbi dëgjuesit si edhe para pesë dekadash.

Në këtë eveniment rikujtojmë edhe bohemin më të madh të gjeneratës së artistëve popullorë, Jonçe Hristovski. Ky këngëtar, kantautor dhe kompozitor, si asnjë tjetër dinte të empatizojë këngën dhe të na ndihmojë ta njihemi edhe në gëzim edhe në hidhërim. Këngët e tij “Oj Vardare makedonski” dhe “Makedonsko devojçe”, janë pranuar prej kohësh te populli ynë si himne të tij joformale.

Midis kolosëve është edhe Ajri Demirovski, i cili larg vendlindjes me nota dhe fjalë të thjeshta dinte të tregonte emocionet më të thella. “Bitolla moj roden kraj” është kënga të cilën shumëkush e konsideron si këngë të shekullit, kurse një varg i saj është shkruar edhe mbi pllakën e varrit të tij në Izmir, Turqi.

Sot në listën e të dekoruarve kemi edhe dy dama të vërteta të muzikës popullore. Anka Gieva e nisi karrierën e vet me “Eleno qerko”, kurse u bë e njohur me këngët legjendare “Kazhi, kazhi libe Stano” dhe “Ajde, sllushaj, sllushaj kalesh bre Angjo”. Të gjithë të kanë marrë pjesë në koncertet e saj, e mbajnë mend se pavarësisht se a ka kënduar solo apo në duet, ka kënduar gjithmonë drejtpërdrejt.

Me ne sot është edhe Violeta Tomovska e cila në 60 vitet e kaluara ka xhiruar mbi 1000 këngë, ka mbajtur një numër të madh koncertesh në vend dhe në botë, dhe ka nxjerrë pllaka me tirazh mbi 100.000 ekzemplarë. Zonja Violeta, Ju faleminderit që na dhuruat kaq këngë të bukura si “Pesna vi peam, Makedonci”, “Za mnogu godini Makedonci” dhe “Molitva”.

Të nderuar,

Të gjitha këta artistë vokalikë në karrierat e tyre kanë interpretuar me orkestra dhe solistë të shumtë, por, midis tyre, veçohen tre emra. Mjeshtri i paarritshëm, solisti i gajdes, Pece Atanasovski, ka qenë njëkohësisht edhe koreograf, valltar, pedagog dhe themelues i festivalit të instrumenteve dhe këngëve popullore që nxori muzikantë etno të përkryer. Ai nuk lejoi që shundi ta prekë dhe ta ndotë traditën e pastër popullore. Emri i dytë është i papërsëritshmi Tale Ognenovski, maqedonasi i cili ka interpretuar në “Karnegi Holl”, një nga virtuozët më të mëdhenj të klarinetës në botë, opusi i të cilit përfshinte muzikë popullore, klasike dhe muzikë etno-xhez. Legjendari Koço Petrovski, përsëri, me harmonikën dhe orkestrën e tij ka kompozuar valle dhe këngë të cilat interpretohen edhe sot e kësaj dite. Shumë yje të estradës sonë i kanë filluar karrierat e veta pikërisht me shoqërinë e tij.

Të nderuar të pranishëm,

Këta janë burimet më të mëdha të muzikës dhe këngës popullore maqedonase. Secili prej tyre meriton nder dhe ceremoni të veçantë, kurse, së bashku na i prezantojnë shtresat e shumta të muzikës burimore popullore maqedonase. Ata kanë bashkëpunuar dhe kanë mbështetur njëri-tjetrin të vetëdijshëm se vetëm se nuk punojnë vetëm për karrierën e vet personale por edhe për një qëllim shumë më të lartë. Shembull për këtë ndërthurje është dueti më i njohur i muzikës popullore maqedonase, Tomovska – Mançevski, që në shoqëri të Koço Petrovskit, kanë interpretuar shumë këngë të shkruara nga Jonçe Hristovski.

Badev dhe Sarievski kanë realizuar duete të paharrueshme me Vaska Ilievën, Anka Gievën dhe Mirvet Bellovskën. Vanja Llazarova ka bashkëpunuar me Pece Atanasovskin. Hristovski, Sarievski dhe Tomovska e bënë të njohur këngën “Bitolla mojot roden kraj” të Ajri Demirovskit.

Veprat e tyre janë shembull për patriotizmin e vërtetë. Prandaj, nuk duhet të na habisë që interpretimet dhe këngët e tyre na lidhin dhe na bashkojnë kaq fuqishëm pavarësisht se ku gjendemi në botë.

Të nderuar të pranishëm,

E gjitha kjo që thamë na çon te arsyeja e dytë e madhe për të cilën u jemi mirënjohës artistëve tanë më të mirë folklorikë, kurse lidhet me sfidën tonë më të madhe nacionale: ndarjen në shoqërinë maqedonase. Jemi vendosur përballë në detyre jo të vogël: si ta ripërtërijmë vetëdijen për të mirën e përgjithshme dhe të reflektojmë dhe punojmë jo vetëm për interesin personal, në kohën e ndarjeve të thella.

Në të kaluarën, kur nuk kemi pasur shtetin e vet, të lirë, maqedonas, këngët popullore u kanë dhënë fuqi dhe shpresë paraardhësve tanë që të përballojnë të gjitha vështirësitë. Edhe sot, krijimtaria e artistëve tanë folkloristë nuk e ndan por e bashkon popullin. Sado që të jemi të ndarë, megjithatë i dëgjojmë dhe i këndojmë të njëjtat këngë të cilat na rikujtojnë se jemi pjesë e të njëjtit popull.

Kur i dëgjojmë dhe këndojmë këto këngë, bëhemi pjesë e takimit të madh të brezave, të kaluar dhe të sotëm, në atdhe dhe në diasporë. Sepse nëpërmjet melosit, e përjetojmë në mënyrë më autentike gjuhën maqedonase si atdheun tonë të vetëm, të plotë. Këto këngë për lirinë, për dhimbjen dhe dashurinë mund, të paktën për momentin, të na ndihmojnë t’i harrojmë ndarjet, si dhe të vërtitim një faqe të re në jetët tona ku do të kemi respekt më të madh për njëri-tjetrin.

Ikonat e muzikës popullore maqedonase na japin shembull se si së bashku mund t’i tejkalojmë edhe sfidat aktuale. Që kënga “Parahodot mi pristigna” të mos jetë fati ynë dhe rrugët e jetës sonë të mos i kalojmë larg atdheut.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit