Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti ushtruesin e detyrës në Ambasadën e Shtetit të Katarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sheikun Jasim bin Hamad Al-Tani.
Në këtë takim janë shkëmbyer mendime për rrjedhën dhe dinamikën e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve dhe është riafirmuar interesi për përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Katarin në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.
Në këtë drejtim, janë shqyrtuar edhe mundësitë për shfrytëzim të potencialeve ekonomike që i posedojnë të dy vendet, intensifikimin e relacioneve të biznesit dhe mundësinë për realizim të investimeve të huaja në vend.
Presidenti Pendarovski e tha dhe nevojën e përparimit të kornizës së dakorduar dhe rrumbullakim të marrëveshjeve bilaterale për bashkëpunim, si dhe domosdoshmërinë për lehtësimin e mëtejshëm të regjimit të vizave.
Presidenti Pendarovski dhe ushtruesi i detyrës, sheiku Jasim bin Hamad Al-Tani shkëmbyen mendime dhe për sfidat të cilat dalin nga ballafaqimi me pandeminë e kovid-19, si dhe për pasojat e gjendjes aktuale në nivel global. Në këtë drejtim, Presidenti shprehu falënderim për donacionin nga Shteti i Katarit në ballafaqimin me kovid-19 dhe shprehu pritje për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e shëndetësisë.