Presidenti Stevo Pendarovski në suazat e projektit “Ballë për ballë me Presidentin” sot e vizitoi Kratovën.
Presidenti Pendarovski u mirëprit nga profesori i lëndëve profesionale në degën e hotelierisë dhe turizmit në shkollën e mesme “Mitko Penxhukliski”, Mlladen Micevski, i cili me një pjesë të nxënësve të tij ia prezantuan Presidentit punimet me dorë të traditës maqedonase, punime me thurje, artikuj të zdrukthëtarisë dhe qeramikës, si dhe ushqime të përgatitura në mënyrën tradicionale të Kratovës.
Micevski së bashku me profesoreshën e lëndëve ekonomike Dragana Andreeva Jakimova, këmbëngulin t’i zbulojnë talentet e nxënësve dhe t’i promovojnë që t’i shndërrojnë shkathtësitë e tyre në ide kreative biznesi. Në këtë mënyrë nxënësit i ruajnë vlerat e Kratovës dhe duke e promovuar qytetin do të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit rural.
Në bisedë me Presidentin ata e theksuan rëndësinë e kombinimit të arsimit profesional dhe biznesit, si dhe zbatimin e zejeve tradicionale sipas trendeve moderne. Dy profesorët e informuan Presidentin se aktualisht po punojnë aktivisht dhe me entuziazëm me rreth pesëdhjetë nxënës dhe përveç nxitjes së sipërmarrjes, aktivitetet e tyre kanë edhe dimension human – një pjesë të produkteve të tyre tradicionale e dhurojnë për personat me aftësi të kufizuara.
Micevski i cili duke punuar si ciceron turistik ka kontribut të madh në afirmimin dhe promovimin e Kratovës, ia prezantoi Presidentit Pendarovski trashëgiminë e pasur historike-kulturore dhe raritetet natyrore të qytetit, pishat e njohura të Kratovës të shekullit të 14, Sahat kullën mesjetare, çarshinë e vjetër “Ajduçka” si dhe muralin për nder të Vanja Llazarovës të punuar me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë sonë.
Në Kratovë, Presidenti Pendarovski e vizitoi edhe punëtorinë zejtare të kovaçit Mijallçe Nushev, një nga zejtarët e paktë aktivë në Kratovë, i cili zanatin e kovaçit e ka trashëguar nga i ati me dëshirë që ta ruajë traditën.
.