Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Personave me Sindromën Daun, Presidenti Pendarovski e dërgoi këtë mesazh:
Dita Botërore e Personave me Sindromën Daun, dita e 21 e muajit të tretë, si simbol i tri kopjeve të kromozomit 21 që i kanë personat me sindromën Daun, është vetëm një nga rastet e vargut të cilat na kujtojnë se çfarë kemi bërë për këta persona të cilët jetojnë me këtë gjendje dhe cilat janë hapat e ardhshëm që duhet t’i ndërmarrim që të sigurojmë atyre jetë të barabartë dhe cilësore.
Jam i bindur se me ngritje të vazhdueshme të vetëdijes publike dhe me përforcim të shërbimeve inkluzive mund t’u mundësojmë bashkëqytetarëve tanë me sindromën Daun të kenë jetë të plotësuar, të bazuar në barazi dhe mosdiskriminim.
T’i rrëzojmë stereotipat, të fokusohemi te funksionimi dhe zhvillimi i shkathtësive të personave me sindromën Daun, me qëllim që t’u japim hapësirë në shoqërinë tonë të përbashkët.
Me qëllim që të integrohen pa pengesa personat me sindromën Daun në shoqërinë e tërësishme, na nevojitet realizim i planifikuar dhe i koordinuar i aktiviteteve të të gjitha palëve të prekura: institucione shtetërore, institucione shëndetësore, institucione arsimore, qendra sociale dhe organizata qytetare.
Shpreh mbështetje pa rezerva për të gjithë prindërit dhe familjet e personave me sindromën Daun, si dhe i falënderoj të gjitha institucionet dhe individët të cilët janë përfshirë në procesin e tyre edukues, kujdesin mjekësor dhe mbrojtjen sociale.
Raporti ynë me këta persona me aftësi të kufizuara është edhe një testim i përpjekjeve deklarative për ndërtim të shoqërisë inkluzive ku i gëzojnë në mënyrë të barabartë liritë dhe të drejtat e njeriut.