Presidenti Stevo Pendarovski, në suazat e vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, sot në Zagreb u takua me Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Në këtë takim u shpreh kënaqësia nga zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve dhe është theksuar karakteri i tyre miqësor, shkëmbimi i përhershëm i vizitave dhe takimeve bilaterale në nivelin e lartë dhe atë më të lartë, si dhe bashkëpunimi konstruktiv në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Njëkohësisht, është vlerësuar se të dy shtetet kanë bashkëpunim të përkryer në planin rajonal dhe multilateral, me theks mbi aleancën në NATO, ku shteti ynë është i përkushtuar fort në promovimin dhe shkëmbimin e vlerave dhe përgjegjësive të përbashkëta.
Në kontekstin e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, Presidenti Pendarovski e përshëndeti idenë për mbajtjen e një mbledhje të përbashkët të qeverive të të dy vendeve, ku do të bisedohej mbi drejtimet e bashkëpunimit në të ardhmen.
Duke folur mbi zhvillimin e fundit të ngjarjeve për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, Presidenti Pendarovski shprehu falënderim për mbështetjen parimore të Republikës së Kroacisë për fillim pa shtyrje të negociatave aderuese për anëtarësim në BE.
Në këtë takim janë shkëmbyer edhe informacione mbi procesin aktual të vaksinimit kundër kovid-19. Në këtë kontekst, Presidenti Pendarovski e falënderoi Qeverinë kroate për qëllim të dhurojë 10.000 doza të vaksinës Astra Zeneka për shtetin tonë.
Presidenti Pendarovski e theksoi edhe interesin e shtetit tonë për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar me Republikën e Kroacisë, kurse për këtë gjë ekzistojnë edhe mundësi të pashfrytëzuara.