Presidenti Stevo Pendarovski në një ceremoni solemne në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i dekoroi Goran Stefanovskin, Zafir Haxhimanovin dhe Remzi Nesimin, pas vdekjes, si dhe Zhivko Mukaetovin me Dekoratën për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Goran Stefanovski dekorohet pas vdekjes për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm në vazhdimësinë dhe modernizimin e trashëgimisë letrare kulturore, për themelimin, zhvillimin dhe promovimin e vlerave bashkëkohore kulturore dhe artistike në vend dhe në nivel ndërkombëtar, për zhvillimin e krijimtarisë dramaturgjike maqedonase dhe për vendosjen e bazave të formave të reja dramaturgjike në letërsinë maqedonase, për pasurimin dhe kultivimin e gjuhës maqedonase dhe për vendosjen e modeleve të reja në sferën arsimore dhe pedagogjike.
Zafir Haxhimanov dekorohet pas vdekjes për kontributin kolosal në zhvillimin specifik në shumë zhanre në sferën e krijimtarisë muzikore, për spektrin e pasur dhe specifik në sferën e muzikës, kompozimit dhe interpretimit vokalik, për modelet inovative të promovimit të harmonive tradicionale dhe specifikave në muzikën maqedonase nëpërmjet formave bashkëkohore dhe të njohura.
Remzi Nesimi dekorohet pas vdekjes për kontributin e papërsëritshëm dhe të përhershëm në shkencat filologjike nga fusha e dialektologjisë dhe në promovimin e pasurisë gjuhësore, për promovimin, zhvillimin gjuhësor dhe ankorimin e rëndësisë së albanologjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në mbarë botën në përgjithësi, për veprimtarinë e jashtëzakonshme shkencore e cila kontribuon për formësimin e gjuhës standarde shqipe.
Zhivko Mukaetov dekorohet për vazhdimësinë, inovativitetin, vizionin dhe standardet e përkryera profesionale në menaxhimin bashkëkohor korporativ në industrinë farmaceutike, për cilësinë e dëshmuar në prodhimin e brendeve të cilat janë ndërtuar, mirëmbajtur dhe modernizuar brez pas brezi, për investimin në teknologjitë e reja dhe në edukimin dhe në ekspertizën e kuadrove të cilët i krijojnë brendet, si dhe për kulturën e tij filantrope dhe përgjegjësinë e gjerë shoqërore.
Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski theksoi se katër personalitetet e dekoruara kanë trajektore të ndryshme gjeneratash, krijuese dhe profesionale, por, megjithatë, bashkohen në rrugën e vetme jetësore e cila çon drejt krijimit të vlerave të reja të shoqërisë maqedonase.
Me dhënien e përbashkët të Dekoratës për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut për Goran Stefanovskin, Zafir Haxhimanovin, Remzi Nesimin dhe Zhivko Mukaetovin, siç tha Presidenti Pendarovski, duam t’i veçojmë individët të cilët e krijojnë imazhin më të madh për përparimin e atdheut tonë të përbashkët dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve maqedonas.
Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Miq të dashur,
Mirëdita,
Sot, jemi mbledhur këtu që të tregojmë respekt dhe të falënderojmë katër kolosët tanë. Një shkrimtar dramaturg, një muzikant/aktor, një gjuhëtar dhe një biznesmen. Para nesh janë katër rrëfime jetësh të cilat kanë trajektore të ndryshme gjeneratash, krijuese dhe profesionale, por, megjithatë, bashkohen në një rrugë të vetme njerëzore që çon drejt krijimit të vlerave të larta në shoqërinë maqedonase.
Do të filloj me Goran Stefanovskin, mjeshtrin shkrimtarin tonë, i cili nëpërmjet dramave të veta antologjike na ndihmon që ta kuptojmë rrëfimin për ne. Pas Bllazhe Koneskit, Sllavko Janevskit dhe Petre M. Andreevskit, Stefanovski është ndoshta arkivisti dhe kultivuesi i fundit i madh i kulturës maqedonase dhe i udhëkryqeve maqedonase. Në veprat e tij dhe në evenimentet publike ai na kujtonte vazhdimisht se identiteti nënkupton përgjegjësi dhe punë të mundimshme.
Ky magjistari ynë dramaturg në veprat e veta bën një viviseksion të thellë të qenies njerëzore dhe jep një diagnozë të saktë për shumicën e anomalive maqedonase, ballkanike, por edhe ato globale. Edhe pse janë thënë para 40 vjetësh, shumë nga këndvështrimet e tij janë ende të sakta. Duke theksuar gjithmonë se, që të mbijetojë, njeriu ka nevojë të pashtershme të thurë rrëfime, Goran Stefanovski nëpërmjet dialogëve të vet dramaturgjikë na nxit që ta gjejmë rolin e vërtetë në rrëfimin tonë autentik. Në disa nga ligjëratat e fundit, ai paralajmëroi rrezikun nga klishetë të cilat mund të na çojnë në iluzion, që të na robërojnë në rrëfime të shtrembëruara dhe në rrëfime të rreme për ne vetë. Kurse “rrëfimi i gabuar mund të na kushtojë shtrenjtë”, thoshte Stefanovski, duke na bërë thirrje të gjithëve për një luftë të pamëshirshme kundër stereotipave.
