Presidenti Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të SHBA-së, Anxhela Prajs Ageler

8 Nëntor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anxhela Prajs Ageler.

Në vijim janë fjalimet integrale të Presidentit Pendarovski dhe ambasadores Ageler në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, kurse në vijim janë versionet e fjalimeve në gjuhën angleze.

Teksti i integruar nga fjalimi i Presidentit Stevo Pendarovski

Shkëlqesia Juaj

Kam kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm që t’i pranoj letrat kredenciale të Shkëlqesisë së Tij, të nderuarit Xhozef Bajden, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat Ju jeni emëruar si ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara Amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Së pari, më lejoni t’Ju përshëndes përzemërsisht, t’Ju uroj sinqerisht mirë se erdhët në vendin tonë dhe, njëkohësisht, t’ju uroj shumë sukses në zbatimin e funksionit Tuaj të përgjegjshëm.

Fakti se ky nuk është qëndrimi Juaj i parë diplomatik në Shkup dhe se jeni një njohës i përkryer i gjendjeve në vendin tonë, është një faktor i rëndësishëm për pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.

Jini të bindur se, në zbatimin e detyrave Tuaja diplomatike, do ta keni mbështetjen time dhe mbështetjen e të gjithë ekipit tim.

E nderuar ambasadore,

Me këtë rast, do të dëshiroja të theksoj se Republika e Maqedonisë së Veriut u kushton vazhdimisht vëmendje të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i konsiderojmë si mikun më të madh, partnerin ekonomik më të rëndësishëm dhe mbështetësin e sinqertë në momentet më të vështira që nga pavarësia jonë.

Përndryshe, përparimi i përhershëm i marrëdhënieve tonë është aksiomë e politikës së jashtme, e cila është prioritet i të gjithë faktorëve relevantë politikë në Maqedoninë e Veriut. Më gëzon sidomos fakti që në periudhën e kaluar marrëdhëniet bilaterale midis shteteve tona i ndërtojmë dhe i përparojmë si aleatë në Aleancën e NATO-s, duke shkëmbyer vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe përpjekjet për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në kontekst të sfidave të fundit gjeopolitike dhe të agresionit ushtarak rus mbi Ukrainën, më lejoni të konstatoj se miqësia jonë e fortë merr edhe më shumë rëndësi dhe ajo është garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e shtetit tim dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, në tërësi.

Shkëlqesia Juaj,

Disa vite me radhë dialogu politik midis dy shteteve është intensifikuar vazhdimisht dhe po zhvillohet në shumë nivele. Kënaqësi e veçantë është fakti që këtë vit e filluam Dialogun strategjik, si vendi i parë nga Ballkani Perëndimor. Këtë dialog e shohim si interes të përbashkët për konkretizimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. Jemi të përgatitur për një ngritje gjithëpërfshirëse të nivelit të marrëdhënieve dhe për një koordinim dhe bashkëpunim edhe më të madh në të gjitha sferat e ekonomisë, mbrojtjes, sigurisë, investimeve, arsimit, kulturës, shkencës dhe mjedisit jetësor.

Do të dëshiroja të theksoj se, cilësi të veçantë në marrëdhëniet tona të gjitha këto vite jep edhe diaspora e shumtë maqedonase në vendin Tuaj, e cila është urë miqësie midis popujve tanë, është potencial serioz në zhvillimin e lidhjeve ekonomike.

E nderuar ambasadore,

E shfrytëzoj rastin të shpreh falënderim edhe për mbështetjen e deritanishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështetja e tillë është  inkurajim i rëndësishëm për vazhdimin dhe intensifikimin e procesit reformues dhe për demokratizimin e shoqërisë sonë.

Jam thellësisht i bindur se reformat në sferat kryesore: sundimi i të drejtës dhe lufta kundër korrupsionit të lartë, kultivimi i kulturës së përgjegjësisë, transparenca dhe funksionimi i institucioneve duhet të përcaktojnë zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë maqedonase dhe anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian.

Në këtë rrugë, temat dhe diskutimet anakronike për identitetin dhe të vërtetat e imponuara historike janë pengesë e vërtetë e cila ka potencial ta pengojë rrugën tonë integruese dhe, kështu, ta mbajë të gjithë rajonin në pasiguri, kurse kjo krijon destabilitet. Në të vërtetë, dialogu i filluar në suazat e Samitit për demokraci, nën udhëheqjen e Presidentit Bajden, është treguesi më i mirë se cilat synime duhet t’i synojnë shtetet demokratike në marrëdhëniet e ndërsjella.

