Pendarovski: Investimi në policinë tonë është investim në të tashmen dhe të ardhshmen tonë të sigurt

20 Gusht 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në ceremoninë që u mbajt në Qendrën e trajnimit në Idrizovë me rastin e promovimit të nëpunësve të rinj policorë.

Presidenti Pendarovski i përgëzoi të gjithë përfaqësuesit e rinj të policisë maqedonase për trajnimin e përfunduar me sukses dhe u dëshiroi sukses në punën e mëtejshme.

Në vijim është fjalimi integral i Presidentit Pendarovski.

I nderuar ministër i Punëve të Brendshme,
Të nderuar përfaqësues të policisë maqedonase,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar të ftuar,
Miq të dashur,

Më lejoni së pari të shpreh falënderimin për mundësinë që të marr pjesë dhe të mbaj fjalim në ceremoninë e sotshme në Qendrën për trajnim në Idrizovë me rastin e promovimit të nëpunësve të rinj policorë.

Padyshim që bëhet fjalë për një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për policinë maqedonase, por edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të brendshme janë garanci për paqen dhe rendin publik, për mbrojtjen dhe sigurinë tonë. Në tri dekadat e kaluara kemi ndërtuar një polici profesionalisht të lartë në radhët e të cilës janë më të mirë më të përgatiturit, të cilët profesionalisht, me dinjitet dhe me integritet personal i kryejnë detyrat e veta, duke qenë gjithmonë në dispozicion të qytetarëve dhe të nevojave të tyre.

Me çdo gjeneratë të re të nëpunësve policorë vjen edhe energji e re, përkushtim dhe vendosmëri e re. Pikërisht te ju, 590 nëpunësit e rinj policorë, burra dhe gra, shohim profesionalistë të motivuar, të përkushtuar të cilët do t’i kryejnë obligimet e veta, do t’i shërbejnë vendit të vet, dhe do ta mbrojnë jetën dhe pronën e bashkëqytetarëve të vet.

Që sot në duart tuaja do të jetë siguria dhe mbrojtja e të gjithë bashkësisë, në duart tuaja do të jetë ruajtja e paqes në vend dhe e jetës së qetë të qytetarëve. Pa dallim nga përkatësia gjinore, etnike apo fetare ju mbani uniformë të njëjtë, jeni pjesë e të njëjtin institucion dhe do të luftoni bashkërisht kundër armikut të përbashkët të shtetit tonë të përbashkët, kurse ai është krimi. Nëse jeni të përgatitur, solidarë dhe të përkushtuar maksimalisht nuk dyshoj se do të jepni gjithçka nga vetja në plotësimin e obligimeve ndaj shërbimit dhe ndaj atdheut.

Të nderuar,

Jetojmë në kohë të komplikuara të cilat kërkojnë vigjilencë dhe angazhim të përhershëm. Edhe ne, si e gjithë bota po i ndiejmë pasojat e luftës, të konflikteve, të pandemisë, të krizave energjetike dhe financiare, të tensioneve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pandemi e kovid-19 e cila nuk ka përfunduar ende dhe është një kërcënim i hapur për shëndetin e qytetarëve i vendosi në test punonjësit tanë shëndetësorë, por edhe të gjithë përfaqësuesit e MPB-së. Pikërisht policia jonë me angazhimin natë e ditë u kujdes për zbatimin e masave ristriktive, orët policore, karantinën e obliguar, gjithçka në funksion të parandalimit të shpërhapjes së virusit dhe për mbrojtjen e më të lëndueshmeve.

Forcat tona policore, edhe këtë verë, si edhe në vitet e kaluara janë në dispozicion gjatë fikjes së zjarreve dhe parandalimin e shpërhapjes së tyre dhe rrezikimit të jetëve njerëzore. Përfaqësuesit e policisë maqedonase i ruajnë kufijtë tanë dhe e parandalojnë kontrabandimin e migrantëve, i cili edhe pse me intensitet të zvogëluar nuk ka përfunduar. Policia maqedonase ka rol vendimtar në shkatërrimin e krimit të organizuar i cili është sfidë, por, është e trajnuar të ballafaqohet edhe me kërcënimet e tjera, siç janë terrorizmi, kërcënimet hibride apo sajber-krimi.

Duke pasur parasysh detyrat komplekse që ligjet ia vendosin Ministrisë së Punëve të Brendshme, parakusht absolut është që edhe mandej t’i përparojmë kushtet e punës së nëpunësve policorë, të mundësojmë trajnime profesionale për përparimin e shkathtësive dhe njohurive të tyre. Gjithsesi, gjatë kësaj, është kruciale vlerësimi i drejtë financiar i punës së tyre. Besoj se për të gjitha ktë gjëra kemi arritur konsensus dhe mirëkuptim se investimi në policinë tonë është investim në të tashmen dhe të ardhmen tonë të sigurt.

Në fund, më lejoni edhe njëherë t’i përgëzoj të gjithë përfaqësuesit e rinj të policës maqedonase për trajnimin e përfunduar me sukses dhe t’u dëshiroj sukses në punën e mëtejshme. Gjithsesi, përveç përparimit dhe zhvillimit profesional, dua t’ju uroj në plan personal, shëndet dhe lumturi edhe për ju edhe për familjet tuaja.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit