Presidentët Pendarovski dhe Duda në forumin ekonomik polak-maqedonas

24 Tetor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Varshavë, në suazat e vizitës zyrtare në Republikën e Polonisë, së bashku me Presidentin Andzhej Duda, morën pjesë dhe diskutuan në forumin ekonomik polak-maqedonas, organizuar nga Agjencia polake për investime dhe tregti dhe Kabineti i Presidentit të Polonisë.

Presidentët Pendarovski dhe Duda në fjalimet e veta konstatuan se midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Polonisë ekziston një bashkëpunim ekonomik në rritje, por thanë se shkëmbimi tregtar në vitet e kaluara nuk përputhet me potencialet ekonomike të të dy shteteve.

Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski duke shprehur kënaqësinë që në kontaktet intensive me Presidentin Duda gjithmonë në fokus lihet vend për bashkëpunimin ekonomik, tha se ky segment merr rëndësi edhe më të madhe nëse merren parasysh të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohet i gjithë kontinenti evropian për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ai tha se pothuajse nuk ekziston vend i cili nuk është goditur ekonomikisht nga konflikti ushtarak në Ukrainë dhe i cili mund të ballafaqohet vetë me të gjitha sfidat.

Në kushte të tilla, tha Presidenti Pendarovski, zgjidhjet afatshkurtra, të cilat jemi të detyruar t’i marrim, i lehtësojnë vetëm pjesërisht efektet negative të faktorëve joekonomikë. “Prandaj, përforcimi i mëtejshëm sistematik dhe i strukturuar i bashkëpunimit midis vendeve tona imponohet si prioriteti i parë, sepse të mira nga kjo do të kini jo vetëm ju si biznesmenë por edhe qytetarët tanë të cilët i ndiejnë drejtpërdrejt efektet e një bashkëpunimi të tillë”, rekomandoi Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski, duke rikujtuar se midis Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë ekzistojnë tashmë bazë solide juridike-kontraktuese dhe rrjet i vendosur i kontakteve midis bizneseve dhe institucioneve përkatëse, vlerësoi se hapi kryesor i bërë në integrimet evropiane, duke i hapur negociatat për anëtarësim në BE, do të ndikojë pozitivisht mbi ambientin e përgjithshëm të biznesit dhe mbi lidhjen e mëtejshme ekonomike me vende mike anëtare të Bashkimit.

Në këtë takim, Presidenti Pendarovski shprehu pritjen se bashkësitë e biznesit të të dy shteteve do të arrijnë, madje edhe në kohë të tilla krize dhe situata të vështira të gjejnë mundësi për prosperitet.

“Ekzistojnë një numër i madh sferash ku nevojitet të zmadhohet bashkëpunimi dhe nuk duhet të presim kohë më të mira, por të përshtatemi menjëherë me realitetin e ri dhe t’i shfrytëzojmë së bashku të gjitha shanset e ofruara. Çdo rrëfim i suksesshëm biznesi i përforcon edhe marrëdhëniet tona bilaterale, kurse kjo sot, në kushtet e jostabilitetit dhe sulmit mbi vlerat tona të përbashkëta demokratike nga subjekte ndërkombëtare retrograde, është vlerë e shtuar”, rekomandoi Presidenti Pendarovski në këtë forum biznesi.

Presidenti Pendarovski është në vizitë dyditore zyrtare në Republikën e Polonisë. Me nderimet shtetërore dhe ushtarake këtë mëngjes në Varshavë, u prit nga Presidenti i Republikës së Polonisë, Andzhej Duda, pas kësaj u mbajt takim tet-a-tet i të dy presidentëve, takim plenar i delegacionit maqedonas dhe atij polak, si dhe takim edhe me kryeministrin e Republikës së Polonisë, Mateuzh Moravjecki.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....