Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë dhe mbajti fjalim në hapjen e ekspozitës “Të gjithë lotët tanë”, që u mbajt në Qendrën multimediale “Stacioni i vogël” (Malla Stanica”) në Shkup.
Ekspozita ku janë prezantuar 34 fotografi të bëra në lokacione në Maqedoninë e Veriut, Kosovës dhe Serbisë kushtuar viktimave civile të luftërave në këto hapësira.
Presidenti Pendarovski në fjalim tha se kjo ekspozitë, përveç vlerës së fotografive autentike dhe origjinale, të cilat në vetvete inkorporojnë perspektivën artistike dhe dokumentare, sjell edhe një mesazh të thellë nëpërmjet të cilit rikujtojmë dhe ballafaqohemi me padrejtësitë dhe vuajtjet në një kontekst historik-politik, kurse kjo na nxit të reflektojmë mbi nevojën dhe rëndësinë e ballafaqimit konstruktiv me plagët e të kaluarës nëpërmjet gjetjes së modeleve të pajtimit.
“Luftërat në territorin e ish Jugosllavisë lanë pasoja të thella në shoqëritë tona, të cilat ndjehen edhe sot e kësaj dite, duke e reflektuar tragjedinë dhe kompleksitetin e konflikteve. Si pasojë e këtyre luftërave, kemi shumë viktima të cilat nuk kanë varr. Sipas disa statistikave të caktuara rreth 14.000 persona konsiderohen ende si të zhdukur nga luftërat në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001. Kemi shumë familje të cilat pothuajse tri dekada gjurmojnë ende të vërtetën dhe drejtësinë. Mbështetja e përpjekjeve të tyre për përcaktimin e fateve të të afërmve të tyre, nënkupton njëkohësisht dhe shprehje respekti ndaj viktimave, ndaj familje ve, por edhe ndaj shoqërive tona në tërësi”, tha në këtë fjalim Presidenti Pendarovski.
Ai shtoi se kjo ekspozitë e njeh publikun me një pjesë të vogël të dëshmive të shumta të të mbijetuarve, si dhe me dëshmitë e familjeve të viktimave dhe të dëmtuarve dhe theksoi se mbështetja e të gjitha grupeve të prekura nga konfliktet në rajonin tonë është njohje e vuajtjeve të tyre dhe mbështetje e procesit për ballafaqim me të kaluarën.
“Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” nxit me të vërtetë kujtime, emocione dhe lot të trishtuar, të vështirë dhe të dhimbshëm te secili prej nesh. Fotografitë rreth nesh, prej të cilave burojnë përjetime reale, le të jenë rikujtues, që të mos harrohen asnjëherë krimet e luftës të cilat numërohen midis më të tmerrshmeve në historinë e Evropës bashkëkohore. Për fat të keq, nuk mund të them “asnjëherë mos u përsëritshin”, sepse sot në shekullin e 21, kur kemi qenë të gjithë të bindur thellë se era e luftërave ka përfunduar, jemi përsëri dëshmitarë të luftës në truallin e kontinentit tonë. Lufta në Ukrainë na rikujtoi këto mundime të freskëta nëpër të cilat kaluan qytetarët në vendet tona, si dhe na rikujtoi se përpjekjet për bashkim, pajtim dhe mbështetje të ndërsjellë duhet të jenë më të fuqishme se kurrë më parë”, tha Presidenti Pendarovski në këtë fjalim.
Autorë të kësaj ekspozite janë fotoreporterët Arbnora Mehmeti dhe Nake Batev nga Maqedonia e Veriut, Borisllav Peshiq nga Serbia dhe Ade Mula nga Kosova, kurse ajo është organizuar nga Konsorciumi i organizatave të paqes nga Holanda, SHBA-ja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Presidenti i përgëzoi autorët të cilët nëpërmjet objektivave të tyre mundësuan që viktimat civile të luftës të marrin hapësirë dhe mundësi, rrëfimet dhe mesazhet e tyre të vijnë tek opinioni, si dhe të tërheqin vërejtje se për njerëzimin nuk është dinjitoz dhuna por dialogu.