Presidenti Stevo Pendarovski sot në Paris mbajti fjalim në hapjen e simpoziumit ndërkombëtar në suazat e festimit të jubileut “Njëqind vjet nga lindja e Aco Shopovit (1923-1982) që u mbajt me mbështetjen e tij në bashkëpunim me UNESKO-n.
Njëkohësisht, Presidenti Pendarovski e vizitoi edhe projeksionin dhe filmin e animuar “Tmerr” sipas poezisë me të njëjtin titull të shkrimtarit Aco Shopov i inspiruar nga tërmeti i Shkupit në vitin 1963. Në suazat e festimit të këtij jubileu, Presidenti Pendarovski do të vizitojë edhe ekspozitën “Rruga nëpër të cilën hapëroj” mbi udhën e krijimtarisë së Aco Shopovit që do të ndiqet mandej nga performanca “Duhet të jemi më të mirë”.
Simpoziumi për nder të Aco Shopovit “Poezia: krijimtaria, shqipërimi dhe spektri i veprave të gjuhëve nga rajonet më të vogla gjuhësore” organizohet nga ASHAM dhe Fondacioni “Aco Shopov – Poezia”. Me evenimentit e sotme në Paris në Ditën Botërore të Poezisë – 21 mars, përveç festimit të 100-vjetorit të lindjes së poetit maqedonas Aco Shopov, festohen edhe 30 vjet nga anëtarësimi maqedonas në UNESKO.
E nderuar znj. Azule, drejtoreshë e përgjithshme e UNESKO-s,
Të nderuar shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, në Ditën Botërore të Poezisë, këtu, në Paris, festojmë dy jubile të mëdhenj – 100-vjetorin e lindjes së poetit të shquar maqedonas Aco Shopovit dhe 30 vjet nga anëtarësim maqedonas në UNESKO.
Këto pika jashtëzakonisht të rëndësishme të zhvillimit tonë sociokulturor na rikujtojnë se detyra e artistit ka qenë gjithmonë të parashtrojë pyetje kritike në botë dhe për botën dhe për kohën në të cilën jetojmë. Korpusi letrar i kolosit tonë Aco Shopov është paradigmë për atë se poezia dhe arti në përgjithësi, nuk i përkasin vetëm estetikes, por i ka hedhur rrënjët thelë tek etikja dhe humania.
“A nuk është kjo kohë në të cilën jetojmë dhe kufijtë e të cilës njerëzimi i zgjeron në mënyrë fantastike të guximshme dhe të shpejt, edhe koha e cila e vret poezinë?” Kjo kohë e “arritjeve shkencore e lë pas veti edhe fantazinë më të guximshme dhe më të pasur”, kohë e çudive teknologjike dhe “robotë që mund të shkruajnë për disa minuta poezi e cila do t’i plotësojë kërkesat estetike. A është koha jonë e vdekur për poezinë, apo ajo është e vdekur për të?”
Me këto fjalë Aco Shopovi i hapi Mbrëmjet e para të poezisë në Strugë në vitin e largët 1962. I largët, por përsëri i afërt sepse ndërsa flasim, algoritmet e inteligjencës artificiale tashmë gjenerojnë tekste të cilat i imitojnë letrarët e mëdhenj. Zhurma në rrjetet dhe mediat sociale e prishin qetësinë e domosdoshme për krijimtarinë artistike dhe këndvështrimin e botës.
Dhe si në kohën e Shopovit, disa konsiderojnë se përparimi shkencor dhe teknologjik dhe sfidat bashkëkohore e shtypin nevojën njerëzore që të krijojë poezi. Rëndësia e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë si arritjet kryesore njerëzore bëhen viktima të luftës, duke përfshirë edhe atë në Ukrainë. Edhe sot, i kryqëzuar midis shumë frikave, krizave dhe luftërave, bota “këmbëngul tmerrësisht të gjejë vetveten”.
Prandaj, edhe ne, si edhe Shopovi, po ballafaqohemi me dilemën: A është koha jonë e vdekur për poezinë? Ç’na duhen poetët dhe arti? Përgjigjen mund ta gjejmë në jetën dhe krijimtarinë e Aco Shopovit. Edhe pse mesazhet më të rëndësishme në poezinë e tij nuk janë thënë në mënyrë eksplicite, por janë sugjeruar në mënyrë implicite, megjithatë mund të dallojmë disa parametra kryesorë.
Vertikalja e parë poetike e Shopovit është liria. Gjatë Luftës së Dytë Botërore si partizan, ka marrë pjesë në krijimin e shtetit bashkëkohor maqedonas, kurse mandej, si poet futet në themelet e letërsisë bashkëkohore maqedonase. Emri i tij lidhet me fillimet e Shoqatës së shkrimtarëve të Maqedonisë dhe me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Aco Shopovi është një nga themeluesit dhe kryetari i parë i Mbrëmjeve strugane të poezisë si republika jonë e parë dhe ende e gjallë poetike.
