Fjalimi i Presidentit Pendarovski në hapjen solemne të “Verës së Ohrit”

12 Korrik 2021 | Fjalimet

Të nderuar adhurues të artit, mirëmbrëma!

Para një shekulli e gjysmë i madhi Fjodor Mihajlloviç Dostojevski ka shkruar “E bukura do ta shpëtojë botën”. Një shekull më vonë, duke e analizuar këtë thënie midis përvojave të zymta të Luftës së Dytë Botërore, të holokaustit dhe rrjetit të gulakëve, disidenti i njëmendësisë Sollzhenicin pyeti: “Kur, në historinë tonë, të uritur për gjak, e bukura ka shpëtuar dikë prej diçkaje? E bukura, gjithsesi, na ka fisnikëruar, na e ka ngritur shpirtin, por kë ka shpëtuar ndonjëherë?”

Duke kaluar nëpër vitet tona të pandemisë, ne mund të ndërlidhemi me këto pyetje. Sa na mbron e bukura prej kërcënimit akut të virusit? A mund t’i kthejë e bukura jetët e humbura, ëndrrat e ndërprera, perspektivat e ikura? Si do t’i kompensojë dëmet ekonomike, si do t’i zgjidhë problemet ekologjike, si do t’i korrigjojë padrejtësitë e thella sociale? Nëse para këtyre sfidave u gjunjëzuan dhe më të fuqishmit në planet, si mund ta shpëtojë, në përgjithësi, e bukura botën?

Megjithatë, të dashur miq, paradoksi i të bukurës e cila është mëshiruar në art dhe në kulturë është pikërisht fakti se ajo është një burim i pashtershëm i shpresës për një jetë më të mirë, madje edhe kur i tregon mundime më të mëdha, dhunën ndaj më të pafuqishmëve ose fytyrat e shëmtuara të njerëzve. Arti autentik na ofron shpresën edhe si fenomen personal edhe si fenomen kolektiv, na nxit ta kërkojmë të vërtetën dhe ta përqafojmë mirësinë. Si kritik i të gjitha aparteideve dhe sistemeve të fuqisë, arti na inkurajon të mos pajtohemi me keqpërdorimet dhe të mos heshtim para padrejtësive. Madje edhe kur është injoruar ose ndaluar, arti e ka gjetur rrugën e vet midis njerëzve, midis popujve, gjuhëve dhe kulturave duke e zgjeruar hapësirën për një botë me fytyrë më njerëzore.

Që të mos bjerë në dëshpërim, botës i nevojitet me domosdoshmëri e bukura. Ajo, së bashku me të vërtetën që çliron dhe me mirësinë që fisnikëron mund t’i pajtojë njerëzit, mund ta zvogëlojë dhimbjen e tyre, t’i lidhë gjeneratat dhe t’i japë një shpresë të re njerëzimit. Kurse kjo na nevojitet si kurrë më parë në përditshmërinë e mbushur me nuanca gri.

Tashmë prej 61 vitesh ky institucion u jep hapësirë për krijime të famshme mijërave artistëve nga e gjithë bota. Pikërisht artistët janë ruajtësit e vërtetë të së bukurës, dhe nëpërmjet kësaj edhe dëshmitarë se shpresa për njerëzimin mbijeton. Këtë vit, kur festojmë 30 vjet nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne po e fillojmë festivalin tonë më prestigjioz ndërkombëtar “Vera e Ohrit” me 90 artistë maqedonas, cilësitë e të cilëve me siguri nuk janë më të vogla se emrat më të famshëm botërorë.

Kam kënaqësinë, me këtë konstatim, si mbështetës, ta shpall të hapur Festivalin “Vera e Ohrit”.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....