Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën e 6-të rajonale për e-tregti kushtuar ripërcaktimit të e-tregtisë në epokën e inteligjencës artificiale, të organizuar nga Asociacioni për e-tregti i Maqedonisë (AETM).
Në fokusin e kësaj konference është shfrytëzimi i potencialit të inteligjencës artificiale, roli i saj në e-tregti, si dhe ripërcaktimi dhe transformimi i të gjithë industrisë.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë t’ju përshëndes në këtë konferencë të organizuar nga Asociacioni për e-tregti i Maqedonisë, që i kushtohet ripërcaktimit të e-tregtisë në epokën e inteligjencës artificiale.
Këtë vit, fjala e-komerce, ose e-commerce, mbush 30 vjet. Bashkëmoshatarët e saj në fillim të viteve 1990 janë terma të tillë si: ueb faqe, nomad digjital, ndarja dixhitale, siguria kibernetike dhe krimi kibernetik, metaverse, printimi 3D, DVD, PDF, USB, fotoshop dhe shumë e shumë të tjera. Në atë kohë kur më pak se 0.05% e popullsisë së botës ishte onlajn, pakkush i kuptonte këto neologjizma. Sot, kur 60% e botës është onlajn, vështirë se mund ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe të funksionojmë pa to.
Çfarë e shkakton këtë? Nëse shikojmë historinë e gjatë të zhvillimit teknologjik, do të vërejmë se intervali kohor ndërmjet inovacionit dhe përdorimit komercial të tij po zvogëlohet. Nxitësi kryesor i inovacionit ka qenë gjithmonë inteligjenca, por sot kjo është edhe më e theksuar sepse inteligjenca artificiale po bëhet një faktor kyç për inovacione edhe më të mëdha pothuajse në çdo sferë, duke përfshirë edhe tregtinë. Ajo po ndryshon jo vetëm qëllimin por edhe natyrën dhe strukturën e prodhimit, shprehitë e konsumatorëve dhe profesionet.
Inteligjenca artificiale nuk është më në vetëm një agregat reklamash, por po rritet në shtyllën kurrizore të shitjes me pakicë. Çetbotat e konsumatorëve, përgjithësimi i përmbajtjeve dhe ilustrimeve për prodhimet dhe shërbimet, analiza e shpejtë e nevojave të tregut dhe e preferencave të konsumatorëve, pot e zmadhojnë në mënyrë eksponentë ndikimin e inteligjencës artificiale mbi e-tretinë.
Falë këtij transformimi digjital, e-tregtia po merr vrull. Këtë vit, rreth 20% e shitjeve globale me pakicë bëhen onlajn. Bizneset sot mund të shesin shumë më tepër produkte dhe shërbime me shumë më pak kosto, kurse si rrjedhojë me çmime më të ulëta. Për shkak të potencialit të tij investues, ky sektor relativisht i ri po bëhet një element i rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të çdo shteti.
Të nderuar,
Në këtë fushë po ballafaqohemi me tri sfida minimum, ne këtu në Maqedoni. Sfida e parë është fakti se inovacionet teknologjike shpeshherë janë më të shpejta sesa rregullimi dhe hapin hapësirë për keqpërdorime nga më të ndryshmet, nga dezinformacionet nëpërmjet krimit sajber dhe deri në sulmet sajber të sigurisë. Për shkak të frikës nga mashtrimet, një pjesë e konsumatorëve e shohin ende me mosbesim tregtinë onlajn.
Sfida e dytë është rreziku nga zmadhimi i papunësisë dhe pabarazisë sociale, për shkak të ndarjes digjitale dhe nivelit të ulët të shkrim-leximit digjital.
Sfida e tretë është demografike. Brezi i ri digjital ka rol kyç në e-tregti. Të rinjtë jo vetëm që i ndjekin por edhe i krijojnë trendët kryesore digjitale nga të cilat varet rritja ekonomike. Por, këtu është edhe problemi kryesor, domethënë, raporti botëror për migrimin për vitin 2020 e rendit Maqedoninë e Veriut në vendin e 20 në botë sipas normës së migrimit. Për shkak të një sërë problemesh sistematike, duke përfshirë edhe korrupsionin, ekziston rrezik të humbim një pjesë enorme të popullatës sonë të re digjitale.
Që t’u përgjigjet këtyre sfidave, shteti duhet të ndërtojë besimin në këtë sektor duke luftuar kundër krimit sajber dhe duke garantuar siguri sajber të tregut. Mandej, shteti duhet të investojë në arsimin bashkëkohor digjital që ta tejkalojë boshllëkun digjital në shoqërinë maqedonase. Në fund, duhet të zhvillojë ekosistem maqedonas të e-tregtisë që të mund të tërheqë investime, të krijojë vende pune dhe t’i mbajë të rinjtë në vend.
Këto janë vetëm një pjesë e rekomandimeve që i vendosëm në Kornizën për zhvillim “MKD 2030” që ofron vizion afatgjatë për zhvillim dhe për të ardhmen e vendit. “MKD 2030” së bashku me Strategjinë nacionale zhvillimore 2021-2041, duhet të na ndihmojë ta përshpejtojmë transformimin digjital të Maqedonisë, të promovojmë ekonomi dhe arsim digjital dhe ta ngremë shkrim-leximin digjital dhe t’i digjitalizojmë tërësisht shërbimet publike. Dhe të gjithë këtë ta bëjmë duke pasur parasysh nevojat e brezit të ri.
Të dashur miq,
I kemi në dispozicion mjetet më bashkëkohore të epokës digjitale. Para nesh është një fushë me potencial enorm për rritje dhe zhvillim ekonomik. Nga e varet se a do të përfshihemi në garën e madhe apo do ta flemë këtë epokë të madhe kohore, e cili po e përcakton tashmë zhvillimin e çdo ekonomie nacionale, e madhe apo e vogël, sido që të jetë, në shekullin e 21.
Besoj se folësit e paraqitur mbresëlënës në këtë konferencë do të na japin ide si t’i shfrytëzojmë më mirë mundësitë që na afrohen për zhvillim të e-tregtisë në shtetet dhe rajonet tona. Dhe ndoshta, pikërisht këtu, në këtë shkëmbim përvojash do të lindin ide të reja fjalë të reja që do t’i inspirojnë brezat e ardhshëm.
Faleminderit.