Duke u nisur nga ky konstatim, jam i bindur se mbështetja e Uashingtonit do të vazhdojë edhe në periudhën në vazhdim, me pritjen për përfshirje më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si garanci e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, nën dritën e pasojave të dukshme në Kontinent nga agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën.

Shkëlqesia juaj,

Do të dëshiroja ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’Ju lut t’ia përcillni përshëndetjet time të përzemërta Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amarikës, z. të nderuar, Xhozef Bajden, me dëshirë për shëndet të mirë dhe sukses në zbatimin e rolit të tij jashtëzakonisht të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në botë.

Në fund, edhe njëherë, Ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në Republikën miqësore të Maqedonisë së Veriut, shumë sukses në zbatimin e misionit Tuaj të përgjegjshëm diplomatik, si dhe shëndet dhe prosperitet të mirë për Ju dhe më të afërmit Tuaj.

Ju faleminderit.

Teksti i integruar i fjalimit të ambasadores Anxhela Prajs Ageler

President Pendarovski,

Ju faleminderit për mikpritjen e përzemërt në Vilën “Vodno” sot. Kam nderin e madh t’Jua dorëzoj letrën time kredenciale nga Presidenti Bajden. Jam krenare që e përfaqësoj Presidentin dhe popullin amerikan si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mendoj se e dini zoti President, unë kisha privilegj të madh të shërbej këtu, në këtë vend të mrekullueshëm, kulturën, njerëzit, gjuhët dhe historinë e të cilëve i kam dashur.

Në periudhën, kur kam qenë për herë të fundit këtu, Maqedonia e Veriut u ballafaqua me sfida të mëdha dhe ka marrë vendime të vështira, vendime të cilat e zhvendosën vendin më përpara në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Ky vend e ndryshoi emrin e vet që të bëhet anëtari i 30-të i Aleancës së NATO-s – aleati ynë më i ri. I hapi negociatat aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke e përforcuar pozitën e vet si lider në ndërtimin e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Kryesimi juaj i ardhshëm me OSCE-në në vitin 2023 e dëshmon rolin kryesor që e luan për të ardhmen e Evropës.

E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme, edhe pse vendi po ballafaqohet me sfida të vjetra dhe të reja. Zoti President, sot jam këtu që të premtoj se nuk do të ballafaqoheni vetë me ato sfida. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada e SHBA-së dhe unë do të kryejmë gjithçka që është në fuqinë tonë që t’i ndihmojmë njerëzit në Maqedoninë e Veriut të arrijnë t’i pranojnë dhe t’i tejkalojnë të gjitha ato sfida. Ju jap premtimin tim personal se do të jemi krah për krahu me njerëzit e këtij vendi, kështu që vendi t’i realizojë qëllimet e veta për paqe, prosperitet, siguri dhe pavarësi për të gjithë qytetarët e vet.

Evropa po ballafaqohet me kërcënimin më të madh, një kërcënim i tillë nuk është parë me breza me radhë, kurse Maqedonia e Veriut, si aleat i sigurt, aktiv në NATO, kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Më shumë se 30 vjet punojmë së bashku që të sigurojmë vendin e merituar të Maqedonisë së veriut në bashkësinë më të madhe evropiane, nëpërmjet ruajtjes së vlerave themelore të një demokracie me prosperitet – ruajtja e sundimit të të drejtës, mundësitë e barabarta për drejtësi, zhvillim ekonomik dhe shprehje individuale, si dhe nëpërmjet përkushtimit në arritjen e këtyre qëllimeve haptazi dhe në mënyrë transparente.

Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me sfida në themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Siç shkoni ju përpara ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë këtu si partner, aleat dhe mik, duke i kultivuar marrëdhëniet që do të bëhen gjithnjë dhe më të fuqishme, më të thella dhe më produktive.

Zoti President, sot kam nderin ta dorëzoj letrën time kredenciale. Pres me padurim të filloj me punë dhe ju jam shumë mirënjohëse për mikpritjen tuaj të përzemërt dhe për mbështetjen tuaj.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....