Laureati i dytë është bardi i skenës së muzikës pop maqedonase, i papërsëritshmi, Zafir Haxhimanovi. Ky artist i gjithanshëm dhe i frytshëm nëpërmjet muzikës, poezisë, roleve në drama dhe në filma, arrinte të flasë në gjuhën e shumicës së gjeneratave dhe nëpërmjet kësaj, me lehtësi dhe pa u vënë re të afrojë njerëz dhe popuj të ndryshëm.
Besnik ndaj bërthamës së vet kulturore maqedonase, Haxhimanov arrinte ta interpretonte muzikën burimore maqedonase nëpërmjet formave bashkëkohore dhe të famshme. I njohur për buzëqeshjen e tij të gjerë, ky mbret i shansoneve arriti ta impresionojë publikun kudo që ka interpretuar. Vetë apo në çift me bashkëshorten e tij, legjendaren Senka Veletanliq, ai ka bërë shumë regjistrime zanore, programe televizive dhe ka udhëtuar në mbarë botë, duke mbajtur koncerte dhe duke mbledhur çmime dhe mirënjohje për kulturën maqedonase, por edhe për kulturën e dikurshme më të gjerë jugosllave.
Laureati i tretë është themeluesi i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tonë, profesori Remzi Nesimi. Ky intelektual i madh nga një farkë e rrallë dhe me njohuri të gjera, me punën e vet të frytshme, arsimore, shkencore dhe kulturore kontribuoi mbi standardizimin e gjuhës letrare shqipe dhe për vendosjen e saj në arsim, në mediat e shtypura dhe elektronike në Maqedoni dhe, në përgjithësi, mbi kultivimin dhe mbi pasurimin e gjuhës bashkëkohore shqipe.
Si autor i një numri të madh punimesh shkencore, librash dhe librash shkollorë profesori Nesimi është një nga autoritetet më të mëdha në fushën e albanologjisë, i respektuar dhe i cituar nga të gjithë albanologët te ne dhe në botë. Si gjuhëtar dhe iluminist i spikatur ai e thekson vendin qendror të gjuhës në kulturën e një populli. Gjuha si çelës për interpretimin e botës, transmetimin e mençurisë dhe të përvojave jetësore, për lidhjen e gjeneratave.
Laureati i katërt është sot me ne. Zoti Mukaetov është me siguri një nga personalitetet më të njohura të biznesit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Udhëheq kompani e cila është një nga shtyllat mbartëse të ekonomisë maqedonase, industria e gjashtë farmaceutike në Evropën Juglindore. Në udhëheqjen e tij SHA “Alkaloid” në përpjekjet e veta për të mbijetur në tregu ka investuar rreth 200 milionë euro në kapacite moderne të prodhimtarisë, në pajisje, laboratorë, në teknologji, softuer dhe në kuadër. Falë zotit Mukaetov, brendi “Alkaloid” u bë i njohur për cilësinë e lartë dhe për politikën korporative parimore të kompanisë. Përveç se është një biznesmen i suksesshëm, zoti Mukaetov është një filantrop i njohur i cili si njeriu i parë i Fondacionit “Trajçe Mukaetov” deri më tani u ka dhënë bursa 539 talenteve të reja nga fakultetet e mjekësisë dhe të farmacisë në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodij” në Shkup. Gjithashtu, ai është edhe mbështetës shumëvjeçar i sportit i cili me sukseset e veta, shpesh di ta bashkojë shoqërinë maqedonase.
Miq të dashur,
Secili nga këta njerëz të mëdhenj, është më se e sigurt se meritojnë ceremoni, respekt dhe kujdes të veçantë. Por, me këtë dhënie të përbashkët të “Dekoratës për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, për Goran Stefanovskin, Zafir Haxhimanovin, Remzi Nesimin dhe Zhivko Mukaetovin, duam t’i theksojmë personalitetet të cilët e krijojnë imazhin më të madh mbi përparimin e atdheut tonë të përbashkët dhe mbi mirëqenien e të gjithë qytetarëve maqedonas. Besoj se këtë e ide e ka shprehur më mirë pikërisht Stefanovski, i cili në një rast ka thënë: “Dhëntë Zoti në vitet që vijnë të mund të merremi me tema të imta, me gëzime të vogla, me jetë individuale! Mos u marrshim me zgjidhjen e ekuacioneve strategjike të pamundshme me shumë të panjohur! Ta mbledhim të gjithë trurin kolektiv në një vend dhe ta shfrytëzojmë me mençuri dhe jo ta hedhim nga të gjitha anët dhe të mos e dimë a e kemi për ekonomi apo për kulturë, për paqe apo për luftë, për verë apo për dimër.”
Ju faleminderit.