Për Shopovin, poezia ndihmon në skicimin e kontureve të të ardhmes njerëzore si “fushë enorme për manifestim të lirë të të gjitha shkathtësive të tij shpirtërore në garë të përhershme me vetveten dhe me të tjerët.” Sipas tij, poezia nuk është vetëm përjetim estetik por edhe “marrëdhënie korrekte aktive dhe qëndrim etik ndaj problemeve thelbësore të jetës.” Si vetëdije dhe ndërgjegje e shoqërisë, “poeti nuk duhet të heshtë” para padrejtësive sistematike. Me fuqinë e fjalës poeti duhet të kritikojë dhe të emancipojë, në mënyrë kontrakulturore, madje edhe subverzive.
Vertikalja e dytë poetike e Shopovit është barazia. Në kohën kur pabarazia midis veriut dhe jugut global po zmadhohet, zgjerohet, poezia ka rol të ekuilibrojë. “Në poezi nuk ka vende të zhvilluara shumë dhe mesatarisht të zhvilluara dhe vende në zhvillim” thoshte Shopovi. Poezia u jep dinjitet të barabartë të ndryshmëve. Ai, vetë një herë ka theksuar se “rajonet e mëdha letrare i intereson se si sillen ndaj tyre mjediset e vogla letrare”, me pikëpamjet e tyre të reja dhe të freskëta. Kurse, pikërisht, Aco Shopovi është një prej poetëve me të cilët letërsisë maqedonase i detyrohet kultura evropiane dhe botërore.
Vertikalja e tretë poetike është njerëzimi. Aco Shopov skicoi një rreth të gjerë poetik nuk ka vend të mjaftueshëm për gjithçka që është humane. Duke u nisur nga ideja se “rruga më e gjatë dhe më e vështirë është rruga drejt njeriut”, Shopovi besonte në fuqinë magjike të poezisë që ta humanizojë jetën. Askush nuk ndihej si i huaj në lirikën e tij sepse ai fliste për dhimbjet, mundimet dhe shpresat njerëzore.
Si ambasador i Senegalit, Ace Shopovi u bind se “pas çdo simboli nacional dhe rajonal fshihet njeriu” dhe se duke i njohur të tjerët, më lehtë dhe më shpejt njihet vetvetja dhe atdheu. Shopovi në poezinë nacionale dallon “një botë me dimensione universale dhe rëndësi universale”, dhe zhvilloi kosmopolitizëm të rrënjosur në atdhe dhe patriotizëm ndaj botës. Vetëm poetë si Aco Shopovi dhe vëllai i tij frankofon, Leopold Sedar Sengor, mund të “zhyten në thellësitë e pafundme të shpirtit dhe botës shpirtërore të vendlindjes së tyre dhe prej saj të dalin me mesazhe për njerëzimin”: Prandaj Shopovi mund të thoshte me të drejtë të plotë: “për mua bota është atdheu, kurse atdheu bota”.
Por që këto tri vertikale të lirisë, barazisë dhe njerëzimit të mos mbeten vetëm dëshira të bukura nevojitet edhe diçka. Kurse kjo është dhembshuria me mundimet e botës. Dhe përsëri Shopovi na e tregon rrugën sepse ai ka këmbëngulur gjithmonë që botën dhe ngjarjet rreth saj t’i përjetojnë si fat personal dhe të identifikohemi me to. Por, jo vetëm që me dhembshuri të madhe i përjeton ata që janë të margjinalizuar, Shopovi ndjen edhe përgjegjësi ndaj tyre edhe t’i përfaqësojë. Pikërisht identifikimi me të pafuqishmit i jep fuqi që të mos heshtë para padrejtësive shoqërore dhe sistematike dhe nëpërmjet fuqisë së fjalëve ta ndryshojë realitetin.
Zonja dhe zotërinj,
Duke i pasur në mendje tri vertikalet e opusit poetit të Shopovit, në fund, përsëri i rikthehemi dilemës: A është koha jonë me të vërtetë e vdekur për poezinë?
Pikërisht, këtu në Paris, në vitin 1977, duke ndenjur në bistron përballë Operës i rrethuar nga të rinj nga e gjithë bote, Aco Shopovi e ka dëgjuar zërin e paepur të Komunës së Parisit. Duke e dëgjuar zhurmën e tyre, ai ka menduar mbi vizionin e një “komune botërore”, si një bashkësi të rinjsh nga çdo gjuhë dhe kulturë, të bashkuar në luftën për liri, barazi dhe vëllazërim midis njerëzve dhe popujve.
Një nga nxitësit kryesorë të këtij vizioni është UNESKO-ja, që para 20 vjetësh e vendosi çmimin “Urat e Strugës” për vëllimit më të mirë të poetit debutues nga bota. Kjo është pjesë e asaj që Shopovi e quajti “front i përgjithshëm kulturor për afirmimin e vlerave personale kulturore dhe pranimin e të gjitha arritjeve krijuese deri ku është ngritur shpirti njerëzor sot në botë”. Në këtë mënyrë, Festivali i Strugës, me ndihmë të UNESKO-s është ngritur në një lidhje të vërtetë dhe të fuqishme midis poetëve nga e mbarë bota.
Miq të dashur,
Në një rast Aco Shopovi ka theksuar se “poezia është një prej dispozitave më thelbësore njerëzore, diçka që historikisht lind dhe jeton me të, prandaj mohimi i saj nënkupton mohim të njeriut si njeri”. Dhe me këtë ai na e zgjidhi vetë dilemën. Kohës sonë i nevojitet poezia si asnjëherë më parë.
Ju faleminderit.