Presidenti Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të emëruar të Bashkimit Evropian, Dejvid Ger

21 Shtator 2020 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të emëruar të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dejvid Ger.

Në vijim i japim tekstet e integruara të fjalimit të Presidentit Stevo Pendarovski dhe të ambasadorit Dejvid Ger në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale.

Fjalimi i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski  

Shkëlqesia Juaj,

Kam nderin e veçantë t’i pranoj letrat kredenciale të Shkëlqesisë së Tij, Sharl Mishel, Presidenti i Këshillit Evropian dhe të Shkëlqesisë së saj, Ursula fon der Lejen, Presidente e Komisionit Evropian, me të cilat Ju jeni emëruar ambasador dhe shef i ri i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Më lejoni që në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve maqedonas t’Ju uroj mirëseardhje të përzemërt, qëndrim të suksesshëm dhe bashkëpunim të frytshëm me të gjitha institucionet, asociacionet qytetare dhe individët në Maqedoninë e Veriut.

Ne e vlerësojmë lart përvojën Tuaj të pasur diplomatike dhe konsiderojmë se ajo do të përbëjë një kontribut të rëndësishëm në përparimin e dosjes eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe të marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian. Ju bind se në zbatimin e obligimeve Tuaja diplomatike do ta gëzoni bashkëpunimin dhe ndihmën tonë të tërësishme.

I nderuar ambasador,

Ju po vini në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë, sepse pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, kthyem një fletë të re në zhvillimin e vet dhe vendosëm ta plotësojmë kohën e humbur në përmbushjen e qëllimeve të veta kryesore.

Siç e dini tashmë mirë, këtë vit Maqedonia e Veriut ka përmbushur një nga prioritetet e veta strategjike, me anëtarësimin në NATO dhe në mars ka marrë dritë të gjelbër nga Këshilli Evropian për fillimin e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian.

Tani, në periudhën para nesh, në radhë është që vendimi për fillimin e negociatave të materializohet me miratimin sa më të shpejtë të Kornizës Negociuese nga Këshilli i BE-së dhe të caktohet Konferenca e parë ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut e cila do ta shënojë fillimin konkret të negociatave.

Në këtë kontekst do të dëshiroja të shpreh falënderimin për Komisionin Evropian dhe Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, institucione prej nga vini paraprakisht, për mbështetjen e përzemërt dhe konsideroj se përpjekjet e përbashkëta të presidencës gjermane me Këshillin e Bashkimit Evropian janë një mundësi e përkryer për realizimin e qëllimit të vendosur deri në fund të këtij viti.

Ne i ndjekim nga afër dhe me vëmendje diskutimet për Kornizën Negociuese midis vendeve anëtare në trupat e punës së Këshillit të BE-së dhe jemi të bindur se vendet anëtare vetëm nëpërmjet dialogut dhe respektimit të ndërsjellë të parimeve dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian do të mund t’i tejkalojnë dallimet e mbetura bilaterale dhe sfidat.

Në këtë kuptim, si vend kandidat për anëtarësim, jemi të vendosur të vazhdojmë zbatimin e obligimeve të përbashkëta të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë me mendje të hapur dhe me vullnet të mirë edhe në periudhën që vijon.

Shkëlqesi,

Jam i bindur se fillimi i negociatave dhe metodologjia e rishqyrtuar, jo vetëm se do të kontribuojnë për stabilizimin e mëtejshëm të gjendjeve në Ballkanin Perëndimor, por neve, si shtet, do të na mundësojnë që t’i zbatojmë më shpejt dhe më me efikasitet reformat e domosdoshme, sidomos në sferën e luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë.

Ndërtimi i shtetit funksional juridik, në qendrën e të cili është sistemi i pavarur dhe efikas gjyqësor, është një nga prioritetet tona strategjike dhe të gjitha institucionet punojnë me përkushtim në realizimin e këtij qëllimi. Jini të bindur se për realizimin e këtij qëllimi strategjik të gjitha institucionet e kanë mbështetjen time të tërësishme.

Maqedonia e Veriut është e sigurt dhe e përgatitur se mund ta ecë atë rrugë edhe në të ardhmen të kontribuojë për bashkimin dhe projektimin e Bashkimit Evropian si fuqi globale në botë.

I nderuar zoti Ambasador,  

Në fund do të desha të falënderoj Bashkimin Evropian për ndihmën vetëmohuese gjatë krizës kovid-19 e cila zgjat ende. E falënderojmë për solidaritetin e treguar hapur dhe ndihmën në formë të mbështetjes urgjente për sektorin shëndetësor, pakon financiare për ballafaqim me pasojat sociale-ekonomike si dhe për ndihmën makrofinanciare e cila do të plotësim i rëndësishëm i tyre. E vlerësojmë lar dhe qasjen e siguruar pa precedent te mekanizmat dhe instrumentet e tjera të BE-së, si dhe përpjekjet e përbashkëta që t’i kthejmë qytetarët tanë që gjendeshin jashtë të sigurt në shtëpi.

