Pendarovski: Lufta kundër korrupsionit është më efikase kur shteti është i fokusuar në integrimet evropiane

13 Dhjetor 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Shkup mbajti fjalim në konferencën e gjashtë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-MK), me temë “Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian: Vlerat shoqërore themelore për të ardhmen evropiane”.

Në fjalimin e vet Presidenti Pendarovski theksoi se thelbi apo arsyetimi i integrimeve është të zmadhohet sundimi i ligjit si vlerë supreme në shoqëri dhe shtet, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit, jo vetëm në rastin tonë, bëhet më efektive kur shteti është i fokusuar në integrimet evropiane. Prandaj, sipas Presidentit Pendarovski, as konteksti gjeopolitik, as kriza ekonomike apo energjetike, as bllokimet integruese nuk duhet të na defokusojnë nga ky qëllim.

Të nderuar organizatorë,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Këto ditë siç e dini, përfundoi skriningu mbi shkallën e harmonizimit të legjislacionit maqedonas me atë evropian. Presim, në këtë proces të diagnostikohen saktë të gjitha mangësitë apo lëshimet tona sistematike dhe të jepet udhërrëfyes për mandej. Megjithatë përfundim i përgjithshëm është se nuk është bërë sa duhet për kapitullin kryesor – sundimi i të drejtës dhe të drejtat fondamentale të cilat janë alfa dhe omega e integrimeve evropiane.

Me to fillojnë dhe përfundojnë negociatat sepse ato gjenden kudo në çdo sferë. Para pak kohe edhe raporti i Komisionit Evropian konstatoi se nuk kemi përparim në këtë fushë. Kurse, aty ku nuk sundon e drejta, sundojnë paratë.

Të nderuar,

Është evidente, te ne pothuajse shpesh flitet gjuha e korrupsionit. Sipas hulumtimit të mendimit publik të zbatuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të paktën një e treta e qytetarëve maqedonas gjatë vitit të kaluar kanë qenë të ekspozuar ndaj presionit korruptiv dhe për fat të keq, sipas të njëjtës anketë, këtë gjuhë e “flet” edhe një e katërta e qytetarët tanë që iu nënshtruan presionit dhe hynë në një transaksion korruptiv parash, lidhjesh dhe ndikimi. Këtu, nuk flasim vetëm për shuma të mëdha, por edhe për shuma të vogla, në dukje të papërfillshme. Mirëpo, korrupsioni është korrupsion, pavarësisht nëse bëhet fjalë për 500 denarë apo 500.000 denarë.

Për fat të keq, shumë dyer hapen dhe shumë shërbime kryhen për ata të cilët e kuptojnë gjuhën e korrupsionit. Për dallim prej tyre, ata që nuk janë pjesë e këtij zinxhiri shpesh diskriminohen, sepse nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe të marrin shërbimet që u takojnë me ligj. Kurse shumë të rinj që nuk mund të përparojnë në bazë të njohurive, kualifikimeve dhe aftësive të tyre, thjesht po largohen nga shteti.

Efektet e korrupsionit përforcohen nëpërmjet boshllëqeve dhe paqartësive juridike, që keqpërdoren lehtë që të kryhet korrupsion dhe të anashkalohet përgjegjësia. Është shqetësues kur zbatimi i të drejtës, varet nga “shkathtësia” e interpretimit të atyre të cilët duhet ta zbatojnë, prandaj, terminologjia e shpeshtë ligjore fiton kuptim të ndryshëm, ndonjëherë edhe të kundërt me atë burimorin. Në fund të fundit, mbajnë përgjegjësi ata që kanë shkelur ligjin, por, të cilët nuk kanë me se të “tregtojnë” që ta blejnë lirinë e vet.

Mbi këtë gjendje shqetësuese kontribuon edhe pavendosmëria e individëve që të ngrenë para institucioneve kompetente procedura kundër atyre për të cilët ekzistojnë baza dyshimi, por të cilët kanë status të të paprekshmëve në shoqëri.

Lihet përshtypja se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë më të vendosur në luftën kundër korrupsionit te ne sesa nga disa institucionet tona dhe individët në to. Përveç investimit me vite në trajnimin e të punësuarve në sistemin e drejtësisë maqedonase, ata herë pas here përdorin sanksione si të a.q. lista e zezë në të cilën SHBA-ja i vendos njerëzit që i konsideron se janë përfshirë në korrupsion.

