Presidenti Stevo Pendarovski, sot, në Vilën Vodno, ua dorëzoi mirënjohjen “Unaza e inxhinierit” studentëve më të suksesshëm të diplomuar nga fusha e disiplinave inxhinierike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Mirënjohjen “Unaza e inxhinierit” qëllimi i të cilës është dhënie e mirënjohjes, por edhe afirmimi i profesioneve të inxhinierisë dhe nxitja për formimin e pasardhësve cilësorë inxhinierë, e jep Institucioni Inxhinierik i Maqedonisë dhe Oda e Arkitektëve të Autorizuar dhe të Inxhinierëve të Autorizuar, në patronazh të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë vit fituesit e kësaj mirënjohjeje janë 8 inxhinierë të diplomuar nga fusha të ndryshme.
Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski e theksoi rëndësinë e inxhinierisë në krijimin e të ardhmes së tërësishme në çdo shoqëri.
“Jetojmë në një botë e cila ndryshon shpejt dhe e cila varet nga teknologjitë bashkëkohore të cilat hapin perspektiva të reja, por edhe një botë e cila është e lëndueshme dhe e thyeshme, kurse këtë e dëshmon sidomos pandemia aktuale me kovid-19. Si inxhinierë të ardhshëm, ju jeni pjesë e potencialit tonë njerëzor mbi të cilin duhet të bazohet me patjetër e ardhmja e vendit tonë”, theksoi Presidenti Pendarovski.
Sipas Presidentit, pa dallim se a bëhet fjalë për arkitektë, inxhinierë mekanikë, informaticienë, teknologë, elektroteknikë, inxhinierë ndërtimi, bujqësorë apo pyjesh, sfida e tyre profesionale është realizimi i zhvillimit personal, por edhe progresi për bashkësinë më të gjerë ku jetojnë.
“Shpresoj se shumica prej jush do të vazhdojnë të mbindërtohen, të përparojnë dhe të punojnë profesionalisht në atdheun e vet. Që të ndodhë kjo, duhet të krijohen të gjitha parakushtet nga subjektet relevante: institucionet shtetërore, sistemi i arsimit, bashkësia e biznesit, që e ardhmja juaj dhe zhvillimi profesional të lidhen me vendin amë”, theksoi Presidenti Pendarovski, duke u uruar inxhinierëve të rinj sukses të mëtejshëm dhe të jenë fuqia lëvizëse e cila do të mundësojë përparim dhe një shoqëri të mirëqenies.
Mirënjohja “Unaza e inxhinierit” jepet për të 17-tën herë, kurse deri më tani e kanë marrë 178 inxhinierë të diplomuar.