Presidenti Pendarovski e vizitoi spitalin modular të djegur në Tetovë

9 Shtator 2021 | Kumtesat

 

Presidenti Stevo Pendarovski, sot në Tetovë e vizitoi spitalin modular të djegur për mjekim të pacientëve me kovid-19, ku në zjarrin e mbrëmshëm humbën jetën 14 persona.

 

Presidenti Pendarovski u informua mbi njohuritë paraprake lidhur me evenimentin tragjik.

“Erdha të shpreh solidaritetin me qytetarët e Tetovës dhe më shumë me ata të cilët i humbën të afërmit e vet dhe të bisedoj në vendngjarje me autoritetet. Prokurori kompetent publik më informoi se për një deri në dy orë edhe formalisht do ta përfundojnë hetimin, i cili tashmë është në ditën e dytë dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm do të dalin me raportin e tyre. Procedura është: ata u japin urdhra institucioneve të tjera kompetente, nga obduksioni deri te Ministria e Punëve të Brendshme. Prokurori më tha se do t’u japë afate shumë të shkurtra, ndoshta pesë ditë që çdo institucion të japë përgjigje nga kompetenca e vet. Pas marrjes së atyre raporteve të veçanta, do të dalë ai me raportin e vet përmbledhës, ku do të shihet së pari cili është shkaku i zjarrit, dhe së dyti a ka për këtë gjë eventualisht ndonjë gabim njerëzor”, tha Presidenti Pendarovski.

 

“Në këtë fazë, supozoj se  e dini vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që të shpallë tri ditë zie në territorin e gjithë vendit dhe bëri thirrje edhe për ekspertizë të huaj që të ndihmojë për ngjarje të tilla specifike dhe zjarre specifike. Nga e gjithë ajo që dëgjova dhe nga përgjegjësi në ekipin e zjarrfikëses, vetëm për disa minuta u dogj i gjithë objekti, që është në vetvete bazë për analizë. Megjithatë, kjo është punë e institucioneve kompetente. Ne kemi mjaft kuadër ekspert në të gjitha këto institucione të cilat janë involvuar në këtë, të them, hetim shumë shtresash. Unë nuk dyshoj se për një kohë të shkurtër do ta dimë shkakun e vërtetë”, tha Presidenti Pendarovski.

 

“Atë që dua ta shpreh publikisht – deri në këtë moment, sepse ka pasur spekulime, unë këtë mëngjes bisedova me Presidentin e Sllovenisë, Pahor i cili më pyeti për të njëjtën gjë, ka spekulime të ndryshme se ndoshta zjarri është vënë me qëllim, se ka lidhje me 30 vjetorin e pavarësisë, se ka komplote të tilla për këtë gjë – deri në këtë moment nuk ka asnjë indikator se kjo është bërë me qëllim, që të arrihet ndonjë qëllim tjetër politik. Megjithatë them, kështu është deri në këtë moment, dhe kuptohet se atë do t’ua thotë sot ose në ditët e ardhshme prokurori kompetent përgjegjës”, tha Presidenti Pendarovski.

 

Pyetjes së gazetarit se a do të kërkojë dorëheqje nga dikush, Presidenti Pendarovski theksoi se insiston gjithmonë në përgjegjësi, politike ose morale, dhe deklaroi se duhet të priten gjetjet e hetimit. Zbardhja e rasteve të tilla, sipas Presidentit Pendarovski janë test nëpërmjet të cilit duhet ta vërtetojmë se a e meritojmë me të vërtetë pavarësinë e shtetit.

 

Presidenti Pendarovski para spitalit modular në Tetovë për ngjarjen tragjike bisedoi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral lejtnantin Vasko Gjurçinovskin, nënkolonelin Izeir Ejupin, komandantin e batalionit të tretë të këmbësorisë, me drejtorin e spitalit, Florim Besimin dhe me komandantin e Njësisë së zjarrfikëses, Uka Aliti, ku u informua personalisht mbi ngjarjet e mbrëmshme.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....