Presidenti Pendarovski e nënshkroi Deklaratën për Fëmijët, të Rinjtë dhe Aksionin klimatik

23 Dhjetor 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot e nënshkroi Deklaratën për Fëmijët, të Rinjtë dhe Ndryshimet Klimatike, në prani të aktivistëve të rinj të cilët morën pjesë në Samitin rinor mbi ndryshimet klimatike në Shkup, ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe përfaqësues së UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Patricia di Xhovani.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj Deklarate, në Kabinet u mbajt debat tematik ku u diskutua mbi obligimet që dalin nga Samiti i sivjetshëm për ndryshime klimatike COP26 Glasgou, aktivitetet aktuale që ndërmerren nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe mbi hapat e mëtejshëm në nivel nacional. Aktivistët e rinj diskutuan mbi mundësitë për përfshirje më të gjerë të tyre në proceset e vendimmarrjes dhe krijimit të politikave për ndryshimet klimatike dhe shprehën interes për masa që  ndërmerren që të mbrohen pyjet, të reduktohet dhe parandalohet hedhja e mbeturinave dhe të përmirësohet cilësia e ajrit.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti entuziazmin e të rinjve dhe theksoi se kjo Deklaratë na rikujton se një nga motivet kryesore për ballafaqim me ndryshimet klimatike janë pikërisht fëmijët dhe të rinjtë, përkatësisht e drejta e tyre për klimë të sigurt dhe mjedis jetësor të shëndetshëm. “Duhet të krijojmë hapësirë të rinjtë si brezi më i informuar dhe më i digjitalizuar të përfshihen në ballafaqimin me problemet ekologjike dhe ta thonë mendimin e vet mbi politikat klimatike”, rekomandoi Presidenti, duke shtuar se është me rëndësi të jashtëzakonshme ngritja e vetëdijes publike dhe trajnimi i të rinjve, kurse për këtë gjë është i domosdoshëm integrimi i aspekteve klimatike dhe ekologjike në Strategjinë nacionale për arsim, përkatësisht në programet arsimore.

Ministri Nuredini foli mbi ambiciet nacionale klimatike dhe i inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë aktivisht edhe në miratimin e Ligjit të parë për aksion klimatik me të cilin do të ndërtohet rruga drejt neutralitetit karbonik në vend. Ministri u bëri thirrje të rinjve të jenë aktivistë dhe të zëshëm që të dëgjohen duke i dalluar si fuqi lëvizëse dhe motivuese për ndërtimin e shtetit të qëndrueshëm.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia di Xhovani, duke e përshëndetur nënshkrimin e kësaj Deklarate theksoi se ky dokument i reflekton përpjekjet e vendeve që t’i marrin parasysh nevojat, të drejtat dhe perspektivat e fëmijëve në politikat për ndryshimet klimatike në të gjitha nivelet.

“Nënshkrimi i kësaj Deklarate është një moment i rëndësishëm që vjen pas Samitit rinor për ndryshimet klimatike, ku i dëgjuam të rinjtë, shqetësimet dhe thirrjet e tyre për aksion për mbrojtje të mjedisit jetësor. Njëkohësisht, e dëshmon kapacitetin enorm të fëmijëve dhe të rinjve që të jenë agjentë të fuqishëm për ndryshim” tha Di Xhovani, duke shtuar se kriza klimatike është krizë e të drejtave të fëmijëve.

Maqedonia e Veriut iu bashkëngjit tridhjetë vendeve evropiane nënshkruese të Deklaratës për Fëmijët, të Rinjtë dhe Aksion Klimatik, e cila u miratua në Samitin për ndryshimet klimatike në Madrid në vitin 2019.

Një nga qëllimet e kësaj Deklarate është të zmadhohet pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e lehtësimit dhe adaptimit të ndryshimeve klimatike, nëpërmjet edukimit më të madh mbi ndryshimet klimatike dhe mjedisin jetësor, si dhe fitimin e njohurive dhe shkathtësive të nevojshme që të mbrojnë vetveten dhe të kontribuojnë për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.

Gjatë vizitës në Kabinet, në suazat e Programit “Kabinet i hapur”, aktivistët e rinj u njohën me historinë e objektit, me një pjesë të aktiviteteve që janë realizuar, si dhe me mënyrën e funksionimit të këtij institucioni. Njëkohësisht kishin mundësi t’i vizitojnë hapësirat ku realizohen takimet zyrtare dhe të punës, si dhe sallat për solemnitete, takime, evenimente dhe konferenca për shtyp.

 

​​ ​

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....