Presidenti Stevo Pendarovski sot në MladiHab u takua me Gorjan Jovanovskin dhe me Dragan Gelevskin – themelues të platformës së re më të madhe në botë për të dhëna klimatike, EarthCare.ai.
Presidenti u njoh me qëllimin e kësaj platforme e cila mundëson qasje më të lehtë, të centralizuar te të dhënat klimatike dhe tek informacionet e domosdoshme për mjedisin jetësor në nivel botëror.
Të udhëhequr nga nevoja për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore në kohën e duhur, Jovanovski dhe Gelevski theksuan se platforma fillimisht u kushtohet bizneseve në sektorin e sigurimeve, ndërtimtarisë dhe bujqësisë, të cilët, nëpërmjet njohurive për trendet e motit, do të jenë në gjendje të marrin vendime të sigurta për biznesin e tyre, klientët dhe mjedisin jetësor.
Duke i uruar për suksesin e tyre të jashtëzakonshëm, Presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë që me inventivitetin, kreativitetin dhe profesionalizmin e tyre të lartë kontribuojnë në ballafaqimin me një prej sfidave më serioze të ditëve të sotme. Në takim u theksua se kjo do të mundësojë krijimin e politikave, strategjive dhe zgjidhjeve të qëndrueshme.
Duke folur mbi idenë dhe procesin e zhvillimit të platformës së re, të dy bashkëbiseduesit iu referuan platformës tashmë globale AirCare (MojVozduh), i cili është pjesë e 12 startapeve të gjeneratës së sivjetme të TechStars – program me renome në Berlin. Në këtë kontekst, ata theksuan se mentorimi dhe bashkëpunimi me ekspertë të IT-së dhe biznesit i ndihmoi theksueshëm në ristrukturimin e aplikacionit AirCare në platformën e re EarthCare.ai. e cila ka gamë të gjerë të dhënash për parashikimin më të madh të fatkeqësive natyrore.