Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti delegacionin e Institutit të Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodij” në Shkup.
Në këtë takim, ku morën pjesë Ratko Duev, dekani i Fakultetit Filozofik, Trajan GOcevski, ish-dekani i Fakultetit Filozofik dhe profesoreshat Natasha Angelloska-Galevska dhe Elizabeta Tomevska-Ilievska, u bisedua mbi shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Institutit të Pedagogjisë.
Profesorët e informuan Presidentin Pendarovski se në suazat e shënimit të këtij jubileu nga 16 deri më 18 maj në Ohër do të organizohet konferencë ndërkombëtare shkencore, qëllimi i të cilës do të jetë afirmimi dhe promovimi i veprimtarisë së Institutit para opinionit më të gjerë akademik.
Konferenca e titulluar “75 vjet Institut i Pedagogjisë – sfidat edukative-arsimore dhe perspektivat” do të mbahet me mbështetje të Presidentit Pendarovski.
Presidenti Pendarovski, duke i falënderuar për ftesën të jetë mbështetës, e theksoi rëndësinë e kësaj konference shkencore ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë një numër i madh profesorësh universitarë, ekspertësh nga fusha e edukimit, hulumtues, edukator, praktikues dhe studentë nga vendi dhe nga dhjetëra shtete të tjera, kurse nëpërmjet të cilës do të shënohet siç duhet jubileu i madh – 75 vjet nga themelimi i Institutit të Pedagogjisë.
Në këtë takim bashkëfolësit theksuan se konferenca do të jetë një mundësi e përkryer që të bëhet retrospektivë e ngjarjeve të fundit në politikën arsimore, legjislacionin dhe praktikën, si dhe të promovohen koncepte dhe ide të reja dhe të shkëmbehen rezultate të hulumtimeve dhe inovacioneve më të reja.
Instituti i Pedagogjisë i Fakultetit Filozofik në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodij” në Shkup është institucioni i parë dhe më i vjetër i arsimimit të pedagogëve, mësimdhënësve dhe edukatorëve në shtetin tonë prej nga kanë dalë pedagogët më të shquar, ministra dhe doktorë të shkencave pedagogjike.