Presidenti Pendarovski: Koneski mbetet bashkëkohor për të gjitha kohët

19 Dhjetor 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot në mbrëmje mbajti fjalim në festimin solemn të jubilarëve “75 vjet Fakulteti Filologjik” dhe “100 vjet nga lindja e Bllazhe Koneskit” që u mbajt në Teatrin Nacional Maqedonas me organizim nga Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski” Shkup.

Në këtë eveniment solemn, Presidentit Pendarovski iu dha pllaketa në shenjë të mirënjohjes së veçantë për përpjekjet e vazhdueshme dhe për kontributin në zhvillimin e veprimtarisë shkencore dhe të arsimit të lartë, si dhe për mbështetjen dhe afirmimin vetëmohues të Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” – Shkup në vend dhe jashtë vendit. U prezantua edhe shfaqja e baletit “Ndërmjet botës” (Gratë e bukura) e inspiruar nga poezia e Bllazhe Koneskit, koreografinë dhe regjinë e të cilës e përgatiti Risima Risimkin.

Në vijim është fjalimi i Presidentit Pendarovski:

Të nderuar,

Jemi në fund të vitit ku shënojmë 100 vjet nga lindja e Bllazhe Koneskit, një nga shtyllat mbartëse të politikave bashkëkohore arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike te ne, i cili së bashku me Mihail Petrushevskin, Harallampie Polenakoviqin dhe disa të tjerë janë themeluesit e Fakultetit Filologjik dhe udhërrëfyes të fuqishëm për zhvillimin e ardhshëm të shkencave filologjike, si pjesë integrale e humanistikës.

Në kohën kur, për fat të keq, jemi dëshmitarë të penetrimit të konceptit tregtar në arsim, kur tendencat e gjeneratave të reja, të formësuara nga globalizmi, janë të fokusuara në fushën e biznesit, menaxhimit dhe shkencave informatike, duket se është më e rëndësishme, madje edhe me prioritet të ruhet dhe zhvillohet ai segment në veprimtarinë shkencore dhe kreative, sepse bëhet fjalë për korpusin arsimor që i bashkon potencialet kryesore njerëzore mendimtarë, pa të cilat nuk mund të përfytyrohet mbijetesa jonë edhe në ditët e sotme edhe në ditët e ardhshme.

Fakulteti Filologjik nëpër të gjitha këto dekada nga ekzistenca e vet ka qenë bërthama e cila qëndron përballë kulturës së harresës, mohimit dhe heshtjes, duke promovuar kulturë të dialogut. Pa asnjë lloj kufizimi mund të themi se Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski” Shkup është paradigmë e pedagogjisë kritike, duke i pasur parasysh të gjitha autoritetet – profesorët, shkencëtarët, studentët, personalitetet publike të cilët në shtatë e gjysmë dekadat e kaluara e kanë ndërtuar me përkushtim identitetin e tij shkencor dhe kreativ.

Fakulteti Filologjik, nga fillimet e veta deri më sot dëshmon se është e mundshme në institucionet arsimore të mbijetojnë format e shkëmbimit të njohurive, të cilat janë fleksibile në raport me shpirtin dhe nevojat e kohës, dhe nëpërmjet të cilave promovohen modele interdisiplinore të aksionit akademik, krijues, shoqëror madje edhe atij politik. Fakulteti Filologjik e zhvillon vizionin për domosdoshmërinë e veprimtarisë proaktive, kritike dhe bashkëbiseduese, kurse kjo i tangon më shumë, sipas meje, dy segmentet vitalë shoqërorë: arsimin dhe shkencat politike.

Të nderuar,

Më lejoni t’i flas për atë, sipas të cilit, me shumë meritë është emëruar Fakulteti Filologjik. 100 vjetorin e lindjes së Koneskit e kremtojmë nëpërmjet modaliteteve të ndryshme dhe me kufizime të shumë, kjo më shumë për shkak të pandemisë. Por, që ta mbajmë vazhdimësinë e kujtimit të këtyre personaliteteve që janë themeltarë të kulturës sonë, nuk duhet të kemi asnjë arsyetim për asnjë ndërprerje në leximin, interpretimin dhe pozicionimin shtesë të tyre, të rinovuar gjithmonë, në modernizëm.