Më lejoni Shkëlqesia Juaj, edhe njëherë, t’Ju uroj shumë sukses dhe shëndet të mirë në kryerjen e funksionit Tuaj të përgjegjshëm.

Fjalimi i ambasadorit dhe shefit të ri të emëruar të Delegacionit të BE-së në Shkup, Dejvid Ger

Zoti President,

Kam nderin e veçantë t’Jua dorëzoj letrat me të cilat institucionet e Bashkimit Evropian më akredituan si shef të Delegacionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në emër të Presidentit Sharl Mishel dhe Presidentja Ursula fon der Lajen, me kënaqësi Jua përcjell përshëndetjet e tyre të përzemërta për Ju dhe vendin Tuaj.

E ndërmarr këtë funksion në rrethana jo të zakonshme. Mjaft të pazakonshme, ku madje edhe dhënia tradicionale e dorë është përjashtuar, e cila zakonisht e kurorëzon këtë eveniment. Mjaft serioze që të ndikojnë mbi ndjenjën tonë të përbashkët të sigurisë dhe ta rrënojnë lirinë tonë të lëvizjes. Por, edhe shumë vendimmarrëse që të na detyrojnë të nxjerrim mësime të rëndësishme për në të ardhmen, se si nga gjendja e lëndueshme të kalojmë në gjendjen e ripërtëritjes vitale.

Jam krenar që qëndroj para jush dhe e përfaqësoj BE-në dhe vlerat e saj. Vlerën e paqes që na mundësoi të bashkohemi dhe të përparojmë. Vlerën e solidaritetit që do të na nxjerrë nga kjo pandemi. Vlerën e dinjitetit njerëzor që na bashkon të gjithëve në dallimin të cilin mund ta festojmë.

Zoti President,

Marsin e kaluar, Këshilli i Bashkimit Evropian e mori vendimin historik për hapjen e negociatave për anëtarësim në Maqedoninë e Veriut. Kjo ndodhi pas arritjeve të rëndësishme reformuese, vendimeve të rënda të cilat e përcaktuan drejtimin e zgjedhur të këtij vendi. Tani të gjithë mund ta presin fillimin zyrtar të negociatave të Konferencës ndërqeveritare.

Kjo do të jetë një ngjarje e rëndësishme që do ta vërtetojë qëndrimin shumëvjeçar se e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE. Siç tha Presidentja Fon der Lajen javën e kaluar në fjalimin e vet vjetor “Ne e kemi të njëjtën histori, e kemi të njëjtin fat. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, dhe jo vetëm vend përgjatë Rrugës së Mëndafshit”.

Negociatat aderuese do të jenë aq të mundimshme saç do të jetë e madhe dhe kënaqësia. Sundimi i të drejtës do të jetë kyç. Ai është pikë nisje, por edhe hapi i fundit në negociata. Procesi nënkupton, gjithashtu, mbështetje të demokracisë dhe dialogut, mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor dhe krijim të ekonomisë së qëndrueshme në shërbim të qytetarëve. Reformat e BE-së dhe përmirësimi i jetës dhe perspektivave të njerëzve nuk janë prioritete konkurruese, por përpjekje që përforcohen midis tyre. Ato përfshijnë proces të reformës pozitive në interes të lirive, përparimit dhe sigurisë së maqedonasve të zakonshëm.

Zoti President,

Gjatë negociatave, BE-ja do të vazhdojë të sigurojë ndihmë për Maqedoninë e Veriut, sepse zbaton reforma që do ta afrojnë vendin me BE-në. Në javët e ardhshme, Bashkimi Evropian do të prezantojë një iniciativë shumë të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor që do ta përforcojë infrastrukturën në rajon dhe do ta përshpejtojë integrimin e tij me ekonominë e BE-së. Kjo iniciativë që vjen pas thirrjes afatgjate të Presidentit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel, vendet nga Ballkani Perëndimor të jenë tërësisht të integruar në korridoret panevropiane për transport. Këto nuk mund të jenë vetëm investime në vendet fqinje, ato do të jenë investime në BE-në e zgjeruar të cilën do ta ndërtojmë së bashku.

Muajt e fundit, BE-ja dha ilustrim praktik për vlerat e solidaritetit, duke siguruar ndihmë të rëndësishme në ballafaqimin me pandeminë në këtë vend. madje edhe kur vendet tona anëtare kanë luftuar me pasojat e saj. Dëgjova se disa maqedonas nga ky hap u ndjenë si pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Më lejoni t’Ju bind, zoti President, se gjatë mandatit tim në këtë vend, nuk do të kursej përpjekjet që ta bëj këtë ndjenjë edhe më reale.

Gjatë kësaj, pres të punoj me Ju, Shkëlqesia Juaj, me Parlamentin, me Qeverinë, me opozitën dhe me të gjithë aktorët dhe sektorin e shoqërisë në të gjithë vendin, të cilët mund të jenë në qendrën e kësaj përpjekjeje të madhe që Maqedonia e Veriut të mund të zërë vendin e vet si anëtare e Bashkimit Evropian.

Zoti President,

Kam nderin, në këtë moment, t’Jua dorëzoj letrat e mia kredenciale.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....