Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në festimin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

7 Maj 2021 | Kumtesat

Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në festimin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që u mbajt në Qendrën e policisë “Gjorçe Petrov” në Shkup.

Në suazat e këtij solemniteti, Presidentit Pendarovski iu dha pllakë speciale për partneritet dhe bashkëpunim, nga Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

I nderuar, Ministër i punëve të brendshme,

Të nderuar ministra të Qeverisë,

Të nderuar përfaqësues të Policisë,

Shkëlqesi të respektuar,

Të dashur bashkëqytetarë,

Kam nderin t’ju përshëndes me rastin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kjo është një ditë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një strukturë e cila ka një rol të pazëvendësueshëm në zbatimin e ligjet, mbajtjen e rendit dhe paqes publike, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në mbrojtjen e kufijve shtetërorë. Me vetëm një shikim, mbi këto kompetenca jashtëzakonisht të rëndësishme, bëhet e qartë se nga puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme në masë të madhe varet dhe besimi i qytetarëve në shtetin e vet dhe në institucionet e tij më të larta.

Ai besim i qytetarëve në institucionet duhet të riafirmohet përditë, pavarësisht se a bëhet fjalë për incidente të vogla lokale, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit ose për probleme të mëdha globale siç është pandemia me kovid-19. Më shumë se një vit, policia është një nga hallkat kryesore në ballafaqimin me pandeminë. Nëpunësit policorë janë të obliguar natë e ditë të ndihmojnë sistemin shëndetësor në zbatimin e masave për ballafaqim të shpërhapjes së virusit. Prandaj, ju falënderoj në emër të qytetarëve maqedonas dhe në emrin tim personal.

Që ta kenë gjithmonë besimin e qytetarëve, nëpunësit policorë janë të obliguar ta ushtrojnë me dinjitet profesionin e përzgjedhur, Në punën tuaj disa parime janë vendimtare:

Së pari, respektimi i ligjit dhe sundimi i të drejtës. Policia është institucioni i cili reagon shumë shpesh e para ndaj kërcënimeve ndaj rendit demokratik dhe jetës dhe pronës së qytetarëve, kurse këtë do ta bëjë me sukses vetëm nëse vepron në suazat e ligjeve, ndërsa jo sipas dëshirave të individëve apo strukturave me ndikim.

Së dyti, profesionalizmi. Nëpunësit policorë janë të detyruar të përmbahen nga keqpërdorimi apo tejkalimi i autorizimeve të dhëna dhe të mos veprojnë në mënyrë arbitrare në varësi nga statusi shoqëror i individëve.

Së treti, që ka lidhje të pandashme me parapraken – paanshmëria. Në çdo shtet demokratik, ligjet janë të barabartë për të gjithë. Prandaj policia duhet t’i zbatojë në mënyrë neutrale ligjet, pavarësisht nga përkatësia etnike, sociale, politike, partiake apo cilado përkatësi tjetër e njerëzve.

Policia duhet të jetë strukturë e depolitizuar dhe e departizuar, nga njësitë më të ulëta rajonale deri në sektorët e lartë dhe administrata kryesore në Ministri. Pikërisht veprimi i paanshëm është parakusht për përparimin e raportit midis policisë dhe qytetarëve sepse pa mbështetjen e tyre policia nuk mund të jetë tërësisht efikase.

Së katërti, sakrifica në mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve. Profesioni juaj është me rrezik. Sot dëshmojmë respekt për të gjithë nëpunësit policorë të cilët në vitet e kaluara e kanë dhënë jetën e vet duke kryer obligimin e vet profesional. Kur në mbrojtje të rendit juridik dhe të drejtave të njeriut do ta jepni sakrificën më të lartë, kjo është dëshmi se me të drejtë të plotë e keni mbajtur uniformën dhe bexhin zyrtar.

Së pesti, llogaridhënia dhe transparenca para opinionit dhe para institucioneve. Në këtë kuptim është mbikëqyrje e rëndësishme institucionale mbi policinë nëpërmjet kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm. Theks i veçantë duhet të vendoset mbi parandalimin e korrupsionit sepse duhet të reduktohen raste absolute minimale kur njerëzit e obliguar për zbatimin e ligjit, e shkelin vetë ligjin.

Roli i policisë është edhe më i madh në shoqëritë heterogjene siç është e jona. Katalizator në përparimin e këtij bashkëpunimi është përfaqësimi përkatës etnik në të gjitha nivelet e Ministrisë, që të gjithë qytetarët në shtetin tonë të kenë besim të tërësishëm në strukturat policore.

Gjithashtu, duhet t’i kushtohet vëmendje rolit të gruas në polici. Ai proces ka filluar, rezultatet janë të dukshme, por nevojitet tejkalim i tërësishëm i stereotipave lidhur me barazinë gjinore sepse përkundrejt traditës dhe paragjykimeve të cilat janë jashtëzakonisht të fuqishme në shoqëritë konservatore, policia nuk është vetëm profesion për meshkuj.

Për funksionimin e Ministrisë, parandalimi është kryesor dhe prandaj nevojitet të vendosen relacione të mira me bashkësinë ku veprohet, para se të shfaqen problemet.

Të nderuar të pranishëm,

Në raport me të gjitha parametrat dhe parimet e dhëna më sipër, është e pakontestueshme se Ministria e Punëve të Brendshme sot është shumë më përpara në raport me gjendjet para 5 apo 10 vjetësh kur institucioni ishte vetëm një shtab partiak i kamufluar keq. Megjithatë, që t’i përmbushë me sukses detyrat e veta në mënyrë të ligjshme dhe me dinjitet, duhet të investojmë në polici, me patjetër.

Edhe pse, në aspektin e sigurisë, me anëtarësimin në NATO hymë në ujëra më të qeta, megjithatë sfidat e sigurisë siç janë terrorizmi, ekstremizmi fetar, sulmet sajber, fushatat për dezinformim, kërcënimet hibride nuk do të zhduken. Reformat e deritanishme në sistemin mbrojtës dhe të sigurisë dhe në sistemin e sigurisë dhe të zbulimit i kanë përmirësuar theksueshëm performancat e veta dhe e kanë afruar shtetin me standardet ndërkombëtare. Por, reformat duhet të vazhdojnë sepse edhe ambienti i sigurisë ndryshon vazhdimisht.

Në këtë kuptim, parakusht i rëndësishëm janë pajisja dhe armatimi modern dhe standardet në hapësirat e punës, por faktori më i rëndësishëm për sukses, megjithatë, është njeriu. Duhet të merren vazhdimisht parasysh kualifikimet profesionale, përzgjedhja, punësimi dhe trajnimi i nëpunësve policorë, kurse përparimi të jetë në bazë të kritereve objektive, ku filtri etik përkatësisht integriteti i individit ose thënë popullorçe, faqja, duhet të jetë në plan të parë.

Të nderuar përfaqësues të policisë,

Qytetarët i besojnë shtetit po aq sa u besojnë institucioneve të tij. Kurse një nga institucionet më të rëndësishme në çdo vend është pikërisht Ministria e Punëve të Brendshme. Prandaj, pres që në periudhën para nesh, si deri më tani, detyrat tuaja, të cilat janë me rrezik të lartë dhe komplekse, t’i kryeni me dinjitet dhe ndershmëri dhe të mos keni turp kur të thoni se ku punoni.

Në fund më lejoni, edhe njëherë, të gjithë përfaqësuesve të policisë, të gjithë të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme t’ua uroj 7 Majin – Ditën e Policisë!

Ju faleminderi.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....