Megjithatë, sanksionet e huaja nuk janë të mjaftueshme, jo vetëm sepse ato nuk pasohen nga sanksionet e brendshme. Domethënë, jemi duke u përballuar me një problem shumë më të thellë, sepse korrupsioni ndërkohë është bërë mënyrë jetese për shumëkënd, ose siç e ka cilësuar së fundmi ambasadori holandez, është çështje e mentalitetit të njerëzve që duhet ndryshuar. Njëkohësisht, nuk duhet të lëmë mënjanë disa elementë të tjerë.

Së pari, edhe kur janë ngritur hetimet dhe proceset për korrupsionin e lartë janë jashtëzakonisht të ngadalshme dhe të pasigurta. Mbrojtja e këtyre personave përdor çdo mjet procedural që të zgjaten gjykimet dhe për këtë gjen mirëkuptim te një pjesë e gjykatësve, duke u përforcuar kështu perceptimi i qytetarëve se drejtësia është e ngadaltë, por e paarritshme.

Së dyti, madje edhe proceset e pakta gjyqësore të përfunduara me sukses janë të kufizuara në personalitete konkrete dhe veprime konkrete të kryera në një periudhë konkrete, ku mungon pothuajse gjithmonë vazhdimësi në aksionet e shtetit sidomos pas ndryshimeve të pushtetit në nivel qendror ose lokal. Këto periudha vakumi i shkatërrojnë praktikisht efektet e rasteve të rralla të përfunduara me sukses kundër korrupsionit te mbartësit e funksioneve publike.

Së treti dhe më e rëndësishmja, praktikat institucionale dhe kultura që e mundësojnë korrupsionin mund të ndryshojnë vetëm nga brenda. Ose me fjalë të tjera është e domosdoshme udhëheqja etike në vetë institucionet.

Për reduktim drastik të korrupsionit duhet të insistojmë jo vetëm në hetime por edhe në vendime të plotfuqishme sepse në këtë mënyrë dëshmohet se ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë, madje edhe për më të fuqishmit dhe më të pasurit.

Mandej, në çdo njësi, sektor dhe institucion me ndihmë të trupave të antikorrupsionit, sektorit joqeveritar dhe opinionit duhet të ndërtohet kultura e integritetit profesional dhe personal të të çdo të punësuari në ato institucione, por edhe të institucioneve në tërësi.

Nëse nuk e bëjmë këtë vazhdimisht, rastet e pakta gjyqësore të përfunduara me sukses do të jenë vetëm një qetësi e shkurtër para furtunës së re korruptuese.

Të nderuar të pranishëm,

Thelbi apo arsyetimi i integrimeve është të zmadhohet sundimi i ligjit si vlerë supreme në shoqëri dhe shtet. Lufta kundër korrupsionit, jo vetëm në rastin tonë, bëhet më efektive kur shteti është i fokusuar në integrimet evropiane. Prandaj, as konteksti gjeopolitik, as kriza ekonomike apo energjetike, as bllokimet integruese nuk duhet të na defokusojnë nga ky qëllim.

E dimë se për nga natyra e tij, integrimi evropian nuk mund të jetë qëllimi dhe prioriteti i vetëm një garniture politike. Është projekt kombëtar që është përkrahur që nga fillimi i pavarësisë maqedonase.

Prandaj, u bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, që të përfshihen në mënyrë konstruktive në proces dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e tij. Si përpjekje mbipartiake, reformat evropiane mund të na ndihmojnë të kthejmë të mirën e përbashkët dhe interesin publik në thelbin e diskursit dhe praktikës politike.

Rregull i vjetër është se së bashku mund të arrijmë atë që veç e veç nuk mund ta arrijmë. Kurse imperativ nacional numër një është të zbatojmë reforma serioze që të hapim mundësi të reja jo për ne personalisht, por për të gjithë qytetarët maqedonas.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Pendarovski: VMRO-DPMNE nuk ka ofertë thelbësore për qytetarët

Pendarovski: VMRO-DPMNE nuk ka ofertë thelbësore për qytetarët

VMRO-DPMNE në mungesë të ideve dhe të ofertës thelbësore për qytetarët vazhdon të përdorë zhargonin rrugor dhe frazat e konsumuara, duke u përpjekur që ta diskreditojë Presidentin Pendarovski dhe reputacionin e tij. Me komunikimin e tillë politik VMRO-DPMNE-ja nuk do...

Kabinet i hapur me fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare nga Shkupi “Dimitar Makedonski”, “Kiro Gligorov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu”

Kabinet i hapur me fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare nga Shkupi “Dimitar Makedonski”, “Kiro Gligorov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu”

Në suazat e aktivitetit “Kabinet i hapur”, sot Kabinetin e Presidentit e vizituan fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” nga Shuto Orizari, dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare “Dimitar Makedonski” nga Aerodromi, “Kiro Gligorov” nga Qendra dhe “Kuzman Josifovski...