Do të më lejoni të ndaj me ju një bindjen time të thellë, domethënë, vertikale të rëndësishme shoqërore, kulturore dhe artistike, nuk ekzistojnë vetëm për festime protokollare.  Nëse kujdesemi me të vërtetë për atë trashëgimi, atëherë duhet ta vlerësojmë vazhdimisht dhe me përkushtim, ta  interpretojmë, analizojmë në përputhje me kontekstet aktuale sociokulturore. E thashë tashmë njëherë, por do të dëshiroja ta përsëris: nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që kultura e harresës të bëhet mbisunduese. Dhe jo vetëm për shkak të mohimeve aktuale nga jashtë, por më shumë për vetë ne.

Të nderuar,

Shumë gjëra janë thënë dhe shkruar për rëndësinë shkencore, letrare dhe shoqërore në përgjithësi, të Bllazhe Koneskit. Por, në rastin e tij, asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Sepse bëhet fjalë për një opus me shumë shtresa, ku gjenden interpretime të rëndësishme të të kaluarës sonë dhe të bashkëkohësisë sonë. Kur flasim, gjithmonë, për Koneskin si themeltar në fushën e shkencave filologjike, linguistike dhe humaniste, duhet ta veçojmë kuptimin e tij kompleks të bashkëkohësisë, e cila e krijon lidhjen e pandashme me të trashëguarën, populloren, shpirtëroren, letraren.

Është guxim të shkohet drejt sintezave të reja stilistike dhe mendimtare të cilat do të përputhen në vendosjen e asaj, siç e quante Koneski, “fuqinë e gjuhës letrare”. Guximi i Koneskit në shprehjen e tij gjuhësore dhe letrare nuk është impulsiv, siç di të jetë shpeshherë, por bazohet në reflektimin e thellë dhe veprimin strategjik dhe të përgjegjshëm.

Ai beson se gjuha nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë dhe se duhet të kihet guxim, virtyt  dhe durim që ajo të rritet në një organizëm të gjallë, i cili do të ndryshojë dhe do të pasurohet gjithmonë, në bazë të vazhdimësisë së vendosur paraprakisht. E gjithë kjo bëhet nëpërmjet sinergjisë së emocionales dhe intelektuales, një nga karakteristikat më të fuqishme të krijimtarisë së tij.

Të nderuar,

Populli maqedonas është i privilegjuar të ketë si pjesë të trashëgimisë së vet kulturore, artistike dhe shkencore, një vertikale siç është Koneski. Ka disa mendime të Agambenit që në mënyrë indirekti ndërlidhen me krijimet e Koneskit, kurse të cilat e përkufizojnë si njeri i cili qëndron me të dy këmbët në kohën e vet, por mund ta vendosim lirisht edhe në kohën tonë, ndërsa të mos humbasë asgjë nga freskia e vet. Domethënë, ai thotë: “Bashkëkohës mund të jetë vetëm ai i cili nuk lejon të verbohet nga dritat e shekullit … bashkëkohës është ai i cili e percepton errësirën e kohës së vet … dhe i cili nuk ndalon së interpretuari atë… Kohës së vet i përket ai që nuk përshtatet me kërkesat e saj, por përpiqet më shumë se kushdo tjetër ta perceptojë, ta shqyrtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ta komentojë në mënyrë të argumentuar.”

Të nderuar, pikërisht për këtë arsye, Bllazhe Koneski, mbetet bashkëkohës për të gjitha kohët. Dhe prandaj nuk kam dyshim se Fakulteti Filologjik i cili e mban emrin e tij, do të mbetet bashkëkohor dhe i qëndrueshëm për të gjitha kohët.

Ju faleminderit për nderin e treguar, Jua uroj të dy jubilarët dhe Ju dëshiroj një veprimtari të gjatë, të suksesshme, shkencore, akademike dhe pedagogjike.

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....